Gjykata e Lezhës vendos “arrest shtepie” për Fran Frrokaj
Gjykata e Lezhës ka vendosur të lërë në masën “arrest shtëpie” kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj të akuzuar për “shpërdorim detyre” për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Shëngjinit. Mësohet se e njëjta masë është dhënë edhe për 11 zyrtarët e tjerë të vënë në pranga pak ditë më parë.
Frrokaj ka dalë sot para gjykatës ku u rivlerësua masa e sigurisë e dhënë më parë “arrest me burg”. Në gjykatë kanë dalë edhe 11 zyrtarë të tjerë të Bashkisë së Lezhës të arrestuar për të njëjtën akuzë.
Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin duke abuzuar me detyrën dhe falsifikuar dokumente, kanë tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, tek vendi i quajtur “Rana e Hedhun”.
Prej orëve të para të mëngjesit, forca të shumta policie kishin rrethuar gjykatën duke vendosur shirita. Dhjetëra mbështetës të Frrokajt por dhe familjarë të tij dhe të të arrestuarve të tjerë kanë qëndruar para gjykatës deri në pritje të vendimit.
Ndërkohë Gjok Ndoka, xhaxhai i ish deputetit socialist Arben Ndoka ndodhet në spital pasi ka probleme shëndetësore me zemrën, ndërsa në ato ambjente iu dha edhe masa e sigurisë. Frrokaj dhe zyrtarët e tjerë u arrestuan të premten, më 16 mars 2018 , ndërsa 11 të tjerë janë ende në kërkim.