Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Ikja e profesorit

fragment

 

Korridori i spitalit mbytej nga një qetësi e rreme, pasi sapo shtyje një derë shikoje plot njerëz nëpër dhoma. Të sëmurë dhe familjarë që u rrinin në kokë. Disa ulur në fund të krevatit, ca të tjerë në ato tavolinat e vogla pranë derës. Më në fund e gjeti. Enjani hapi sytë i lodhur. Qe bërë thuajse kufomë. Ngjyrë gati e jeshiltë, madje edhe flokët aq të zinj i dukeshin si shtupa të një furçe bojëvaji të palarë. E pa Markon me dëshirën e një zemre që kërkon ta përqafojë. T’i thojë diçka por një soj gaforreje i ka kapur gojën. Ia ka kapur në ngërç muskujt poshtë nofullave. Ata muskuj vertikal përgjatë qafës. I pengon edhe frymëmarrjen. Do të ngrihet nuk mundet, do të kthehet nuk mundet. Nga ana tjetër ca fijëza djerse nga pas shpinës lyrëbojnë dyshekun e ashpër. Duket sikur vrapojnë të qullosin gjithçka si e si t’ia bëjnë më të vështirë mundin.
Sakaq afrohet një grua që i kontrollon tubat e serumit, i fut duart gjithandej pastaj del e vjen prapë më një tip çarçafi. I heq atë të lagurin e i vendos atë të fresktin. Enjani kënaqet, sytë e tij gjallojnë për pak. Më pas vriten prapë si me dorë. E dëshmon duke i picërruar, duke ia holluar atë vijën e qosheve prej kinezi. Pastaj e kap për pak një gjumë i lehtë. Aq sa Markos i mjafton për të fshirë lotët. Do të ngrihet, por ndjen se mësuesi i ka kapur dorën. Mbeti. Nuk mund të ngrihej. Po të ngrihej, e zgjonte. E pa prapë. Iu kujtua shkolla, stilografi rregjistri. Shokët kur thoshin se këtë orë kemi mësim me kinezin. Edhe ai e dinte, kishte rastisur me qindra herë të hynte kur ndonjëri bërtiste kinezi ej. Qeshte, tregonte dhëmbët e tij të bardhë e të rregullt. U thoshte ”mos i harxhoni energjitë djema se jeta është shumë e gjatë. Do u duhen për më tutje”. Pastaj do të tregonte se çfarë ishte jeta. Ashtu me atë zërin e babaxhanit. Një përpjekje. Rrëfente sikur ta kishte përpra syve Sizifin që ngjiste gurët. Klasa bëhej e gjitha mbrëmje, pastaj errësirë. Në dërrasën e zezë përmes gojës së kinezit dilnin prozhektorë që shfaqnin në mur një figurë si Tarzani i xhunglës i cili ngjiste gurin në një vijë malore. Dukej si një film kartonash. E ngjiste, e vendoste, por guri rrokullisej mbrapsht.
Çfarë mund t’i thoshte? Çfarë mund të bënte që të ndalte atë brerje veshkash që po e hante me ritëm galopant? Çfarë? A mund të ulërinte? Po mundej. Por nga ana tjetër u kujtua se ajo grimë qetësie, brenda asaj zjarrmie trupore duhej të qe feja vet. Një gotë uji e freskët, qelq i dëlirë, brizë jetë. Dhe Sizifit do t’i jepte mundësinë të përtërinte forcat. Të luftonte përsëri. Të mundte të pamundurën. Ndaj nuk u ndje. Qau duke shpresuar tek mrekullia. Duke ëndërruar një pranverë që harbon nga ngjyrat dhe zogjtë. Shëtitjen tyre me klasën dikur. Me atë në mes. Andej nga livadhet buzë lumit ku bulëronin kaçet dhe kamomili. Shakatë, lojrat me litar, lisharsi. Një eksursion me klasën në qytetet e bregut të detit. Shkuan një radhe në Durrës. Marko mbajti mend se si u kënaqën me një lloj pije që quhej bozë. Destinacioni qe porti. Të shikonin anijet që vinin dhe ato që iknin. U ngjitën në njërën prej tyre dhe ndenjën e panë se si krahët e vinçave, si feçka elefantësh, fusnin ato kthetrat metalike brenda hambarëve me grurë. Panë edhe kabinën e drejtimit, fushën e detit, vijën e horizontit ku humbin anijet që iknin. Mirëpo kur zbritën poshtë, zuri tu përkundej edhe platforma e molos. Toka në përgjithësi.
-Ore djema, mos pimë gjë raki ne që po na merren këmbët, -tha mësuesi dhe ata qeshën me të madhe.
Vërtet që po u lëkundej. Më pas të gjithë u kujtuan se e kishin nga qëndrimi i gjatë në anije. Por që gjithsesi qe një eksperiencë fantastike.
Ndërkohë në dhomë hyri gruaja. I vuri dorën Markos në sup. Djali u kthye disi i trembur. Edhe mësuesi hapi sytë. I tërhoqi dorën Markos. Kërkonte që të afrohej. Të ulte kokën. Të afronte veshin. Dhe ai ashtu bëri, gjithë delikatesë duke mos dashur të zhurmojë aspak në botë ku kolovitej sëmundja e keqe. E vendosi veshin. Mbajti frymën. I erdhi si një bubullimë një grup rendor fjalësh. ”Të lutem, merre ti rrogën time pasnesër dhe ktheja Lecit ato lekët që i dha doktorit dhe infermieres për mua. Nuk dua të vdes me borxhe.” – tha mbylli sytë për të fjetur.
Marko qau pa zë. Shikoi të shoqen dhe psherëtiu me dhimbje sikur të t’i kishte rënë për tokë një copë zemre. Nuk i mbajti dot lotët. Iu njomën faqet. Një sumbull i tyre ra sipër fëshes së zezë. Shpejt u bë vrratë për shkak se thithi mbushja prej leshi nën ‘të. Më shumë se larja e borxhit, qe përmendja e vdekjes. Si mund të vdiste ai njeri. Ai ishte për paqen, për dashurinë, për jetën. Si mund të vdiste një njeri i tillë. Vdekja duhet të jetë një lloj katrashtrige që i zgjedh njerëzit. Duket sikur i ka në tavolinë dhe ata që nuk shkojnë me oreksin e saj, i ha po me mënyrat e saj. Dikujt i sulmon zemrën, dikujt veshkën, dikujt, mëlçinë. Dikujt trurin. Dikë më keq, nuk e vdes, por e torturon. I këput një paralizë shtrati që të shikojë fytyrën e saj gati për çdo grimë jete. Ndërsa lë të gëzojnë shëndet të plot ata që duan të vriten, të vrasin, të krijojnë medoemos një soj konflikti, ku kurrë të mos mungojnë viktimat.
-Mirë, – bëlbëzoi ai.
Atëhere profesori i lëshoi dorën.
-Të më falësh bir, por tani dua të qetësohem, – i tha.
Marko u ngrit duke kafshuar buzët. Ai aty në shtrat humbi në ca dhimbje që po deformonin pak e nga pak. Nuk i funksionin veshkat. I vetmi shpëtim qe transplanti. Me sa ishte në dijeni Marko, një i njohuri i tij po trokiste dyrve të Ministrisë së Shëndetësisë, me shpresë që ta nisnin në ndonjë klinikë speciale jashtë shtetit. Kështu thanë. Por sapo përmendeshin shpenzimet e mëdha, të gjithë strukeshin. Nga ana tjetër ministrat nuk dinin se ku kishin kokën. Vendi qe përfshirë në replika të ashpra politike. Kësisoj humanizmi qe gjëja e fundit në ato ditë të ekzistencës. Profesori i tij dukej si një shishe plastike në atë det dallgësh. dallgët, kridheshin, shkumoseshin, përdridheshin. Kurse shishja e vogël përkundej sa andej e këndej, duke mos mundur dot të arrinte pushimin ranor. Shkurt, mjerë ai që kishte hall.
-Çfarë të tha? – e pyeti gruaja.
Qe firuar edhe ajo, qe bërë një filiz sa i dukeshin damarët e qafës.
-Punë shokësh, – ia ktheu Marko me të ulët. Fshiu sytë dhe shkoi e ul në shtratin tjetër.
Përjashta ndrinte një diell i pastër, një ajër i kullur, kishin çelur bajamet. Një kopësht përtej rozte i tëri. Se si rrezatonin në atë thellësinë e dritës blu. Të gjalla, deri në një botë më të mirë se ajo aty.

Please follow and like us: