Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: Troja pas kalit (1)

 

Prelud

Ndërsa, po lëçisja disa libra dhe artikuj për historinë bashkëkohore, vura re, që kish disa periudha të rëndësishme të historisë, të cilat ishin më tepër se pjesë kalimtare nga një regjim në një tjetër, nga epoka në epokë dhe më shumë, së bashku, me një ndërthurje luftrash, tërmetesh, përmbytjesh, rrufesh dhe gjaku njerëzor, boshtin i shkundën botës, aq sa çfarë erdhi më pas, humbi për ca kohë në mjegull padije, sa njerëzimi në historinë e tij, si në mite dhe gojdhana, e mbuluan për ta lënë në harresë.

Rënia e Titanëve dhe kurorëzimi i Zeusit, Troja pas Kalit, Roma pas qytetërimit, që themeloi Enea, lufta që rrëzoi komunizmin, e tjerë. Kështu ndodhi që rreth viteve 1190/1180 B.C., diçka, si një valë tsunami goditi me shkatërrim qendrat kryesore të asaj kohe duke përfshirë Pylosin, Tiryns, Athensën dhe vetë Mikenën, si dhe shumë nga qytetet-shtete, në anën tjetër të Egjeut, si Anatolinë, Qipron, Canaanin, dhe Mesopotaminë.

Egjipti gjithashtu u trondit nga e njëjta stuhi. Shkatërrimi i epokës së Bronzit, në thelbin e botës së qytetëruar të asaj kohe, ngjante si dy pika uji me të tjerat që e pasuan. Miq, qëllimi i këtij grupi shkrimesh, nuk është të zbulojmë se çfarë e shkatërron botën: njerëzit, toka me pllakat e saj tektonike si kurriz breshke, ndryshimet e klimës, thatësirat dhe akujt, se s’jam as historian e as i ndonjërës prej këtyre shkencave, por do të ndalem në rolin e faktorit, njeri, pjesëzës në qendër të shkatërrimit dhe rindërtimit, atij më të mospërfillurit.

Nuk do të hulumtoj as ne biosociologjinë dhe as në gjeopolitikën e këtyre ndodhive meteorike, por thjesht do të ngre disa pyetje, për arsyet që i sollën dhe se çfarë nuk bëri njerëzimi për të arritur një demokraci, ku qytetarë të edukuar, të vazhdojnë të ruajnë dhe përmirësojnë qeverisjen e tyre. Mjaft të analizojmë me kujdes ndodhitë dhe dukuritë, në heshtje dhe veten, si trojanët dardanë, atë mbasdite, ku çdo gjë ish zhdukur në flakët e hakmarrjes dhe grabitjes, që Kali Tradhëtor, hodhi mbi ta dhe gjithë njerëzimin. Krimi, që viktimës i mori veç jetës dhe emrin.

 

  1. PYETJE/T

(Pjesa e parë)

…disa u turrën për nga deti. Disa u tulatën mes gërmadhave. Të tjerë pa kthyer kokën (ndoshta nga tmerri, që panë, larguan sytë e bashkë me të, atë mënxyrë, sa veç një thirrje instikti për të shpëtuar, u ulërinte brenda dhe këmbët u shtynë te rendnin në ikje) u nisën drejt shkretëtirës të gjenin shpëtim, të thaheshin ashtu zhuritur në zbrazësinë e saj.

Zgjidhje qe dhe vdekja.

Shumë humbën dhe askush si përmendi më, këta të gjorë. Të panjohurit e pashpresë, që as kokën nuk ngritën lart, si Laokonti, perënditë t’i bënin të ndjeheshin në faj dhe ndoshta mëshirë, për t’u dhënë një shenjë se ç’duhej të bënin. Nuk mjaftonte gjithë ai gjak dhe gjithë ata shpirtëra të shqyer për të bërë diçka? Duhej të ndodhte! Ky ishte “fati”, që nuk mund të ndryshohej nga asnjë vdekëtar! Hija e Laokontit rrinte aty varur mbi perden e qiellit për të dëshmuar, atë, për të cilën ra fli. E megjithatë diçka më përvëluese se dielli, (më mirë të kishte rënë shi, të shuante e të shplante atë ç’ndodhi, por edhe atë s’e bënë) rrinte e shtangur, hingëllinte me dhembje, një pikëpyetje, si kokë e prerë kali, ngrirë në grahmë, thërriste:  Pse! Troja s’ishte më. Mbi kodër mes kollonave të rrënuara rrinte i ngrysur, veshur me dhoga të regjura nga kripa e detit, “Pinus equi troiani, “Pisha e kalit të Trojës, dhurata e grekërve dinakë, tradhëtia dytehëse, priste, e mprehur të priste! Kali (Pse jo Shqiponja) Simbol i Posedonit, (Homeri, anijet i quante kuaj deti). Simbol i shenjtërisë së pacenuar, famës së përsosur, civilizimit të lirë, vetë Trojës. Simbol i mashtrimit, dhelpërisë, tradhëtisë, vrasja e pabesë pas shpine, tërheqës për turmën e bindur dhe unët e ngrefura të udhëheqësve. Simbol i fajit ndërshekullor, dorëzimit, nënshtrim ndaj fatit q’u caktuan Zotat. Mashtrim kaq i madh sa s’mundi të përdorej më shumë se një herë! Dhe prapë s’mjaftoi, duhej dhe një spiun (ku humbën gjithë ata, ku gëlojne sot si kërpudha mbi gjak dhe kalbëzim martirësh). Ai, gjoja dezertor, quhej Sinon, (që do të thotë “mushkonjë”, “fatkeqësi”), edhe emri s’ish i vërtetë, por pseudonim, si “Nepërka”, apo “Penicilina”, fituar në fushën e betejës, me helm, jo me gjak. Ruajna Zot, nga ata që bien dhurata mikluese. Kush tjetër duhet të na ruajë, vetja?

Troja, Strategjia e Tradhëtisë, fare e thjeshtë. Brenda Kalit asnjeri, ata ishin tashmë brenda mureve. Kali ishte lojë, cytje për dehje, argëtim, (s’ka më mirë se seksi pas një beteje të fituar).

…Sinjalin me pishtar, flotës së fshehur greke në ishullin Tenedos, e dha Spiuni. Ushtria për shtatë orë ishte brenda në Trojë. Në ora dy pas mes nate, në një ditë Maji, filloi gjëma, që ende vazhdon. Pati një debat të rreptë midis dy grupeve: pro dhe kundër armikut, pro dhe kundër luftës. Priami që rrinte gjithmonë i ngrehur, dhe pse me dhimbje në qafën e tendosur, qëlloi me sandalle Enean, që ish kundër pranimit të Kalit, duke i thënë se si i deklasuar, kurrë nuk do e merrte fronin edhe sikur Troja të bëhej shkrumb e hi. Gjërat nuk u qetësuan dhe kur në mes të parlamentit u fut Kasandra e virgjër, se nuk ia varte njeri, nga q’ish e marrë. Ah, Laokonti! Ai vdiq bashkë me të bijtë, (armik, poliagjent, që duhej t’i zhdukej fara) dhe për nga përmendorja, e zbuluar shekuj më vonë, duhet të qenë vrarë me një helm të ngadaltë, siç tregohej nga spërdredhja e trupit, sikur po i mbysnin gjarpërinjtë e dërguar nga Athina,(Ethena). Kali hyri brenda ngadalë, e futën vetë trojanët, me urdhër të Priam kryelartit. Sinoni i bindi që grekët ikën të mundur. Helena, po, po ajo Helenë e bukur, që i grabiti arin shtetit dhe nderin burrit ia hodhi në plehra, i siguroi, që Kali ishte barkzbrazët. Patën disa probleme deri sa më në fund, koka dhe pastaj i gjithi hyri brenda mureve të lartë, deri atëhere të pamposhtur. Faji ish i Priamit, mbret i gjithfuqishëm, se helmoi Laokontin, përbuzi Kasandrën, shporri Enean e të tjerët si ai? Demokraci i thënçin! Si mund të parandalohej e gjitha kjo? Me debat shoqëror, ku dëgjohet, flitet dhe më pas s’bëhet asgjë? (Odiseu kishte kohë që flinte me Kasandrën brenda në tempull.) A kanë faj ata të shumtët, që nuk u përzjenë me asnjë palë? Po sikur të kishin folur? Sikur të kishin zgjedhur një palë? Gjëmëkrimi, Lufte e ashpër? S’mund të veprohej ndryshe: qytetet armike rrafshoheshin, popullata çfarosej, çnderohej të mbante këlyshët e fitimtarëve dhe skllavërohej. Shembuj? Gjermanët dhe fitimtarë të tjerë pas LIIB, Kosova, Bosnja e tjerë. E njëjta gjë ndodhi dhe për grupe të veçanta etnike dhe politike, genocidin e të cilëve pas nacional-socialistëve e bënë nacional-komunistët. Menelau filloi gjakmarrjen duke vrarë burrin e dytë të Helenës, Defilobusin, vëllai i Parisi. Djali i Akillit, Neoptolemus therri Agenorën, Astynusin, Eionin dhe vetë Priamin tek altari i Zeusit, ku kërkoi strehë. E tradhëtoi Zoti, të cilit iu përkushtua. Gruan e Hektorit, Andromakën e mori Neoptolemeu, Agamemnoni Kasandrën, Polikseni iu flijua hijes së Akilit dhe Odisea i matur, flaku nga muret e Trojës të birin e Hektorit, Astianaksin, të mos rritej dhe të merrte hak. Pleqtë i lanë të vdisnin ngadalë, të tregonin tmerrin. Mbasi ngarkuan nëpër anije të plagosur e te vdekur, plaçkën e plandosur, një zinxhirr i gjatë robërish, që zvarritej nga Troja deri në breg, njerëz lakuriq duart të lidhura nga mbrapa, me zgjedha prej druri në qafë, u nda midis luftëtarëve. Prijësit morën më të vlefshmit. Ligj i pashkruar, ligj i pandryshuar. “I marrë ai, që në plaçkitjen e qyteteve, tempuj të prishur lë, varre, faltoret e të vdekurve! Ai, që shkreti mbjell, shkatërrim korr dhe dhimbje!”* Ç’nëmë? A ishin grekët që e sollën, apo vetë ne mbi vete? Ish mashtrimi e grekëve, apo besimi i verbër? Çmimi ishte i lartë. Paguhet edhe sot! Gjëmë qe për të gjithë.

Të ikurit.

Të gjitha këto i mendonte Enea, nën peshën e të atit, Ankisit, që mbante mbi sup, si rënkimin dhe dënesën, që here-herë shuhej e here-herë ringjallej thellë brenda tij, herë si vaj e herë si duf urrejtjeje, i rëndë, si mburoja e thyer që ende mbante emblemën e fitores mbi shpinën e bronztë. Fati i Laokontit, e kish bërë të qartë, për atë, që kish qenë gjithë jetën i persekutuar, dhe pse me gjak mbretëror, sojli dhe i fisëm, që po ngjitej në malin e Idës, me liqene ujëkthjellët si të Lurës, për t’i shpëtuar masakrës.

Virgjili i Dantes, thotë që Enea, megjithatë, vazhdoi të luftonte deri në fund, por kjo ngjase është pak e besueshme, se donte të flijohej për atë mbret plak, as për atdheun, i cili nuk i dha asgjë! Vendlindja për Enean, qe atje poshtë në luginën e Dardanisë, tek këmbët e Idës, aty, ku u bashkuan të gjithë ata që kishin “shpëtuar”, si armenët e fundit në malin Musa Aga. Aty, i ati me perëndeshën e Agut, Afërditën, në ato net plot yje e ngjizën me aq dashuri. Në ato shpate gjuajti egërsira dhe vrapoi pas kuajve të egër. Ku më mirë se aty mund të mbrohej, se në atë gji nëne, nga buronte lumi i magjishëm Skamenderr. Por tashmë, fundit dhe e ardhmja ish fare e qartë. S’kish mbetur më asgjë, as dhe një shpresë për të ndërtuar një jetë të re, aty midis gërmadhave. Duhej forcë e mbinatyrshme të kthente Trojën e rrafshuar? Të rrinte aty skllav sundimtar i një padrejtësie? Pse? Për çfarë? Ku do ngrihej Troja e Re? Përtej detit? Përtej mendësisë që e rrënoi? …ndërkohë në Trojë, rrugët e ngushta ishin bllokuar me trupa të vdekurish, lebetitjet në arrati, vërtiteshin si huta mbi trarët e djegur. Vajtimet çjerrëse të fëmijve shkelur në gjak balte, ankimet dhe grahmat gërrhima, blegerimat dhe ulërimat e kafshëve që digjeshin mbyllur në hauret poshtë shtëpive, të ngjethnin mishtë, si era e trupave të shkrumbuar. Fërshëllimi i ushtave prej bronzi, ngulçi i gjakut nga qafat e gjymtyrët e prera shpërndarë gjithandej nga qen dhe uqër të uritur që kishin zbritur nga mali, tërhequr nga kundërmimi i gjahut të vdekur. Kërcitja e largët e shpatave të fundit rrinte varur mbi qiellin e kthjellët pa asnjë re, grisur nga ajo tymnajë shpirtërash që s’dinte nga të shkonte…. Gjunjëzuar në një udhëkryq, një luftëtar larë në gjak, qante mbi një grumbull krahësh dhe këmbësh të prera, një bust pa kokë dhe një ushtë të thyer. Një përkrenare e shqyer qëndronte mbi to, në një gropë të cekët rrethuar me gurë. Gjaku tashme i tharë nga dielli, që nxitonte të fshihej, kish filluar të zbehej. Por ai ushtar, mbledhur copa-copa, atij që nuk mund t’i vihej një emër, se ishte më shumë se një dhe më pak, por jo asgjë, që në një betejë mund të ishte çdo njeri nga ne, lindi aty nga ato mbetje kufomash, Ushtari i Panjohur, simboli i të gjithë atyre që s’duhej të harroheshin. Që të mos përsëritej më. Kurrë më. (Kështu kishin thënë shekull pas shekulli, dhe prapë e njëjta gjë, se askush s’lëvizte. Askush s’fliste e as mendonte më!) Çfarë tjetër? Por të gjithë, të gjithë, grekë dhe dardanë, pellazgë dhe helëne, besnikë dhe të pabesë, thellë në ndërgjegjen e tyre kërkonin përgjigje: “Ç’duhet bërë?“ Shumë u kthyhen, të ndërtojnë. Gjetën aty plot të tjerë që i prisnin…

*Poseidoni. Euripidi, Bijat e Trojës.

 

 

Please follow and like us: