Porosia e Komitetit Qëndror: “Mos i acaroni marrëdhëniet me Rexhep Qosen”
Ekskluzive / Libri i Kaloçit: “Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist”, Zbulohet letra e kritikut Koço Bihiku e vitit 1974 për Kahreman Yllin, lidhur me tezat e Rexhep Qosjes për historinë e letërsisë së realizmit socialist
Nga DASHNOR KALOÇI
Në kuadrin e një marrëveshje për bashkëpunimin kulturor e arsimor që Tirana zyrtare kishte lidhur me Krahinën Autonome të Kosovës, Malin e Zi dhe Republikën e Maqedonisë,(marrëveshje e lidhur në Beograd disa kohë pas agresionit ushtarak të Bashkimit Sovjetik në Çekosllovaki, kur dhe filluan “vitet mjaltit” mes Tiranës dhe Beogradit) në fillimin e viteve ’70-të, u kryen mjaft vizita të ndërsjellta të personaliteteve të fushës së arsimit, artit kulturës dhe letërsisë shqipe, në të dy anët e kufirit. Në këtë kontekst (siç kemi parë dhe në dokumente të tjera në faqet e këtij libri), asokohe Shqipërinë e vizituan emra të njohur, si: Rexhep Qosja, Bekim Fehmiu, Ali Hadri, Emin Pllana, Blerim Luzha, Ali Aliu, Agim Vinca, Ibrahim Rugova, Skënder Riza, Emin Pllana, etj etj, dhe po kështu në Kosovë, Maqedoni dhe në Mal të Zi, shkuan për vizita, seminare, konferenca, sesione shkencore, promovime, leksione etj, edhe kolegët e tyre nga Shqipëria, si: Androkli Kostallari, Dhimitër Shuteriqi, Aleks Buda, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Pirro Mani, Agim Zajmi, Nasho Jorgaqi etj. Gjithnjë në kuadrin e kësaj marrëveshje dhe të një bashkëpunimi më të gjerë që synohej asokohe ndërmjet Universitetit Shtetëror të Tiranës, Akademisë sonë të Shkencave dhe institutive të tjera në varësi të saj, me homologet nga Kosova, Mali i Zi dhe Republika e Maqedonisë, mjaft shkrime, referate, kumtesa dhe studime të ndryshme të autorëve shqiptarë që jetonin e punonin në anën tjetër të kufirit, gjenin vënd dhe botoheshin në tekste të ndryshme që nxirrte Universiteti i Tiranës, Akademia e Shkencave dhe institucionet e tjera në varësi të saj. Por gjithsesi, Tirana zyrtare nuk e ulte për asnjë çast vigjëlencën ndaj “prurjeve” të anës tjetër të kufirit, përkundrazi, veprat e tyre shikoheshin me lupë. Lidhur me këtë, bën fjalë edhe ky dokument arkivor, që
mban datën 3 dhjetor 1974, ku studjuesi dhe kritiku i njohur i letërsisë, Koço Bihiku, i ka dërguar nje letër, Kareman Yllit, i cili asokohe ishte ndihmës i Hysni Kapos për problemet e arsim-kulturës, ndërsa për shumë vite pati shërbyer Rektor i Universitetit të Tiranës. Siç do të shohim edhe nga dokumenti në fjalë, problemi që ka shqetësuar Bihikun, i cili që nga ajo kohë dhe më pas (deri në fundin e periudhës së regjimit komunist) është njohur si një konservator dhe fanatik i zjarrtë i realizmit socialist, ka qenë “Konferenca Kombëtare e Studimeve për Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare të popullit shqiptar”, që është mbajtur ato ditë. Ndër të tjera në materialin e asaj konference, do publikohej edhe referati i mbajtur nga profsorët Bedri Dedja dhe Dhimitër S. Shuteriqit, me tëmë: “Probleme të kulturës gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar”.
Shqetësimi i Bihikut ka të bëjë me faktin, se autorët e referatit (Dedja dhe Shuteriqi), kanë konfonduar “studjuesit tanë” me tezën e prof. Rexhep Qosjes, i cili sipas tij (Bihikut), “ka futur në një thes letërsinë tonë të Luftës, me atë të viteve ’30-të dhe të pasçlirimit”. Dhe kjo gjë sipas tij duhet të rregullohet, por autorët Bedri Dedja dhe Dhimitër Shuteriqi, nuk kanë pranuar ta ndryshojnë referatin, duke ndarë aty me “një vijë demarkacioni” qëndrimin e prof. Qosjes nga ai i “studjuesëve tanë”. Por kjo gjë duket nuk ka ndodhur, dhe për këtë arsye, Bihiku ka shkruar letrën në fjalë, ku në fund të saj shkruan: “Shoku Kahreman, po ju drejtohem me këtë letër me shpresë se do të ndërhyni që t’u ndërpritet rruga këtyre shfaqjeve jo korrekte midis nesh”. Nuk dimë se si ka shkuar më tej fati i problemit që ngre Bihiku, por ajo që vihet re në letrën e tij për Kareman Yllin, është fakti që; edhe pse lidhur me tezat e prof. Qosjes (që “fut në një thes letërsinë tonë të Luftës me atë të viteve ’30-të dhe të pasçlirimit”),janë pyetur instancat përkatëse, d.m.th. Komiteti Qëndror, përgjigjia ka qenë: “ta lënë në referat ashtu çështjen e Rexhep Qosjes, për të mos acaruar marrëdhëniet me të”. Me shumë gjasa ku “lëshim” ndaj prof. Qosjes, ka të bëjë me qëndrimin e tij pro dhe në një linjë me politikën zyrtare që po ndiqte regjimi komunist i Tiranës, gjë të cilën e kemi parë edhe në një nga kapitujt paraardhës të këtij libri (raport-nformacioni i prof. Androkli Kostallari për udhëheqjen lidhur me vizitën e prof. Rexhep Qosjes në Shqipëri në vitin 1970), ku Kostallari midis të tjerash shkruan: “Ai tha se: ‘Nuk ka botkuptim tjetër përveçse atij marksisit-leninist’, se ‘I bëhet zemra mal’ kur shikon zhvillimin e vrullshëm të
Shqipërisë në këta 25 vjet që të bindin se ‘mund të shkurtohet historia”. “Kryesorja, – tha ai, – është se ju të gjitha këto i bëni duke u mbështetur në forcat tuaja”. Ai tha se: “Eshtë i bindur se vetëm socializmi mund ta shpëtonte popullin shqiptar nga gjendja e mjeruar dhe e prapambetur në të cilën ndodhej në të kaluarën”.
Ndoshta nga ky “konstatim” i prof. Qosjes, për regjimin komunist të Enver Hoxhës, ka ardhur dhe qëndrimi zyrtar ndaj tij, deri në fundin e viteve ’80-të, kur Ramiz Alia (në 29 gusht 1989), në një nga mbledhjet e Sekretariatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së, porosiste Foto Çamin që Rexhep Qosja të ftohej në Shqipëri dhë të promovohej libri i tij, “Porosia e madhe”. (Shiko: “Kadare në 101 dokumentet e Pallatit të Endrrave”, botim i UET PRESS, Tiranë 2016, kapitulli 96, fq.542). Gjë e cila nuk lë asnjë mëdyshje se ai (Qosja) ishte njeri i preferuar i regjimit komunist të Tiranës, apo më saktë nuk i binte ndesh atij regjimi. Ashtu si pjesa më e madhe e dokumenteve të këtij libri, edhe ky publikohet i plotë.
LETRA E KOÇO BIHIKUT PER KAREMAN YLLIN
Shoku Kahreman
Këto ditë u mblodh redaksia e “Studimeve Filologjike” e cila vendosi të botojë materialet e Konferencës Kombëtare të Studimeve për Luftën Antifashiste Nac-Çlirimtare të popullit shqiptar, ndër të tjera edhe referatin e Bedri Dedes dhe të shokut Dhimitër S. Shuteriqit “Probleme të kulturës gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të popullit shqiptar”.
Në referat ka shumë pasaktësi lidhur me ato që janë thënë rreth çështjes së lindjes së realizmit socialist në letërsinë shqiptare, por ajo, që sipas mendimit tim, duhet të ndreqet para se të botohet në revistën tonë, është fakti që autorët e referatit duke polemizuar me studjuesit tanë, përfshijnë në atë edhe Rexhep Qosjen, duke iu atribuar kështu të parëve pikpamjet e këtij të fundit, gjë që nuk është aspak e drejtë. Kështu p.sh. në fq. 19 të referatit thuhet: “Ka edhe një tezë, e cila e fut në një thes letërsinë tonë me të Luftës me atë të viteve ’30-të dhe të pasçlirimit, gjer në fillim të viteve ’60-të, Nga kjo
pozitë historiografinë tonë të letërsisë e quajnë më shumë histori të ideve politiko-shoqërore dhe vetë letërsinë “angazhim ideologjik”.
Duke lënë mënjanë faktin se në studimin e Rexhep Qosjes bëhet fjalë jo për për lindjen e realizmit socialist, të cilin ai nuk e njeh fare për të tillë, por për çështjen e periodizimit, mua më duket që më e drejtë është që ky pasazh në referat të distancohet nga paraqitja e mendimeve të studjuesëve tanë, duke thënë në fund të paraqitjes së tezave të shokëve tanë, se ka studjues të jashtëm, të cilët e fusin në një thes letërsinë tonë të Luftës me atë të viteve ’30-të dhe të pasçlirimit.
Ky propozim u pranua nga e gjithë redaksia e revistës dhe u ngarkua kryeredaktori që t’ua trasmetojë autorëve. Shoku Bedri Dedja refuzoi që të bëjë ndryshime në referat, duke thënë se referati është botuar dhe kësisoj është sanksionuar nga organet e larta. Ata që kanë mendimin e kundërt, le t’i shprehin në faqet e organeve tona. Lidhur me Rexhep Qosen, tha se ka biseduar në instancat përkatëse, të cilat i kanë thënë ta lë në referat ashtu çështjen e Rexhep Qosjes, për të mos acaruar marrëdhëniet me të.
Shoku Androkli si kryeredaktor na njoftoi këtë mendim të shokut Bedri Dedes, duke shtuar se nuk mund të ngrihet kundër vullnetit të autorëve.
Mua nuk më duket e drejtë që kjo çështje po zgjidhet në këtë mënyrë, sepse ky është një qëndrim jo korrekt ndaj studjuesëve tanë, të cilët s’ka arsye që t’i konfondojmë me Rexhep Qosen, që qëndron në pozita krejt të kundërta ideollogjike dhe metodologjike me ne. Asnjë nga studjuesit tanë nuk përdor për letërsinë fjalën “angazhim ideollogjik”, dhe nuk mendon se në zhvillimin e letërsisë “rëndësi vendimtare”, kanë faktorët e zhvillimit të saj të brendshëm, siç thonë autorët e referatit. Këmbngulja e shokëve Bedri Dedja dhe Dhimitër Shuteriqi për të mos bërë fare ndryshime në referat lidhur me këtë pikë, nuk më duket e rregullt.
Shoku Kahreman, po ju drejtohem me këtë letër me shpresë se do të ndërhyni që t’u ndërpritet rruga këtyre shfaqjeve jo korrekte midis nesh.
3.XII.1974 Me respekt
Koço Bihiku