Albspirit

Media/News/Publishing

Sulejman Dida: Ta “bëjmë” Spaçin, që të mos e përsëritim atë!

Ish-burgu famëkeq i Spaçit, ku u persekutuan për dekada qindra e qindra shqiptarë në regjimin komunist, ndodhet në degradim të plotë, si një plagë të cilën po e mbyll koha me erozionin e pashmangshëm.  Që nga viti 1991 aty gjithçka është shkatërruar dhe grabitur, ku përveç ndonjë rrëfimi, nuk gjen asnjë gjurmë të persekutimit.

Duheshin rujtuar qelitë e izolimit dhe torturës, zinxhirët ku i lidhnin të burgosurit, rrethimet me tela me gjemba, vendrojet nga ku ushtria vriste rebeluesit, kuzhina me tenxheret dhe gavetat, fjetoret, dmth dhomat ku flinin deri më shumë se 50 të burgosur me krevatet dhe batanijet, dhoma e kontrollit të familjarëve, nëse do të kishte, dhoma e takimit me familjarët, fletore nëse ka pasur dhe shkrimet në mure, kasketat dhe llambat e karbitit dhe çizmet dhe rrobe të tjera, sepse të burgosurit i shfrytëzonin si minatorë, punonin në thellësi deri 2 mijë metër duke nxjerrë bakër, vagonët dhe veglat e punës, bunkerët që survejonin dhe mitralozët që shpesh u shkrehën mbi të burgosurit, shkopinj gome, parullat mizore dhe deri edhe britmat e lirisë…

Vetëm vitet e fundit, Spaçi ka ngjallur interesin e disa institucioneve, kryesisht kulturore, që kanë vendosur tabela treguese dhe po përpiqen të ndalin shkatërrimin e mëtejshëm të ngrehinave që ende nuk janë shembur. Ne zakonisht i lëmë të shkatërrohen ‘provat’ e ngjarjes, e më pas shprehim keqardhjen.  Një rrugë jo shumë e keqe kalon nëpër burg, aty përbri dhe ngjitet te fabrika e pasurimit të bakrit, ku ka investime për t’u pasu zili, është e ardhmja që ndërtohet dhe është krejt tjetër gjë.  Disa nga hyrjet e galerive në trupin e zonës, në shpatullën e majtë të malit janë rrudhë gati ne mbyllje, si varre të vjetra dhe kullojnë një lëng të verdhë…  Me kalimin e viteve do të besohet gjithnjë e më pak se aty janë strehuar edhe disa prej emrave të përveçëm të kulturës si Maks Velo, Fatos Lubonja, Havzi Nela, Mersin Vlashi, Bedri Blloshmi, Visar Zhiti…, e, ma besoni, atje vuajti ishte edhe ëndrra ime.  Sikur te ishte rujtur burgu, pak a shumë siç ka qenë, kjo do të ishte miniera e vërtetë e arit.  Deri në vitin 1990 bakrin e nxirrnin të burgosurit, atë bakër që siç proklamohej nga partia-shtet, çante bllokadën. Në të vërtetë, ajo që e ka çarë bakri i Spaçit etj., që e ka krisur, nuk kishte qenë ‘bllokada’, por shpirti i shqiptarëve, dhe ende nuk ka gjet rahati. Sot nuk ka më bllokadë.

Gjeta

Te burgu gjej vetëm Gjet Gjonin, një banor i asaj zone me një bexhë ku shkruhet emri i vet, punësuar si roje i mureve të heshtur. Ish të burgosurit janë ‘zbutur’, kanë vdekur ose janë shpërndarë në liri, nëpër botë. Edhe Gjeta thotë se mund të tregojë vetëm kujtimet e babës së vet, sepse ‘ka punuar me të burgosurit në galeri’, ndërsa personalisht ai kujton vetëm disa klithje agonie të ‘armiqve’ që torturoheshin.  Ai pohon të ketë dëgjuar se burgu është fut në listat e trashëgimisë kulturore dhe e njeh Evropa si objekt me rëndësi, por edhe qeveria, dhe, duke pa rëndësinë që po merr, e ruan se mos dikush shemb soletat për t’ua marrë hekurin për skrap, pse, siç thotë ai, tjetër gjë s’ka. Po Gjeta ka mësuar plot të dhëna për burgun dhe madje edhe për diktaturën në përgjithësi. “Eh mor dajë, ti mund të vish këtu si ish i burgosur, por dija për nder faktit që po vjen si vizitor”, – thotë me shaka.  I jap të drejtë.

BE shfaq interes

Por ish-burgu i Spaçit, duke qenë një prej kampeve më mizore të regjimit komunist, ka tërhequr vëmendjen e perëndimit si një aspekt i dhimbjes që nuk bën të harrohet, me qëllim që ai të mos përsëritet.  Vetë Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin si dhe ambasadori i Austrisë, Johan Sattler, kanë udhëtuar në Spaç, ku janë prononcuar për rëndësinë që merr ruajtja e dëshmisë së sakrificës për të vlerësuar pikërisht vlerën e lirisë dhe demokracisë, në mënyrë të veçantë për të rinjtë.  Ata kanë nënvizuar se do të mbështesin me çdo mjet ngritjen e muzeut aty, për t’u dëshmuar brezave se ku qëndrojnë themelet e lirisë. Ata kujtuan po ashtu edhe faktin se sivjet mbushen 45 vite nga revolta e njohur e Spaçit, kur të burgosurit ngritën flamurin, një flamur pa yll, në tarracën e fjetores, një rebelim që sidoqoftë u shtyp me sadizëm duke pushkatuar katër të burgosur dhe duke torturuar dhe shtuar dënimin qindra të tjerëve. Emrat e të pushkatuarve janë afishuar në tabelën që flet pikërisht për atë ngjarje të rrallë, të ndodhur në vitin 1973.

Po ne?

Institucionet shqiptare, si ato lokale por edhe qendrore, nuk kanë bërë sa duhet, ndoshta nuk kanë bërë asgjë, për të ruajtur diçka si vlerë muzeore, si një kujtesë për brezat.  Nuk e kanë ruajtur Spaçin, por nuk kanë ruajtur as kampet e tjerë. Si në shumë aspekte edhe në këtë pikë, janë perëndimorët që na kujtojnë se çfarë po humbim. Gjithçka duhet ta bëjmë tashmë me butafori dhe ta imitojmë me butësi si një legjendë, dmth na ishte njëherë. Dhe legjendat përherë vihen në dyshim. Megjithatë, sikur askush të mos kujtohej për të, lugina e Spaçit me ushtimën e ujit të borës, bërtet e vetme në netët me hanë si një vajtim i gjithmonshëm për burrat që dhanë shpirt n’at humnerë pa pasë se kush ti qajë.

Please follow and like us: