Vazhdojnë ikjet, kurbinasit braktisin LSI
Vazhdojnë largimet nga LSI, këtë herë janë tre këshilltarë të Bashkisë së Kurbinit që kanë braktisur këtë forcë politike duke iu bashkuar Partisë Socialiste. Sipas deklaratës së këshlltarëve Drane Halilaj, Zana Hoti dhe Vlash Piroli, “PS po dërgon vendin në BE ndërsa PD-LSI po punojnë kundër Shqipërisë që u vërtetua edhe me lobimin rus”.
Deklarata e plotë e këshilltarëve të LSI
Përgjatë tyre viteve të fundit, ne këshilltarët e LSI, Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj në Kurbin, jemi përpjekur t’i shërbejmë sa më mirë interesave të qytetarëve tanë, pavarësisht urdhrave të përsëritur që kemi marrë ngë partitë tona për të bllokuar investimet e qeverisë qëndrore në këtë pjesë. Jemi treguar të duruar, me bindjen se pavarësisht luftës politike, në fund do të ishte arsyeja ajo që do të triumfonte. Megjithatë, zhvillimet e fundit politike tregojnë se Partia Demokratike dhe LSI janë të gatshme të bëjnë gjithçka në emër të pushtetit, madje edhe të bashkëpunojnë me Rusinë. Qytetarët e Kurbinit, ashtu si të gjithë shqiptarët e tjerë, nuk kanë asgjë të përbashkët me interesat okulte ruse që dëshirojnë një Shqipëri të përçarë, të prapambetur dhe jashtë Bashkimit Europian. Aleanca e PD dhe LSI me Rusinë, na ka bindur përfundimisht se qëndrimi i mëtejshëm në radhët e këtyre dy partive jo vetëm që është i pamoralshëm, por është edhe i dëmshëm për interesat e të gjithë kurbinasve. Çdo njeri, me sadopak ndërgjegje të mbetur brenda vetes, nuk mund të pranojë të shndërrohet në një vegël në përpjekjen e opozitës për të ardhur në pushtet, duke shitur interesat kombëtare të vendit. Ne, si këshilltarë të njësisë administrative Kurbin nuk kemi asgjë të përbashkët me këtë luftë të verbër dhe të turpshme që po bëhet në emër të pushtetit. Ne, si këshilltarë, por në radhë të parë si qytetarë të përgjegjshëm, si shqiptarë të thjeshtë, nuk kemi asgjë të përbashkët me interesat e tyre. Historia jonë tregon se diçka e tillë do të kishte pasoja të parikuperueshme për të gjithë Shqipërinë. Vokacioni i qytetarëve kurbinas nuk mund të jetë i ndryshëm nga ai i të gjithë shqiptarëve të tjerë. Për këtë arsye, ne deklarojmë sot largimin tonë përfundimtar nga radhët e Partisë Demokratike dhe LSI. Nga dita e sotme, ne i bashkohemi grupit të këshilltarëve të PS, pasi sot ajo është partia e vetme që mishëron aspiratat europiane dhe perëndimore të qytetarëve tanë. Gjithashtu, me këtë vendim tonin, shpresojmë të çbllokojmë përfundimisht paketën e investimeve të parashikuara nga qeveria për Kurbinin, e të bllokuara në mënyrë meskine për shumë kohë nga partitë e opozitës.