Albspirit

Media/News/Publishing

Rusi, Putin pritet të fitojë në zgjedhje

Rusët iu drejtuan sot kutive të votimit për zgjedhjet presidenciale, të cilat me siguri do t’i lejojnë Presidentit Vladimir Putin të forcojë pushtetin e tij. Vëzhguesit e opozitës raportuan për parregullsi të shumta, të cilat variojnë që nga organizimi i votimit të përsëritur të të nëjtëve persona në disa qendra votimi, dhe deri tek mbushje kutish në disa rajone.

Në garë me Presidentin Putin janë shtatë kandidatë të tjerë, por asnjë prej tyre nuk paraqet rrezik real. Ai pritet që në këto zgjedhje të marrë mbi 50% të votave, ndërsa ekipi i tij elektoral shpreson që ai të marrë 70%. Presidenti Putin ka mbajtur poste drejtuese prej 18 vjetësh.

Në Moskë, votimet u hapën në orët e para të mëngjesit.

“Nuk mund të them se për kë votova, është private. Por unë dua një të ardhme më të mirë për vete dhe për fëmijët e mi. Dua që gjithçka të jetë e drejtë dhe e ndershme dhe në përputhje me ligjin”, tha Vyacheslav Myshlyaev, një votues nga Moska.

“Votova për një kandidat të fortë, për atë që është i besueshëm”, thotë një tjetër votues, Alexei.

Vëzhguesit opozitarë të lëvizjes së Alexei Navalny-t raportuan probleme dhe përpjekje të organizuara, si p.sh. transporti i organizuar masiv drejt qendrave të votimit, madje edhe i të njëjtëve persona për të votuar në mënyrë të përsëritur në disa qendra votimi.

“Këto zgjedhje do t’i quaja ‘zgjedhjet e autobusave’, pasi shumica e shkeljeve të raportuara nga vëzhguesit ka të bëjnë me transportin zinxhir të njerëzve nëpër qendrat e votimit. Transporti nuk kryhet vetëm nëpërmjet entiteve private, por edhe nëpërmjet atyre shtetërore, duke transportuar madje edhe vetë punonjësit e policisë”, tha Ivan Zhdanov, i grupit të vëzhguesve të opozitës.

Vëzhguesit folën gjithashtu për mbushje të kutive të votimit në disa rajone, si në Rostov dhe Kasnodar.

Ndërsa anketimet tregonin një nivel mbështetje prej 70% për zotin Putin, pra 10 herë më shumë se kandidati më i afërt, lëvizja opozitare e zotit Navalny po udhëheq një fushatë për bojkotimin e votimit, ndërsa organizatorët e zgjedhjeve po punojnë për të siguruar pjesëmarrjen në nivel të lartë të votuesve, gjë që do t’i jepte legjitimitet këtyre zgjedhjeve që shikohen si të paracaktuara.

Zgjedhjet po zhvillohen edhe në Krime, rajonin ukrainas të pushtuar nga Rusia, ku kanë shkuar si vëzhgues një numër i vogël politikanësh evropianë që janë miq të Putinit. Udhëheqësi opozitar Navalny i tha Zërit të Amerikës se “ata mund të jenë vëzhgues, aq sa ç’mund të jenë kandidatët e tjerë ‘rivalë’ ndaj Putinit”, ndërsa foli për një proces krejtësisht fals dhe qesharak. Bashkimi Evropian dhe OSBE-ja nuk pranuan të dërgojnë vëzhgues në Krime, për të mos i dhënë legjitimitet pushtimit nga Rusia të këtij rajoni.

Please follow and like us: