Albspirit

Media/News/Publishing

Kush është ndërtuesi që iu sekuestrua pasuria prej 10 milionë eurosh në Tiranë?

Gjykata për Krimet e Rënda ka vendosur nën sekuestro disa pasuri me vlerë 10 milionë euro në Tiranë, pas dyshimeve se mund të jenë krijuar nga fitime të trafikut të narkotikëve.

Pronat në fjalë i përkasin shtetasit Luan Spahiut. Ai rezulton të jetë dënuar në vitin 2011 nga drejtësia gjermane për përfshirje në trafikun e drogës nga vendet e Amerikës Latine në Gjermani.

Sipas prokurorisë, në sekuestro janë vendosur 32 apartamente, tre njësi tregtare, një vilë, disa garazhe, dy sipërfaqe trualli rreth 23 mijë metër katrorë, të gjitha në kryeqytet si edhe disa automjete luksoze. Kërkesa për sekuestro është pranuar edhe për një kompani ndërtimi në emër të Luan Spahiut.

Sipas burimeve të policisë, Spahiu është dënuar për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Kolumbia drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera. Paratë e fituara nga kjo linjë e trafikut të kokainës, Spahiu i kishte investuar në kompaninë e ndërtimit në Tiranë, si dhe në disa troje ndërtimi dhe sipërfaqe toke në Selitë e në rrugën “Naim Frashëri”.

Spahiu kishte ndërtuar një kompleks banimi të cilin kishte arritur ta shiste pjesërisht. Pas hetimit të Prokurorisë, Gjykata vendosi që 32 apartamente me sipërfaqe 3400 m2 të sekuestrohen.

Sekuestro u vendos edhe mbi tri njësi tregtare në të njëjtin kompleks, me sipërfaqe 230 m2. Po ashtu një vilë tri katëshe në rrugën “Hoxha Tahsim”, me sipërfaqe 340 m2, si dhe disa garazhde u sekuestruan. Gjykata vendosi të njëjtën masë për dy sipërfaqe trojesh në rrugën “Naim Frashëri” dhe në Selitë, përkatësisht 5600 metra dhe 18 mijë m2, si dhe tri automjete të shtrenjta.

Llorgaritë bankare dhe asetet u bllokuan deri në përfundim të procesit gjyqësor që pritet të zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda.

Please follow and like us: