Kullat/Vjedhja që fshihet pas betejës për teatrin e ri
Aktorët dhe regjisorët, të ndarë mes tyre në lidhje me faktin nëse duhet ndërtuar një teatër i ri apo duhet ruajtur i vjetri, nuk janë gjë tjetër veçse marioneta të një shfaqeje që është projektuar gjetkë: në zyrat e Edi Ramës, ku po ndahen llokmat e fundit të vjedhjes së tokave publike të kryeqytetit.
Po t’i rikthehesh historisë se si u ringjall ideja e shkatërrimit të godinës së dikurshme të “dopolavoros”, mashtrimet i kanë lënë vendin njëra- tjetrës.
Fillimisht u tha se trupa e teatrit do të zhvendoset drejt sallës “Turbina” sepse, pas disa rregullimeve, në sallën e vjetër do të luajnë edhe artistët e Teatrit të Operas dhe Baletit. Më pas, i paturpshëm siç di të jetë vetëm ai në mashtrim, Erion Veliaj, nxorri teorinë se godina aktuale e TK, përmban lëndë që shkaktojnë kancer. Pastaj u tha se teatri do të prishet për t’u ngritur një i ri. Por kur protesta mori përmasa dhe reagimi publik filloi të ndihej, ministrja e Kulturës u betua përpara aktorëve se nuk ka një projekt për godinë të re. Ose ajo gënjeu hapur, ose këtë e bëri kreu i bashkisë së Tiranës, i cili vetëm një javë më pas, u tregoi disa aktorëve skicat e godinës së re duke i siguruar se ajo nuk do të ishte poshtë një kulle.
Nuk kaloi shume kohë dhe Edi Rama doli në krah të arkitektit danez Bjorke Ingels për të prezantuar maketin e godinës së re, të cilën shumë specialistë e konsideruan si një plagjaturë të studios ukrahinase “Forma”, që kishte konkurruar me këtë projekt në Korenë e Jugut.
A tregonte kjo plagjaturë se kemi të bëjmë me një zgjidhje të aty për atyshme, sa për t’i hedhur hi syve publikut? Pse nga ky teatër i ri u shfaq vetëm pamja e jashtme, pa sallat dhe mjediset ndihmëse? A nuk janë ato të parat që do duhej të siguronin aktorët, dhe jo vetëm, për një institucion të vërtetë artistik? Me ç’konkurs u vendos që teatrin e ri do ta projektonte Bjorke Ingels? A u bë garë për këtë?
Të gjitha këto pikpyetje të mbetura pa përgjigje dhe ato mashtrime që i lanë vendin njëra- tjetrës, të krijojnë sigurinë se puna e teatrit ishte vetëm loja. Se nën fasadën e betejës për të, ka pasur një tjetër preokupim: si do të zaptohej toka publike që gjendet pas tij për të ndërtuar në atë zonë me fitime marramendëse.
Dhe llogaria është e thjeshtë : Teatri do të zërë afërsisht 3 mijë metra katrorë ndërtim. 4 mijë metra të tjerë do t’i falen ndërtuesve privatë që do të ngrenë dhe godinën e teatrit. Përpos pjesës që dikur i takonte oborit të teatrit, atyre do t’i jepen edhe 2.500 metra katrorë truall publik. Kështu, sipas një llogarie që kishte bërë TPZ.al, ndërtuesi, një klient i Ramës dhe Veliajt që ka marrë pjesë edhe në vepra të tjera publike në Tiranë, do të përfitojë 5.300 m2 tokë ndërtimi, ku do të ngrihen 7 kulla deri në 23 kate, me një sipërfaqe prej 55 mijë m2 dhe me një biznes, kostoja e të cilit arrin deri në 140 milionë euro.
Pikërisht se gropa këtë radhë është shumë e madhe dhe e thellë, në prezantimin e Teatrit të Ri, Rama tha si nëpër dhëmbë se ky operacion financiar do të kalojë me një ligj të veçantë në Kuvend.
Pra ligji do të bëhet në emër të teatrit, për të përligjur këtë vjedhje dhe paratë do t’i fusë në xhepa tjetërkush.
Nëse prioritet, ashtu sikurse thuhet, do të qe gjetja e një mënyre për të ngritur një Teatër Kombëtar serioz (pavarësisht debatit a duhet prishur i vjetri apo jo) logjika duhet të kishte qenë tjetër. Shteti do të kishte ofruar atë që ka, tokën publike, dhe do të kishte pritur se kush do të jepte ofertën më të mirë për të pasur këtë “minerë floriri” në mes të Tiranës, kush ndërtonte një teatër sa më dinjitoz dhe kush ofronte një projekt me impakt sa më të mirë mjedisor.
Por në fakt këtu ka ndodhur e kundërta. Eshtë shmangur çdo lloj konkursi. Eshtë shuar çdo lloj gare. Janë caktuar projektuesit dhe përfituesit. Sepse qëllimi i vërtetë nuk ka qenë teatri, por se si të përdoret ai për të nxjerë miliona nga toka e begatë që e rrethon atë.
Prandaj kjo është një histori e pastër grabitjeje dhe sherri i aktorëve për godinën e re apo të vjetër, nuk është veçse një shfaqe e provokuar marionetash./lapsi.al/