Albspirit

Media/News/Publishing

Ngriva në këmbë. Miku im, shoku i fëmijërisë, Genci, nuk jetonte më…

 Kujtim Cekani
Ngriva në këmbë. Miku im, shoku i fëmijërisë, Genci, nuk jetonte më…Dhe ç’fund mizor që kishte patur! O Zot!…shkrim nga nje bashke kohes e mik i Genc Lekes…

 

korrik 1977… 17 korrik 2013.
Plot 36 vjet më pare, në një natë të tillë, Diktatura vuri para skuadrës së pushkatimit dy poetë, Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin… Zjarr!
Dhe këngët e pakënduara u drodhën e mbetën!…
Artikuj e libra u shkruan për dy poetët tanë. Të tjerë e të tjerë do të shkruhen…
Lexoj në njërin prej tyre biografinë:
…Genc Leka u lind më 23 mars 1941 në Bërzeshtë… I ati, Bardhoja, qe kryellogaritar në seksionin e tregtisë në Librazhd. Familjen nuk e shkulte nga Bërzeshta. Më 1950 u arratis në Jugosllavi…Genci shkollën fillore dhe atë shtatëvjeçare i kreu në fshat… Në vitet 1957-61 ndoqi shkollën pedagogjike të Elbasanit dhe pastaj e emëruan mësues në Zdrajsh, në krahinën e Çermenikës…
Vë gishtin në tamthe e humbas në mendime… Janë mbresa e kujtime që më gëlojnë prej kohësh në kokë dhe kërkojnë të marrin udhë.
Vilsonin nuk e pata njohur, Gencin po. Me të kam qenë shok fëmijërie në qytetin e vogël të Librazhdit…

2.
…Im atë telegrafist, punonjës i PTT-s Elbasan, në vitet ’40 qe dërguar nëpunës në trevat shqiptare që 1913-a ua dha Serbisë e Maqedonisë. Punoi drejtor i PTT-s në Tetovë disa vjet. Më tej u kthye këtej kufirit, përgjegjës në PTT-n e Qukësit, që në atë kohë ishte qendër administrative e zonës. Kur e la Qukësin dhe e emëruan drejtor në PTT-n e Librazhdit, tërhoqi aty edhe familjen nga Elbasani. Kësisoj, edhe unë një pjesë të fëmijërisë i kalova në qytetin e vogël buzë Shkumbinit.
Librazhdi… Një qytet kodrinor me qendër kryqëzimin e tri rrugëve automobilistike që të çonin në Pogradec, në Elbasan e në Peshkopi. Një qytet që gjallërohej vetëm rreth orës 11 paradite, kur vinin tri satat (autobusat e shoqërisë italiane SATA) nga Korça tranzit për në Elbasan, si dhe rreth orës 3 pasdite, kur ato ktheheshin për në Korçë. Ndalonin aty, te Kafja e Popës me tendë rrushi përpara, dhe udhëtarët zbrisnin një çast e pushonin.
Ishin vitet e para të Pasçlirimit. Librazhdi nuk kishte as ujë të pishëm. Verës, buzëmbrëmjeve, bëhej një varg i gjatë njerëzish, sidomos me gra e fëmijë, të cilët me enë në duar, ca shkonin e ca vinin; mbushnin ujë të ftohtë përtej lumit të dobësuar, në burimin pranë shtëpive të fisit Çota. Në ato vite mbaj mend që u ndërtua ujësjellësi i parë i qytetit. Hapën kanalin më tepër me punë vullnetare dhe shtruan në të qyngje hekuri me diametër rreth 20-30 centimetra. Sollën ujin në mes të qytetit, pranë vilës së bukur dykatshe të Kozajve.
Në kujtesë më nëpërmenden edhe mbrëmjet e ngrohta kur të rinjtë dhe burrat e qytetit shkonin te përroi i Shejes, të cilin netëve e rrihte peshku dhe sajonin hurdha e prita me gurë e zaje për të gjuajtur. (Në sezonin e shumimit peshqit udhëtonin në tufa nga lumi i Shkumbinit përpjetë rrjedhës për të vendosur vezët e tyre).
Ishin vitet kur ura e vjetër prej druri, e mplakur dhe e shkatërruar nga Lufta do t’ia linte vendin asaj prej betoni. Ishin vitet kur me tamtame vendosej i ashtuquajturi Pushtet Popullor. Për administratën e tij qe caktuar ndërtesa e madhe me tërë ato shkallë guri. Për ta larë e pastruar atë u thirrën në punë vullnetare gratë e qytetit. Nga ai aksion ruaj ende një foto ku kam dalë me ato gra, pranë mamasë sime, edhe unë 3-4 vjeçari me gjymçe në dorë…
Asaj kohe qyteti i Librazhdit kishte vetëm disa ndërtesa kryesore: Spitali, Posta, Policia, Shkolla… Shkolla jonë, e tipit italian a jugosllav siç duket, ngritur vetëm me binarë druri, brenda e jashtë me parete prej kartoni të fortë, të presuar. Në atë ndërtesë përrallore kreva edhe unë dy-tri klasët e para të fillores. Aty u njoha edhe me Gencin.
Pasditet i kalonim bashkë. Se, më tepër se shkolla, na miqësoi fqinjësia e familjeve tona… Ato për njëfarë kohe banonin në të njëjtën ndërtesë, e cila ndodhej pranë Shkumbinit dhe Urës së re që po ndërtohej, ndanë xhadesë që të çonte për në Elbasan. Më kujtohen si nëpër mjegull nëna e Gencit, nënë Gjiska, si dhe dy motrat e tij – Manushaqja dhe Rekoja. Në dhomën ngjitur qe strehuar familja jonë dhe, në anën tjetër, familja e Met Ishes ose Met Hasës, një burri trupmadh e me një deng mustaqe, i cili më shumë rrinte xurxull sesa i kthjellët. Kishte dy çuna: Bujarin e Xhafën. Por unë më tepër lozja me Gencin dhe herë-herë na shoqëronin edhe vajzat: ime motër dhe Manushaqja.
Genci, një djalë në fytyrën e të cilit të binin menjëherë në sy buzët e fryra mishtore, ishte nja dy vjet më i madh se unë 1). Mbaj mend që njëherë – duhet të ketë qenë viti ’49 – ai më nxiti: “Eja të shkojmë te babi im! Sot është ditë rrogash…”. Iu ngjitëm shkallëve të gurta dhe hymë në korridorin e gjatë të ndërtesës së Komitetit Ekzekutiv, ku punonte i ati i Gencit, Bardhoja. U futëm në zyrën e tij. Burri i bëshëm na priti ëmbël duke na përkëdhelur kryet dhe, tek na përcolli, na dha të dyve nga një kartëmonedhë kuqaloshe dhjetëlekshe, të hekurosur e fringo të re, që kërciste kërc-fërc po ta përthyeje. Me to në duar fluturuam tatëpjetë shkallëve dhe vrapin e mbajtëm te Fusha e Rinisë. Ishte ditë pazari (e enjte, siç duket) dhe aty kishin zbritur fshatarët e trevave përreth me prodhimet e tyre. Ata nuk e njihnin atë kartëmonedhë të sapohedhur në qarkullim dhe na kthenin prapë. Por u gjend edhe një që na besoi (apo që i pëlqeu paraja e re) dhe, në këmbim, na i mbushi duart me rrush rezaki, kokërrmadh e kokërrfortë, ngjyrë të kuqërremtë, të cilët i hëngrëm duke fërkuar barkun nga kënaqësia…
Kësisoj, më duket se po saktësoj bindshëm këtu edhe ndonjë vit ose ndonjë të dhënë tjetër të biografisë së Genc Lekës. Në të thuhet se Bardhoja nuk e shkulte familjen e tij nga Bërzeshta dhe Genci shkollën 7-vjeçare e kreu në fshatin e lindjes. Kjo nuk është plotësisht e saktë. Bardhoja e pati “shkulur” familjen e tij nga fshati dhe Genci në fillim disa klasë të fillores i kreu në Librazhd. Vetëm pasi iu arratis i ati (viti 1950, mesa marr vesh tani) familja e tij duhet të jetë sikterisur nga qyteti i vogël i Librazhdit…
Në verën e vitit 1953 im atë ngarkoi laçkë e plaçkë në karrocerinë e një “Skode” dhe, së bashku me familjen, u kthyem rishtazi në vendlindje, në Elbasan…

3.
Njëmbëdhjetë vjet më vonë, në verën e 1964-s, pasi mbarova Institutin Pedagogjik të Shkodrës në degën matematikë-fizikë, mua Ministria e Arsimit më emëroi në rrethin e Librazhdit. Aty më degdisën në zonën e thellë malore të Çermenikës, drejtor në shkollën e qendrës. Ndërtesa e saj ishte në lagjen Gurrë-Gegë, një ngrehinë solide me mur guri që nga koha e Zogut dhe e Italisë. Në të djathtë të saj ndodhej një burim ujëftohtë, përballë një lëndinë e bukur e blertë dhe një pyll i vogël me drurë të lartë e të moçëm dushku. Prapa, jo shumë larg shkollës ndodhej një liqen karstik…
Kjo shkollë thithte fëmijët e fshatrave Orenjë, Floq e Zdrajsh. Aty ishte edhe qendra e lokalitetit dhe Posta e Policisë. Në vitin shkollor 1964-65, kur shërbeva unë si drejtor i saj, qendër e lokalitetit ishte bërë Zdrajshi, por Posta e Policisë e gjithë zonës ende qëndronte në Gurrë-Gegë, jo shumë larg shkollës, në të majtë të saj, dhe ne arsimtarët kishin shoqëri me tre-katër policët që shërbenin aty.
Me kohë mora vesh që në shkollën tonë më parë kishte qenë mësues edhe Genc Leka. Koleg me Hysen Sejdinin që buzëmbrëmjeve i binte kitarës me jone të ëmbla dhe Genci i kushtoi “Sonetin e kujtimit”; koleg me mësuesin Ryzhdi Çiftja, të cilit gjithashtu i pëlqente të shkruante dhe, sa shihte ndonjë vjershë të Gencit në gazetën “Letrari i Ri” në korridor të shkollës, nxitonte të krijonte e të afishonte diçka tjetër me të njëjtën temë për ta konkuruar. (Pra, edhe një saktësim tjetër në biografinë e Gencit: pasi mbaroi shkollën e mesme në Elbasan, ai u emërua mësues në Orenjë e jo në Zdrajash, siç përmendet gjithëhera për të). Nuk di sesa shërbeu Genci aty, një apo dy vjet, por kur shkova unë, nuk e gjeta më; qe transferuar në shkollën e Zdrajshit.
Kisha dëshirë të takohesha me shokun tim të fëmijërisë dhe rasti më erdhi.
Një ditë, tek isha duke sajuar një radiogalenë në atë vend pa rrymë elektrike, – 16 mars i viti 1965 duhet të ketë qenë siç e llogaris tani 2), – më vjen përgjegjësi i Postës së Policisë dhe më thotë që të nisja një nxënës të rritur për në Zdrajsh. Të lajmëronte mësuesin elbasanas Emin Haxhiademi se i kishte vdekur i ati (Zona e Çermenikës vetëm një telefon kishte, atë të Postës së Policisë). I ati i Eminit ishte Ethem Haxhiademi… Për të kisha dëgjuar e mësuar se qe shkrimtar reaksionar, i burgosur që në vitin 1947.
Lajmin e vdekjes së tij, të birit – Eminit, unë nuk ia dërgova me nxënës, por u nisa vetë për në Zdrajsh. Udhëtuam me nxënësin shoqërues gati dy orë derisa arritëm në shkollën e atij fshati. Ishte pasdite dhe mësimi kishte përfunduar. Takova mësues Eminin:
– Më fal që po njihemi në kushte të tilla dhe që më duhet të të sjell një lajm të hidhur…
Emini u zverdh nga ajo vdekje e papritur në burgun e Burrelit. Babait të tij 63-vjeçar edhe 6 muaj i kishin ngelur që të plotësonte vitet e dënimit…
U nis qysh atë çast për në Elbasan.
Ndërsa unë kërkova më tej shtëpinë ku qe strehuar mësuesi Genc Leka.

4.
U takuam e u përqafuam me Gencin. Nga fytyra e dikurshme fëmijërore, që tani ishte hequr ca, munda të dalloj vetëm atë buzën e poshtme të trashë e tërë tul. Tani ai ishte burrëruar, qe bërë mësues, qe martuar. Madje, gruaja e tij mbante në krahë frytin e asaj familjeje të re, një foshnje motake, Petrikën, ose Tikën siç e thërritnin.
Genci nuk më la të merrja rrugën e kthimit atë mbrëmje.
– Sonte do të qëndrosh këtu,- më tha.- Dua të çmallemi duke kujtuar vitet e fëmijërisë sonë të Librazhdit.
E kundërshtova, por pa dobi. U largua për një çast. Kur u kthye mbante një pulë a gjel të therur ndër duar. E kishte zënë në qymezin e tyre pas ndërtesës. Ia mori të shoqes djalin nga krahët dhe i tha ta gatuante për darkë, se… edhe do të pinte një gotë me mikun.
Mikpritja tani qe bërë fakt dhe këmbëngulja ime ishte e tepërt…
Pranë zjarrit ndenjëm vonë atë natë. Pothuajse e gdhimë.
Genci më tregoi për peripecitë e familjes së tij: të nënës, të dy motrave dhe të vetat. Pas arratisjes së të atit, të gjithë i kishin përndjekur, i kishin kthyer në fshat, në Bërzeshtë. Megjithatë, me përpjekje të mëdha, Genci kishte mundur të mbaronte shkollën e mesme pedagogjike të Elbasanit. Kishte dalë mësues, qe njohur me Zhulin, një vajzë të deklasuar, e bija e ish-prefektit të Korçës në kohën e mbretit Zog, të cilën e kishin syrdisur mësuese në ato anë. Patën lidhur fatet së bashku, patën formuar familje…
Fjala ra pastaj te pasioni i Gencit, letërsia. Tani, krahas punës si mësues, mundohej të shkruante, të thurte ndonjë poezi.
Më recitoi disa nga vjershat që kishte krijuar:

– Ky oxhak e dogj një pyll të tërë,
Ky oxhak ka parë ngjarje shumë…

Genci më tha se kishte lidhje me ata të gazetave. Më përmendi me respekt emrin e redaktorit Xhevat Beqaraj me të cilin mbante korrespondencë. Nuk e kishte patur të lehtë të botonte te faqja e “Letrarit të ri”. Krijimet e para ia kishin kthyer me shënimin se poezitë çalonin nga ana metrike. U revoltova, tregoi Genci, dhe i ktheva menjëherë përgjigje. Mora njërën prej atyre vjershave “që çalonin” dhe e analizova varg për varg: masën në rrokje, rimat, theksat ritmikë, figurat letrare… Ma botuan atë vjershë dhe disa të tjera. Te “Zëri i rinisë” e te “Pionieri” 3).
Më recitoi poezinë e botuar “Lumes”, të cilën ia kishte kushtuar partizanes dëshmore Shejnaze Juka (ajo e mbante këtë pseudonim), që kishte milituar gjatë viteve të Luftës atyre anëve dhe pati rënë në Zdrajsh; emrin e saj mbante edhe shkolla e fshatit..
I erdhi radha një poezie për fluturën, e cila përcëllohet duke u sjellë rreth dritës, poçit të llambës me vajguri. Kjo flutur jam unë, tha, që hoqa aq shumë dhe sakrifikova për të marrë dritën e arsimit, shkollën pedagogjike. I jashtëm, se konvikti nuk më pranonte. Herë me bukë e herë me barkun bosh rrija deri vonë përkulur mbi libra…
Në vjershën “Kjo rrugë” kishte parasysh udhën që bënte nga shkolla e Gurrë-Gegës për të shkuar në Librazhd. Ajo zbriste poshtë, në zallin e përroit të Gurakuqit që bashkohej me zallin e Shmilit dhe formonin zallin e Kutërmanit, i cili derdhej në Rrapun (degë e djathtë e lumit Shkumbin, në dalje të Librazhdit) dhe ishte rrugë e bukur, nën degët larushe të rrapave .
Mbaj mend që gjatë bisedës Genci m’u hap:
– Unë shkruaj ca në mënyrë alegorike, por këtë gjë redaktorët nuk ma kanë kapur. Për shembull, kam botuar një vjershë lirike të tillë:

Së largu kësaj nate
dikush po më thërret
…………………… 4)

Ti kujton se unë i këndoj dashurisë, se është vajza, e dashura, ajo që më thërret, kurse unë e kam fjalën për tjetër njeri. Për tim atë, që është larg… Mua më thërret ai… Më mungon im atë, zëri i tij, ngrohtësia e përkujdesja e tij, dashuria e tij…
Prezencën e të atit, megjithëse ai ishte dënuar nga sistemi, Genci mundohej ta evidentonte në çdo rast. Librat e tij mbanin firmën “Genci Bardho Leka” ose “Genci B. Leka”…
Më tregoi se pasioni tjetër i tij qe mbledhja e folklorit të zonës. Ishte bashkëpunëtor i jashtëm dhe mbante lidhje me Institutin e Historisë e të Gjuhësisë në Tiranë. Kishte mbledhur e vazhdonte të përqokte fjalë të rralla, toponimi, zakonet e ritet për gëzime e hidhërime, këngët e dasmës e të vajit në fshatin e vet, Bërzeshtë. Më tregoi me to dy blloqe të trasha të sajuara me fletore, të cilat i kishte lidhur vetë. (Eh, sa u gëzova vite më vonë kur, në revistën “Kultura popullore” nr. 1-2/1993, pashë së pari të botuar studimin e Gencit “Dasma në Bërzeshtë”!)
Më tregoi disa nga letrat që kishte këmbyer me drejtorin e Institutit të Historisë e Gjuhësisë, Prof. Androkli Kostallari. Të tijat ishin vetëm kopje dorëshkrimesh, kurse ato të Tiranës – të daktilografuara, me firma e vula. Atë verë do të merrte pjesë në një ekspeditë leksikografike, organizuar prej atij instituti, por… ata të Seksionit të Arsimit në Librazhd i sillnim pengesa…
Në anën e vatrës tek rrija, në mur ndodhej një kamare. Aty dhe në parvasin e dritares ishin stivosur disa libra. Zgjata dorën dhe mora njërin prej tyre. “G.B. Regnault di VVarin/ Giulieta dhe Romeo/ (Dashnorët e Veronës)/ Shqipëroi: NAFSIKA/ Shtëpia botonjëse “Kristo Luarasi”/ Tiranë 1944”.
U shpreha se nuk dija gjë për botimin e atij libri.
– Merre e lexoje,- më tha Genci.- Është romancë e bukur. Për Romeon e Zhulietën janë shkruar e botuar dhjetëra e dhjetëra libra. Edhe Shekspiri tek ndonjëra prej tyre është mbështetur. Por e ka mrekulluar me artin e vet…
Edhe sot e ruaj atë libër si relike nga shoku im i fëmijërisë.
Biseduam më tej për letërsinë, për shkrimtarët. Së pari fjala ra te Kadareja dhe te vepra e tij e shquar “Gjenerali…”. E ngritëm lart dhe qemë të njëmendjeje se kishim të bënim me një talent të madh.
– O, po nuk ke lexuar një krijim tjetër të tijin ti, botuar te numri i fundit i “Nëntorit”,- u hodh Genci tërë pasion.- Është një tregim i mrekullueshëm për fëmijërinë dhe qytetin e tij të lindjes, Gjirokastrën. “Qyteti i Jugut” titullohet. Çfarë përshkrimesh! Gjithçka është parë me syrin e një fëmije. Sa bukur që përshkruhet shiu netëve, piklat e ujit të animizuara e të personifikuara, që biejnë mbi çati e rrëshqasin rrasave të gurta duke pëshpëritur “Ku po na çojnë? Ku po na çojnë?”. Nëpër qyng gremisen në sterën e thellë që jehon e gjëmon si shpellë. Si përbindësh i stërmoçëm ajo. Gjithashtu, e animizuar: ‘Au!’– ti në grykë të saj… ‘Auuu!’- gulçon ajo, me një zë të inatosur, se po e zgjojnë nga gjumi… Pa le pastaj ato lojërat e fëmijërisë me pulla poste: Na Zvicrën, më jep Kanadanë e ku di unë. Sikur po ndajnë botën. Po, po, më ka mrekulluar ai tregim i gjatë. Mos e lër pa lexuar!
Biseda kaloi te poetët e rinj, te botimet e reja. Genci më lavdëroi sidomos dy libra poetikë të kohëve të fundit: “Lirikat e majit” të Koçi Petritit dhe “Ligjërimet e pyllit” të Jorgo Bllacit. I pari ka gjetje të bukura, më tha. Në një vjershë poeti i ri u drejtohet çunave, fëmijëve çapkënë që hanë kumbulla dhe me bërthamat e tyre gjuajnë vajzat kalimtare. I qorton buzagas ata… Kurse i dyti këndon bukur për vëllanë dëshmor të rënë tej, në pyllin që nuk gjen prehje, po shushurin netëve në errësirë e rrëfen e rrëfen pareshtrur për të…

5.
E ruajta miqësinë e korrespondencën me Gencin edhe më vonë. Shkëmbenim krijime letrare, me vërejtjet tona për njëri-tjetrin.
E mbaj mend Gencin edhe në fillimin e vitit shkollor pasues, në gusht 1965. E mbaj mend se në mbledhjen e përgjithshme me arsimtarët e rrethit më kishin caktuar edhe mua të mbaja një kumtesë, dhënie përvoje, me temë “Si kam punuar unë, si drejtor shkolle 8-vjeçareje, me mësuesit e rinj”. Mbledhja u zhvillua në lokalin e shkollës së mesme të qytetit të Librazhdit (që sot shërben si lokal i shkollës 9-vjeçare “Genc Leka”). Tek përfundoi mbledhja dhe po zbritnim kodrën për në qendër të qytetit, më afrohet Genci dhe më përgëzon për trajtimin e temës…
Pra, atë vit shkollor (1965-66) ai do të fillonte përsëri në radhët e arsimit. Më tutje nuk munda të komunikoj më me mikun tim. Atë vit shkollor u emërova në gjimnazin e Librazhdit, nga ku vitin tjetër mësimor, në mes të dhjetorit 1966, më morën ushtar. Siç mësoj nga kujtimet e Nazmi Seitajt “Ngadhnjim i shpirtit”, edhe Genci e ka kryer shërbimin ushtarak në vitet 1967-68.
Në janar të ’69-s, qeshë kthyer nga ushtria dhe më caktuan në shkollën pa shkëputje nga puna të minierës së hekur-nikelit Bushtricë. Aty u njoha me një minator- nxënës, nga Bërzeshta, me mbiemrin Leka. Gjeta rastin dhe e pyeta për Gencin. Më thotë se e kishte kushëri dhe se punonte në fermë… Nëpërmjet tij gjatë asaj periudhe munda të shkëmbej ndonjë letër me Gencin.

6.
Në vitet 1973-77 punoja redaktor i gazetës lokale “Shkumbini” të Elbasanit. Një ditë më vjen në redaksi me një shkrim në duar një djalë i hijshëm, shtathedhur. Ishte Nazmi Seitaj, teknik në Radio-stacionin e Cërrikut. Ai më tha se ishte shok e mik i Genc Lekës. Qenë njohur e shoqëruar kur Genci kryente ushtrinë në repartin ushtarak të punës, pranë Cërrikut. Ishte disinjator dhe Nazmiu e pati ndihmuar me materiale (bojëra, penela, kartona), si punonjës i klubit të kulturës që ishte. Kësisoj u njohën e u miqësuan. Madje, vazhdonin ta ruanin atë miqësi; ndonjëherë, kur i jepej rasti, Nazmiu shkonte edhe në shtëpi të Gencit në Bërzeshtë. Atje qe njohur edhe me Vilson Blloshmin… Më tej u miqësova edhe unë me Nazmiun, i cili ishte letrar i mirë dhe, sidomos, lexues i pasionuar i rusishtes dhe admirues i muzikës klasike.
Në vjeshtë të vitit ’77, pasi ishim kthyer nga plazhi dhe kishim filluar rishtazi punën, një ditë rastësisht takoj në rrugë Nazmiun dhe, fjala ndoqi fjalën, e pyes nëse e kishte takuar Gencin asaj vere.
– Nuk ditke gjë për të?!…- u çudit Nazmiu.- Gencin e arrestuan qysh vjet dhe e kallën në burg. Në gjyq e dënuan me vdekje dhe para pak kohe… e ekzekutuan, së bashku me kushëririn e tij, Vilson Blloshmin.
Ngriva në këmbë. Miku im, shoku i fëmijërisë, Genci, nuk jetonte më… Dhe ç’fund mizor që kishte patur! O Zot!…
Nazmiu më tha se për ta bëhej fjalë edhe në një artikull në revistën “Në shërbim të popullit”. Tani e tutje as që duhet ta zinim më në gojë emrin e Gencit. Edhe Nazmiu më tregoi se, nga frika se mund ta fajësonin, i kishte hedhur në zjarr të gjitha letrat, korrespondencën dhe krijimet që i kishte dërguar Genci ndër vite.
Të nesërmen nxitova në bibliotekën e qytetit. Mora gjithë koleksionin e revistës që më tregoi Nazmiu dhe në numrin 9, shtator 1977. gjeta shkrimin “Fundi i tyre” (shënime nga salla e gjyqit), që bënte fjalë për Gencin dhe Vilsonin. Genci akuzohej për sabotime në dëm të ekonomisë kooperativiste, gjithashtu për agjitacion e propagandë. Me vjershat e tij të helmosura kërkonte të përmbyste rendin tonë socialist. “Sukseset e mëdha të popullit tonë të udhëhequr nga Partia në ndërtimin socialist, e verbonin…” . Edhe Vilsoni “shpifte për realitetin, shpifte për njeriun e ri, shpifte për jetën e re socialiste”. Ndaj dhe Partia u dha dënimin e merituar…
“Bravo Partisë!” më erdhi të ulërinj fort në kupë të qiellit. Por ironinë time e njomën sytë e përlotur…

7.
…Lexoj e rilexoj poezitë e Gencit e të Vilsonit. Poezi që burojnë nga shpirtra të pastër, që e deshën aq shumë jetën, lirinë. Që e vlerësuan aq shumë artin e fjalës e të muzikës. Që u dridhej zemra për një lule, për një notë muzikore të Bethovenit a të Shtrausit. Që qenë jo vetëm poetë, po edhe përkthyes, studiues të folklorit, shkencëtarë të gjuhës sonë. Që e qëmtuan dhe e mblodhën kënd më kënd atë fjalë, ato këngë, ato doke e zakone…
Lexoj edhe vlerësimin e Prof. Emil Lafe: Dënimi dhe pushkatimi i dy djemve të Bërzeshtës në lulen e rinisë nuk u popullarizua, […]. Ngjarja megjithatë u mor vesh e u përhap mbytur-mbytur, një fjalë sot, një fjalë nesër… Atmosferë inkuzicioni […] Genc Leka nuk ishte armik. Ai ishte njeri i punës, i virtyteve të larta morale. […] Genc Leka është një dëshmor i gjuhës shqipe.
Po, janë fjalë dhe vlerësim i një intelektuali, i një kompetenti të fushës, fjalë që burojnë nga zemra, fjalë që në njëfarë mënyre dënojnë institucionet tona shkencore….
Dhe unë pyes veten: Vërtet, si nuk pati një fletë rekomandimi zyrtar nga Instituti i Gjuhësisë, nga Universiteti i Tiranës?! Si nuk pati një protestë intelektuale, një solidarizim për këta njerëz që e nderonin artin dhe shkencën tonë? Ne, njerëzit e jashtëm e të thjeshtë nuk kishim informacionin e duhur për ta në atë kohë, nuk e dinim dhe nuk e vlerësonim rëndësinë e atyre dy figurave. “Shokët” e Institutit po. Nuk mbante më kot dhjetëra e dhjetëra letra korrespondencë me një copë mësuesi fshati drejtori i Institutit të Gjuhësisë, Prof. Androkli Kostallari. Por një shkresë proteste zyrtare, dy fjalë “Çfarë bëni, more shokë?!” nuk i nisi në instancat e tjera, as për poshtë e as për lart…
Po mirë thonë, faji u bë qyrk e askush s’e veshi!…

8.
Në Gjermani, duke vizituar qytetin Bon, në sheshin pranë një katedraleje ngela syhapur nga një vepër arti. Dy koka të mëdha të skalitura, si të prera e të rëna mbi kalldrëmin e gurtë. Më bëri përshtypje përkrenarja e njërit, si ata të romakëve të lashtë. U interesava për personat që përfaqësonte ai monument dhe mësova se u kushtohej legjonarëve romakë Cassius e Florentius, rënë në emër të kristianizmit… Hej, përse më la mbresa aq të mëdha ai grup skulpturor?!… Ëhë, po, po, sepse më kujtoi memorialin kushtuar poetëve Genci e Vilsoni në Librazhd. Skuptori ynë, Sadik Spahija, i ka vendosur dy kokat e prera nga Diktatura jo mbi kalldrëm, por mbi një copëz pellgu, si mbi ujin e Përroit të Firarit që u drodh nga krismat makabre atë natë vere të vitit 1977…
Në vitet e Demokracisë edhe vetë u mundova të hedh sadopak dritë mbi aktin e shëmtuar, çnjerëzore kriminal ndaj dy poetëve. Gjeta një dyfletëshe me lirika të Gencit, me atë shkrimin e bukur karakteristik të tij, që miku im ma pati dhënë dikur për t’i lexuar. Detyra ime morale ishte që ato t’i publikoja, shoqëruar me ndonjë fjalë timen. T’u hapja sadopak sytë njerëzve tanë. Ta njihnin ata konkretisht “helmin” që kërkonte të shpërndante e të mbillte poeti me lirikat e tij! I botova te gazetat “Fjala e lirë”, “Rilindja” (e Kosovës, që në ato kohë botohej në Tiranë), te “Intelektuali”, i futa edhe në përmbledhjen time me studime e gjurmime “Vlera të anatemuara…”.
Dhe jo vetëm poezitë e Gencit. Në vitin 1998 Fondacioni SOROS në Elbasan mendoi që të sponsorizonte botimin e një gazete lokale për fëmijë. Ma besuan mua drejtimin e redaktimin e saj. Organit ia vumë titullin “Xixëllonjat” (në nderim të librit “Xixëllonjat e vogla” të Qamil Guranjakut) dhe doli me sukses për disa muaj me radhë. Në atë kohë në shtypin qëndror lexova poezinë “Saharaja” të Vilson Blloshmit. Më pëlqeu shumë, më rrëmbeu e më tronditi dhe desha ta botoj edhe në gazetën tonë. Ia shpreha këtë mendim përgjegjësit të Fondacionit Soros që na financonte. Ai, megjithëse ishte demokrat, me përbërje të deklasuar, kërceu përpjetë. Ç’na duhet të ngatërrohemi me vjersha e autorë të tillë, më tha. Pastaj, sikur nuk shkon për nxënësit e shkollave ai krijim. More, iu përgjigja, atë anë – shkon apo nuk shkon për nxënësit – ma lër mua ti. Më ke vënë prift e mos ma rruaj mjekrën!… Dhe e botova poezinë. Por “shoku”, demokrati i thekur i SOROS-it për arsimin, vërtet jo vetëm “ma rroi” mjekrën, por ma shkuli fare. E pezulloi gazetën dhe nuk e financoi më. Qe numri i fundit ai me poezinë e Vilsonit në faqe të parë. Saharaja e tij e bëri shkret…
Unë vazhdova këmbëngulës në punën time. I përfshiva poezitë e Gencit e të Vilsonit edhe në nëntë tekste antologji jashtëshkollore për nxënësit e shkollës 9-vjeçare, që përgatitëm së bashku me pedagogët e UE-së, Skënder Karriqi e Ardian Tana.
Disa edhe i përvetësuan ato poezi të publikuara për herë të parë nga unë, duke i futur në librat e tyre që botuan për dy martirët, pa u vënë referencat nga i kishin marrë ato krijime. Po, fundja, ç’rëndësi ka! Rëndësi kishte që ato poezi të pakta të ngelura nga qindra e qindra krijime të poetëve të pushkatuar Genc Leka e Vilson Blloshmi të… bënin jetë.
Punë të mirë bëri Zyhdi Morava me librin e tij kushtuar dy martirëve, punë të shkëlqyer poeti e studiuesi Sadik Bejko me monografitë e tij. Nazmi Seitaj më tha se kishte shkruar kujtime e tregime për Gencin e Vilsonin. U entuziazmova dhe e nxita t’i publikonte sa më parë. E botoi librin “Ngadhnjim i shpirtit – Poetët martirë Genc Leka dhe Vilson Blloshmi”. Dhe ka shkruar bukur, me ndjenjë e me informacion të shumtë. I solli të gjalla para nesh ato dy figura. Punë me gjongël ka bërë vëllai i Vilsonit, Bedri Blloshmi, për t’ua çjerrë maskën e fabrikimit të vdekjes pas kuintave agjentëve të shitur e Diktaturës Komuniste. Janë lapidarë që iu ngritën dy poetëve, lapidarë madje më të fortë e më jetëgjatë se ai që po ronitet në Librazhd, ndanë rrugës që të çon për në Pogradec…

————-
1) Sot për të jepet datëlindja 23 mars 1941, pra duhet të ketë hyrë në shkollë në vitin 1948-’49 dhe të ketë mbaruar më 1955. Musa Vyshka, i datëlindjes 1942, shok klase me të në shkollën e mesme pedagogjike të Elbasanit, thotë se Genci “kishte humbur një vit në pritje të së drejtës për në “Normale”” (përmbledhja “Jetë intelektuale të ndërprera…”, Rama Graf, Elbasan 2012, f. 6) dhe të dy e filluan shkollën e mesme pedagogjike më shtator të vitit 1956 dhe e mbaruan në verën e vitit 1960. Kështuqë Gencit i bie që të jetë emëruar mësues dhe të ketë filluar punë (në Orenjë të Çermenikës) në vitin shkollor 1960-61. Pikërisht këtë vit përmend edhe Hysen Sejdini si vit të parë mësimor për Gencin, koleg me të në atë shkollë të zonës së thellë malore (shkrimi “Genci”, gazeta “Egnatia”, 16.3.1992)
2) Sipas ditëvdekjes së shkrimtarit Ethem Haxhiademi.
3) Për të mbledhur krijimtarinë poetike të Gencit, mesa duket, nuk janë hulumtuar fare numrat e gazetës “Pionieri” të atyre viteve. Patjetër që duhet të ketë krijime të tij në ato numra.
4) Poezinë që ka këtë varg edhe sot e kësaj dite nuk e kam gjetur të botuar as në përmbledhjen “Genc Leka: Vepra – Almera, T.2009”.

8 korrik 2013

Please follow and like us: