Albspirit

Media/News/Publishing

Islami dhe myslimanët në Gjermani kujt i përkasin?

Mimoza Kelmendi
“Krishtërimi i përket padyshim Gjermanisë, Judaizmi i takon pa dyshim Gjermanisë, kjo është historia jonë e krishterë-hebraike, por nderkohe Islami tani i përket Gjermanisë”, pati deklaruar ish Presidenti gjerman Christian Wulff, në Tetor 2010 duke krijuar shumë reagime në publik. Ndërkohë  ministri i Brendshëm i sapoemëruar, Horst Seehofer, tashmë e ka rindezur këtë debat të vjetër duke deklaruar se: “Islami nuk i përket Gjermanisë”. Në fakt ky pozicion i ish kryeministrit të Bavarisë nuk është i ri, ashtu sikurse dihen edhe deklaratat e shumta të krerëve të lartë të politikës gjermane në tetë vitet e  fundit lidhur me Islamin. Interpretimet shpesh janë tepruar duke na ofruar debate të kota dhe pa vlerë. Fundja në Gjermani sundon liria e fesë dhe  njerëzit e besimit mysliman, pjesa më e madhe e të cilëve kanë lindur në këtë vend, natyrisht i përkasin Gjermanisë.Pse?Aktualisht në Gjermani jetojnë rreth 5 milionë muslimanë. Këto janë më shumë se pesë përqind e popullsisë gjermane. Afro gjysma e tyre (45 përqind) janë nënshtetas gjermanë, 55 përqind kanë pasaportë të huaj. Megjithatë Islami nuk është autokton gjerman, sepse muslimanët kanë qenë pjesë e Gjermanisë që nga viti 1961, kur erdhën ne kete vend punëtorët emigrantë turq (Gastarbeiter). Fillimisht punëtorët emigrantë mendonin se do të qëndronin përkohësisht. Kështu edhe ushtrimi i fesë së tyre në atë kohë kishte vetëm një karakter provizor. Në shumicën e rasteve u ishin krijuar kushte për lutje në banesat, ku jetonin, pranë ndërmarrjeve. Kjo ndryshoi në vitin 1973, kur qeveria gjermane ndaloi marrjen e emigrantëve. Muslimanët nuk mund të shkonin e të vinin më ndërmjet Gjermanisë dhe atdheut të tyre. Shumë prej tyre qëndruan në Gjermani dhe tërhoqën edhe familjet. Që nga ky moment mund të flitet për jetë në bashkësi fetare ku u themeluan edhe Shoqatat muslimane, u ndërtuan xhamitë etjer.

Xhamia e parë u krijua në vitet njëzetë në Berlin-Wilmersdorf. Për studentët nga bota islame u ndërtuan fillimisht xhami në qëndrat universitare në Hamburg, Mynih, Aachen. Më pas edhe në shumë qytete të tjera. Sot numerohen gjithësej 2750 xhami (xhami klasike me kupolë dhe minare dhe shtëpi lutjeje), por ekzistojne 45.600 kisha dhe 130 Sinagoga. Xhamia më e madhe është në Këln me një sipërfaqe prej rreth 16.500 m² dhe një hapësirë për lutje për 1200 besimtarë. Shumë ekspertë të fesë islame nuk shohin tek minaretë simbole pushteti, por një shenjë reprezantative.

Në Gjermani ekziston liria fetare – kushdo që i përmbahet ligjit lejohet të besojë dhe të bëjë siç i pëlqen. Ajo që nuk funksionon është islamizmi radikal, por ky është një problem kriminal, jo fetar. Meqenëse feja islame ka qenë gjithmonë një fëmijë i epokës së vet dhe teologjia islamike është një produkt i pushtetit politik, shteti dhe shoqëria duhet të bëjnë gjithçka, që europianizimi i islamit të shpejtohet. Fundja, edhe muslimanët i përkasin Gjermanisë apo Europës, sepse ata jetojnë këtu, kanë lindur këtu, sikurse katolikët, protestantët, ateistët që i përkasin Gjermanisë apo Europës. Ajo që ka vlerë aktuale dhe me perspektivë është bashkëjetesa e paqtë mes njerëzve pavarësisht fesë, kombësisë apo ngjyrës së lëkurës. Pavarësisht nga origjina e tyre, njerëzit sot në Gjermani dhe kudo kanë nevojë të jetojnë në paqe. Ndasitë fetare kthehen dikur në: Shumë zhurmë për asgjë.

Please follow and like us: