Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: Jamarbër Marko dhe poezia e tij hermetike

 

 

 Image result for Jamarbër Marko

“Plagët tona të ditëve të shkuara mbi sy, mbi hutimin tonë…”
                                                                      Jamarbër Marko

 

Tekstet poetikë të Jamarbër Markos në përgjithësi nuk janë tekste të një poezie realiste. Ai është ndër poetët hermetikë që u shfaqën në vitet ’70, në një hark kohe lirie, që u quajt më vonë si liberalizëm në kulturë dhe art dhe u dënua si praktikë kulturore dhe letrare. Në librin poetik “Pro nobis” takojmë një tekst pa titull:
Një rreth me pika, kuadrate e presje
Rreth me thika, flakë e zgjuarësi
Me kohë zjarri, thyerje, thjeshtësie,
Me presje e pika
Me kukulla
Rrudha
Hije
Dhe fije me kohë
Për t’u kthyer
i lidhur prej saj.
Është një poezi hermetike. Kemi këta emra në tekst: rreth, pika, kuadrate, presje, thika, zgjuarësi, kohë, kukulla, rrudha, hije, fije. Gjenden edhe këta mbiemra: zjarri, thyerjeje, thjeshtësie, i lidhur. I gjithë teksti ka vetëm një folje në formë të pashtjellur: për t’u kthyer. Teksti është ndërtuar nga ana e sintaksës poetike nga elipse, dukuri e teksteve poetike hermetike. Emrat rreth, pika, kuadrate, presje janë emra që emërtojnë kufizime hapësirash, rrethi shënon një sipërfaqe të skajuar nga një vijë e lakuar dhe mbyllur, pikat e së cilës janë të baraslarguara nga një pikë brenda vijës që quhet qendër. Pika është përfundim i një njësie të ligjërimit. Është ndalesë. Kuadrati është sipërfaqe e skajuar jo në formë rrethore, por në formë katrori ose drejtkëndëshi. Po ashtu edhe presja, ndan pjesë të njësisë ligjërimore, me një ndalesë më të shkurtër. Skajimet e hapsirës me rrathë e kuadrate, të kujtojnë kufizimin e lirisë në burgje ose edhe jashtë tyre. Kujtoni kuadratet e rreshtimit të të burgosurve, kuadratin e qelisë, rrethin e qiellit apo qiellin e futur në një rreth te vrima rrethore që lidh botën me qelinë. Shenjuesit rreth, kuadrat, pika e presja shenjojnë kufizimin e lirisë, ose mungesën e saj. Rrethi me thika, është kufizim dhe dhunë. Kohë zjarri – mendoj se në këtë tekst , krahas përcaktimit të kufizimit të hapsirës, kufizohet edhe koha. Diktaturat kanë patur një relacion të çuditshëm me kohën; e ndanin atë në plane pesëvjeçarë, e ndanin në jubile si njëzetë vjetori i partisë, java e Enverit, dhjetë vjet burg për agjitacion e propagandë, etj. Te shprehja kohë zjarri, krahas kufizimit të nocionit kohë, kemi edhe mbiemrin zjarri, pra kohë dhune. Mbiemri thyerjeje vjen pas mbiemrit të panyjshëm zjarri. Duket se përdorimi i kohës për të dhunuar synonte thyerjen, rekrutimin me dhunë si spiun i policisë së fshehtë, depersonalizimin ( mbiemri- thjeshtësie) Ata që kane jetuar në diktaturë e dinin se çfarë do të thoshte të jesh njeri i thjeshtë në diktaturë, zhveshja nga të gjitha virtytet, cilësitë individuale, rrafshimi i personalitetit sipas modelit të njeriut të ri, një lloj tulle njerëzore e vendosur në murin që formonte turmën. Më pas në tekst ndeshim emrin me parafjalë me kukulla. Dyzimi i njeriu nga dhuna dhe frika prej saj kishte krijuar një farsë në marrëdhëniet njerëzore, farsë që nuk luhej në skenat e teatrit, por në rrugë e kudo. Njerëzit veten e linin brenda mureve të shtëpisë së tyre dhe shfaqeshin ashtu siç i kishte projektuar diktatura, kukulla. Kjo ndodhte rëndom. Emri rrudha që renditet pas emrit kukulla shënjon vuajtjen dhe përpjekjen për të ruajtur dinjitetin njerëzor.
Në poezitë e Jamarbër Markos hija është shënjë semantike. Ky emër gjendet në mjaft prej poezive të tij. Është fjala që shenjon përgjimin, frikën, tronditjen, dhunimin, terrorin. Teksti përfundon pikërisht me të vetmen folje të përdorur në të: për t’u kthyer. Fundi i poezisë plotëson skenën ku luhej fati i njeriut në diktaturë: Hije / Dhe fije me kohë / Për t’u kthyer / I lidhur prej saj. / Një nga synimet e diktaturës ka qënë thyerja e njerëzve me karakter dhe vënia në shërbim të saj. Ky akt realizohej nëpërmjet survejimit nga hijet. Kur nuk pranoje të lidheshe me hijen me fije kohe, perfundoje në burg. Hija ishte prania e diktaturës afër njeriu, ishte hija e tij. Mendoj se autori foljen e vetme për t’u kthyer e ka përdorur si rrjedhojë e të gjithë asaj gjendjeje kufizimi e pranie të dhunës për të cilat flet në fillim të poezisë. Procesi i kthimit kalonte në një procedurë ndjekjeje, kapje në ndonjë gabim moshe, presioni me përjashtim, internim, e burgim.Veç rrethimit, kuadratizimit të hapsirave edhe koha kthehej në një mjet dhune, ajo kthehej në fije për të lidhur individin me hijen. Kjo poezi hermetike e Jamarbër Markos, brenda një teksti me nëntë vargje eliptik vizaton një pamje “ ku realiteti është klonuar nga absurdi”, siç thotë studjuesi dhe poeti Moikom Zeqo në një intervistë të tij në median e shkruar.

Image result for jamarber marko, Pro Nobis

Mazohizmi si shenjë semantike në tekstin poetik të Madusë
“Esenca e poezisë është vetë poeti”- thotë Hegel. Kjo thënie e filozofit të shquar i shkon për shtat poezisë së poetit Jamarbër Marko. Diskursi i tij poetik është thurur me tragjizëm. Edhe jeta e tij ka qënë tragjike.
Libri poetik “Pro Nobis” nis me poezinë me titull “Ana e pasme e Botës”. Pas kësaj poezie vijojnë 73 tekstet e tjerë poetikë pa tituj. Libri të krijon përshtypjen e një treni të ngarkuar me poezi, ku lokomotiva është pikërisht poezia e parë e titulluar “Ana e pasme e Botës”, ndërsa poezitë që vijojnë pa titull janë vagonat, që i shkojnë pas.
\ Nuk e besojmë ne, që kohën e kemi veç në plagët tona /, nis libri i Markos. Vargu është tetëmbëdhjetë rrokësh, varg që ndeshet rrallë në diskurset poetike të poezisë shqipe. Duket sikur vetëm një varg i tillë mund të mbartë plagët e rënda, plagët e shumta të poetit dhe brezit të tij dhe kohën e shndërruar jo në dashuri, jo në gëzime e punë të frytshme, por në plagë. Një varg mbart mbivete dhe te vetja dhimbjen e një gjenerate të tërë. \…Plagët tona të ditëve të shkuara mbi sy, mbi hutimin tonë. /
Te poezia e parë janë këto fjalë dhe shprehje: grykët e uritura, koha, plagët tona, skeletet e armëve, korbat, supë e ndyrë e harresës, vdekja, ditë të shkuara, hutimin tonë, shkelur, kurrë nuk do të ngjitemi, tragjeditë e vogla, besimet e vogla, tokë e re, qetësi, erë, diell i ri, çezëm, lotë, humnerë harrese, mbajmë mbi shpinë, dyert e pahapura, gjuha e gënjeshtres, sytë e frikës, pështymë e përgjakur, të uritur, shpresë, fëmijë të palindur.
Ky tekst poetik mbart jo vetëm tragjedinë e të burgosurve politikë në diktaturë, por tragjedinë e tyre edhe më të dhimbshme në postdiktaturë. Fjalët dhe shprehjet çelësa sjellin të qartë rrafshin kuptimor të tekstit: supë e ndyrë e harresës, plagët tona, dyert e pahapura, fëmijë të palindur. Anarkia e postdiktaturës jo vetëm që nuk i mjekoi plagët e të burgosurve politikë të diktaturës, por shpesh u hapi plagë të reja me indiferencën dhe harresën.
Në tekstet e poezisë së Jamarbër Markos dallon nota të fatalitetit, ku humbja shihet si pjesë e jetës së tij, si rrjedhë logjike e saj, pavarësisht altruizmit të tij të shpërfillur: Ata të thyen më dysh / Unë t’i bashkova me kujdes pjesët / … Unë pagova jetën / mblodha pluhurin / e zbuta dhimbjen / Dhe formova përsëri atë çka ishe ti / Ti dole në rrugën e madhe / e ne nuk u pamë asnjëherë më. /
Në tekste mund të vërehet se humbja përligjet si ligj i natyrës. Njeriu lind dhe bota ka fituar një krijesë të mrekullueshme, pastaj njeriu përshkon rrugën nga djepi te varri, që parë në rrafshin filozofik është rrugë drejt humbjes, pavarësisht fitoreve të përkohshme në këtë hark kohor: U mplaka thotë dora / dhe shtërngon më pak / U mplaka thotë syri / dhe sheh më pak / U mplaka thotë mendja / dhe do të dijë më shumë / Veç ndjenja hesht / Ndjenja e harruar. / ose … valët e lehta do t’i nxjerrin ëmbëlsisht / Qerpikët e tu do t’i prekin ato / Për të kuptuar se si humbet një jetë në heshtje. / …Kopsat e gjumit tënd / janë qepur me fije lodhjeje./

Po ashtu në tekste dallon edhe një anim kah humbja, apo heqja nga vetja si tendencë në poezinë e Jamarbër Markos. Natyrisht ai që ka humbet, ose ai që ka fal apo jep, por në analizë të fundit është edhe falja, edhe dhënia, është pakësim nga vetja, pra është humbje : Biseduam për të krijuar botën / Më pas ti buzëqeshe dhe harrove / jo siç harron deti anijen që gëlltit / Por thjesht / Ashtu siç gjen pas çdo buzëqeshje / Fytyra të reja. / Një degë të tharë / nga pema e miqësisë / Ti more dhe vrapove. /
Uni poetik është familjarizuar aq shumë me humbjen sa që e shikon atë me indiferencën që shikojmë ditën që ikën dhe natën që vjen: Humbja nuk ka më peshë / ka vetëm pak thellësi të ëmbël. / Në këto vargje të Jamarbër Markos ndihet edhe një notë e lehtë mazohiste.

 

Please follow and like us: