Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Shtypi botëror mbi letërsinë e Kadaresë

 

Pas botimit anglisht të romanit “Kamarja e tradhtarit” dhe të tri eseve për Eskilin, Danten e Shekspirin, shtypi i specializuar amerikan ka dalë me artikuj vlerësues për shkrimtarin Ismail Kadare, disa prej të cilëve po i sjellim më poshtë.

Shqyrtime editoriale

“Autori shqiptar dhe kandidati prej vitesh për çmimin ‘Nobel’ hulumton rrënjosjen dhe ndikimin e gjatë deri më sot të Eskilit, të Dantes dhe tëShekspirit, kryesisht këto në atdheun e tij. Kadareja, fitues i çmimit inaugurues ‘Man Booker International’ në vitin 2005, i shqyrton të tre autorët përmes filtrit të totalitarizmit, sidomos përmes optikës së një Shqipërie nën regjimin komunist dhe nën traditën e Kanunit, një kod që prej kohësh ka mbështetur gjakmarrjen…

Kadareja në mënyrë efektive thellohet në burimet e universalitetit të tre autorëve. Në veçanti kjo vërtetohet në rastin e Eskilit, pasi Kadareja shqyrton me kujdes natyrën e teatrit grek në antikitet, si dhe fazën e lidhjes së tragjedisë me ritet e lashta të varrimit… esetë kështu hedhin dritë mbi rrëfimet e tij romanore, tregojnë se si i percepton ai disa nga temat e tij të preferuara – temat e shtypjes, të humbjes, të hakmarrjes – si vazhdë e një linje që përsëritet që nga antikiteti.
Një studim i lirshëm, por i pasionuar dhe plot informacion mbi arsyen pse autorët klasikë ende sot u rezistojnë kohëve”.

—Kirkus Reviews

“Kadareja është një nga romancierët më të mëdhenj të botës: Ai fitoi Çmimin Ndërkombëtar ‘Man Booker International’ në vitin 2005, Çmimin e Jeruzalemit në vitin 2015 dhe shumë çmime të tjera letrare, ndërsa romanet e tij janë përkthyer në dyzet e pesë gjuhë…

Përmbledhja e tre eseve në librin “Ese mbi letërsinë botërore” dëshmon vlerën e një vështrimi të ndryshëm për figura të kohëve të hershme si Eskili, Danteja dhe Shekspiri. Pikëpamja e Kadaresë është e çuditshme, si në kuptimin e zakonshëm të fjalës, si në kuptimin etimologjik: esetë e tij ardhur nga periferitë, jo prej qendrës së kulturës perëndimore, nxjerrin lidhje të papritura midis këtyre tre shkrimtarëve dhe realitetit të Ballkanit…

Kështu, Kadareja na paraqet prova rajonale interesante të universalitetit të tre gjenive, të Eskilit, të Dantes dhe të Shekspirit, prova të të vërtetave rajonale të ngërthyera brenda universalitetit të shkrimeve të tyre… Restless Books duhet të lavdërohet për përkthimin me mjeshtëri të këtij vëllimi nga një përkthyese shqiptare, Ani Kokobobo”.

-Michell Abidor, Jewish Currents

“Nëpërmjet këtyre tre autorëve, Eskilit, Dantes dhe Shekspirit, Kadareja jo vetëm udhëton nëpër historinë e letërsisë perëndimore, por gjithashtu jep një pasqyrë të gjerë të rritjes së tij intelektuale dhe të gjetjes së zërit të vet nën një regjim komunist. Nëse po kërkoni diçka që u jep një vizion të botës sonë dhe vizionin se si letërsia mund ta ndriçojë atë – dhe sa të ndërthurura janë këto të dyja- atëherë ky është një libër i mirë për ta ndjekur”.

-Keaton Patterson, Brazos Bookstore (Houston, TX)

Falënderim për Ismail Kadare:
“Kadareja krahasohet në mënyrë të pashmangshme me Orwellin dhe Kunderën, por ai është ironist shumë më i thellë sesa i pari dhe tregimtar më i mirë se i dyti. Ai është tregimtar i joshjes së fortë ironike, sepse ngjall në mënyrë të shkëlqyer hollësi që e shpërthejnë tej realitetin simbolik”.

-James Wood, The New Yorker

“Një autor i lartësive që e meriton çmimin Nobel”.
– The Huffington Post

“Në hetimin e tij të shtresëzuar në kërkim të së vërtetës, z. Kadare, fitues i Çmimit Ndërkombëtar ‘Man Booker International’ ka shumë ngjashmëri me shkrimtarët fantazistë si Alain Robbe-Grillet dhe Jorge Luis Borges… ne mbetemi të mahnitur ndaj teksteve të një rrëfimi shumplanësh ku, edhe nëse je student i historisë së Ballkanit, edhe nëse je një i dashuruar pas miteve greke, apo një shofer gjerman i taksisë, shenjat paralajmëruese të thonë të njëjtën gjë: Mos shiko prapa”.

-Tom Nolan, The Wall Street Journal

“Emri i romancierit shqiptar Ismail Kadare vjen në vëmendjen publike rregullisht në kohën e shpalljes së Çmimit Nobel dhe ai ende është një bast i mirë për ta fituar atë në një nga këto ditë… ai, me sa duket, është i paaftë për të shkruar një libër jo interesant”.

-Charles McGrath, The New York Times

Romanet e Kadaresë janë plot me linja mrekullisht të mrekullueshme… me imazhe jashtëzakonisht origjinale që notojnë në rastësi të dukshme … të errëta, të fiksuara në vdekjen, por njëherësh edhe të qeshura”.

-Christian Lorentzen, New York Times Book Review

“… vetëm shkrimtarët më të mëdhenj mund të shkruanin me ekonominë dhe ritmin e Kadaresë … Kadare, magjistari që ai është, i ofron lexuesit vetëm informatat më të kursyera me qëllim që të lejojë interpretime të panumërta. Ai, si më mashtruesi dhe më intriguesi i shkrimtarëve, është nga ata që e kuptojnë se ajo që mund të jetë e maskuar tani, do të jetë krejt e dukshme në një të ardhme të largët”.

—The Sunday Herald

Rreth autorit:

Ismail Kadare është romancieri më i njohur i Shqipërisë, emri i të cilit përmendet çdo vit në diskutimet e Çmimit Nobel. Ai fitoi çmimin inaugurues ‘Man Booker International’ në vitin 2005; në vitin 2009 mori çmimin më prestigjioz ‘Principe de Asturias de las Letras’ dhe në vitin 2015 fitoi ‘Çmimin e Jeruzalemit’. Në vitin 2016 ai u vlerësua me ‘Komandant i Legjionit të Nderit’. James Wood ka shkruar për veprën e tij: “Kadareja krahasohet në mënyrë të pashmangshme me Orwellin dhe Kunderën, por ai është ironist shumë më i thellë sesa i pari dhe tregimtar më i mirë se i dyti. Ai është tregimtar i joshjes së fortë ironike sepse ngjall në mënyrë të shkëlqyer hollësi që e shpërthejnë tej realitetin simbolik”.
Roman i tij i fundit në gjuhën angleze, “Niche Traitor”, (Kamarja e turpit) u propozua për çmimin ‘Man Booker International’.

Please follow and like us: