Ekstradohet Shefkiu nga Dibra, mori borxh miliona dhe iku në Gjermani
Interpol Tirana ekstradoi nga Frankfurti i Gjermanisë, Shefki Lushën. 49-vjeçari nga Dibra ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi më 16 nëntor 2015, Gjykata e Tiranës e dënoi me 5 vjet burg për veprën penale të “Mashtrimit”. Lusha kishte mashtruar shtetasit D.R, Q.B., A.R, dhe S.E., duke u marrë shuma të konsiderueshme parash, me premtimin se do tua kthente, por pasi u ka marrë lekët është larguar jashtë vendit. Pas shpalljes në kërkim nga Interpoli ai u ndalua në Wiesbaden. Me nisjen e kërkesës së ekstradimit ai është sjellë në Tiranë. Gjithashtu po nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Athina i Vasil Dervishanj, 45 vjeç, lindur në Berat dhe banues në Greqi. Më 1 dhjetor 2013, në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë në dalje nga Shqipëria gjatë kontrollit në makinën tip Mitsubishi të drejtuar nga shtetasi Vasil Dervishanji, u sekuestrua 19 kilogramë mariuanë. Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana më 26 dhjetor 2014, pasi Gjykata për Krimet e Rënda në Tiranë e dënoi me 8 vjet burg për veprën veprën penale “Trafik të lëndëve narkotike”.