Sonte tregut medial në Kosovë i shtohet edhe një televizion
Nëse sot gjatë ditës e keni shtypur kanalin 7 në platformën IPKO, keni mundur ta shihni siglën e Gazetës Express. Nga ora 22:30 ekrani do të hapet dhe në shtëpitë e juaja do të arrijë sinjali nga studiot e televizionit më të ri. Televizioni është pronë e kompanisë “MediaWorks”, kompani kjo që tashmë është e njohur në treg me produktin e saj kryesor, portalin më të madh në Ballkan, Gazeta Express.
Sonte në orën 22:30, tregut medial në Kosovë do t’i shtohet edhe një televizion i ri: televizioni i Gazetës Express.
Emri i këtij televizioni, logoja, emisionet dhe gjithçka tjetër do të shpalosen sonte në detaje.
Televizioni është i pozicionuar në kanalin e 7-të në platformën IPKO dhe në kanalin e 56-të në “Digitalb”.
Pronar i këtij televizioni është shoqëria aksionare, “MediaWorks”, e cila aktualisht njihet gjerësisht me produktin e saj kryesor, portalin më të madh në Ballkan, Gazetën Express (www.gazetaexpress.com)
Në periudhën testuese (16 mars-26 mars) skema programore do të zbulohet dalëngadalë. Pra, deri në fund të javës së parë, shikuesit do të mundë ta shohin tërë skemën programore të televizionit.
Qysh në javën e parë, televizioni do t’i ketë mbi dhjetë emisione.
- Berat Buzhala do ta ketë emisionin e tij dy herë në javë. Një emision plotësisht ndryshe për tregun tonë medial.
- Leonard Kerquki vjen para jush me një emision të ri, tri herë në javë. Do të kthehet edhe emisioni “Zona Express”.
- Arsim Lani me ekipin e tij të gazetarëve do t’i japë një dimension plotësisht të ri informacionit, përmes magazinës informative, që do të transmetohet çdo ditë në orën 19:30.
- Fidan Jupolli do të jetë pesë herë në javë në ekranin e juaj.
- Elita Rudi do të jetë çdo të shtunë me ju.
- Kaltrina Mikushnica rikthehet në ekran me programin e mëngjesit, çdo ditë.
- Vlera Jusufi do t’i shndërrojë fundjavat e juaja në një argëtim të vërtetë, përmes emisionit të saj të sportit.
- Shpëtim Desku vjen me një format plotësisht të ri në emisionin e tij.
- Pesë herë në javë do të jetë me ju edhe Anita Ahmeti me programin e saj të pasdites.
- Miqtë tanë të ICK-së do të jenë pjesë e kësaj skeme programore me emisionin e tyre kushtuar teknologjisë.
- Dijedon Musa vjen me emisionin e tij për shëndetësinë.
- Dritan Dragusha me intervistat e tij vjen çdo fundjavë.
- Një herë në javë në ekranet e juaja do të sjellim një emision për veturat.
- Gjigandin DW do të vijë te ju në këtë ekran përmes dokumentarëve fantastikë.
Gjatë ditës, televizioni do të sjell te ju lajmet e fundit përmes një formati plotësisht të ri të “news-channel”-it. Dhe, shumë e shumë risi të tjera.