Albspirit

Media/News/Publishing

Kosova voton demarkacionin me Malin e Zi

Pas një sërë seancash maratonë, të mbushura me debat dhe shpesh herë me gaz lotsjellës, ka kaluar sot në Kuvendin e Kosovës marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit i hapën dritën jeshile marrëveshjes shumë të diskutuar. Marrëveshja kaloi pas katërt tentativa për ta penguar votimin e saj nga Lëvizja Vetëvendosje, deputetët e së cilës hodhën gaz lotsjellës në seancë. Për pasojë disa prej deputetëve të forcës së udhëhequr nga Albin Kurti u përjashtuan nga Kuvendi dhe u arrestuan nga policia. Në momentin e votimit të demarkacionit në seancë ka qenë i pranishëm vetëm deputeti i VV, Glauk Konjufca. “Sot merr fund dimri i gjatë politik për qytetarët e Kosovës. Nga sot fillon pranvera e lëvizjes së lirë e qytetarëve tanë, është një lehtësim i madh për ne. Urime të gjithëve, shteti ynë i pavarur ka edhe shumë sfida tjera. Falënderoj të gjithë zyrtarët evropian, ju uroj edhe atyre sepse kanë pasur një përkushtim të jashtëzakonshëm për këtë çështja. Kemi sinjale shumë pozitive që Kosova ka bërë përparim, dhe besoj se brenda fundit të këtij viti do të kemi lëvizje të lirë”, ka thënë kreu i Kuvendit të Kosovës Veseli në një konferencë për mediat pas votimit.

Reagimet e krerëve të politikës 

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka komentuar votimin e demarkacionit me Malin e Zi. Haradinaj ka thënë se radhën tash e ka BE-ka të bëjë pjesën e vetë. “Kuvendi i Kosovës me sukses ratifikoi Marrëveshjen e Demarkacionit të Kufirit me Malin e Zi. Mirënjohës për të gjithë deputetët që votuan pro, si dhe për durimin dhe mirëkuptimin e popullit të Kosovës.

E përkushtuar në krijimin e një shoqërie demokratike, të bazuar në rend e ligj, Kosova tani pret që Bashkimi Evropian të bëjë pjesën e vet, ashtu siç u premtua, që më në fund qytetarëve të Kosovës t’u mundësohet lëvizja e lirë në BE, si të gjithë evropianëve tjerë” shkruan kryeministri në “Facebook”.

Ndërsa presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova ka përmbushur detyrimet, prandaj shumë shpejtë edhe qytetarët do të lëvizin lirshëm në zonën Shengen.

Thaçi ka thënë se Kuvendi i dha fund paqartësisë së panevojshme politike rreth vijës kufitare me Malin e Zi dhe se ratifikimi i sotëm që mbajti peng përplot tre vite liberalizimin e vizave për qytetarët, ishte veprim i drejtë i shumicës parlamentare.

Thaçi ka shtuar se tani duhet që me hapa të përshpejtuar, të zbatohet pako e reformave, të krihet një dinamikë e re në procesin e anëtarësimit të vendit në BE dhe NATO.

Nuk ka munguar edhe reagimi i menjëhershëm i ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawieqë e cilësoi votimin e marrëveshjes një lajm të mrekullueshëm.“Ky është lajm me të vërtetë i mrekullueshëm. Kuvendi e ka bërë punën e duhur. Faleminderit të gjithëve që morën pjesë”, ka thënë ai.

Një koment ka ardhur edhe nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, i cili shkruan në një postim në “Facebook”:  “Super! Vota për demarkacionin një votë e vonuar, por kuptimplotë për Kosovën si shtet që dëshmon seriozitet në angazhimet e veta. Tani Bashkimi Europian t’i përmbahet pa vonesë angazhimit të vet: Liri lëvizjeje pa viza në Europë për qytetarët e Kosovës”.

Ndërkohë kreu i opozitës Lulzim Basha shprehet: “Përshëndes votimin e sotëm nga Kuvendi i Kosovës të ligjit të Demarkacionit me Republikën e Malit te Zi.
Ky akt është një kontribut thelbësor ne marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe stabilitetit ne rajon.  Partia Demokratike fuqimisht beson se ky akt është një hap i sigurt i Kosovës drejt proceseve integruese.  Ky votim është një lajm i mirë për Kosovën dhe miqtë e saj”.

Zyrtarët e lartë të BE-së përshëndesin demarkacionin: Kosova drejt heqjes së vizave

Pas ratifikimit të marrëveshjes kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi, i menjëhershëm ka qenë urimi nga zyrtarët e lartë evropianë.

Shefja për Politikën e Jashtme në Bashkimin Europian, Federica Mogherini, përshëndeti përmes një postimi në “Twitter” ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi, duke thënë se ky është një lajm i mirë për rrugëtimin drejt liberalizimit të vizave.

“Lajme të mira nga Prishtina: Ratifikimi i marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, #Kosova hap drejt liberalizimit të vizave #BE për popullin e saj”, ka shkruar ajo në “Twitter”.

Komisionari i Bashkimit Evropian për çështje të brendshme, Dimitrit Avramopoulos ka thënë se ky është hap i madh në rrugën drejt liberalizimit të vizave.

“E mirëpres ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, në Kuvendin  e Kosovës. Një hap vendimtar përpara për Kosovën. #liberalizmi i vizave”, ka shkruar ai.

Në të njëjtën linjë me Mogherini-n dhe Avramopoulos-in ka qenë edhe Komisioneri për Punët e Jashtme Johannes Hahn, që e cilësoi si arritje ratifikimin e demarkacionit.

Lista e deputetëve që votuan pro ratifikimit të demarkacionit 

Please follow and like us: