Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: Troja pas kalit (2)

Pjesa e dytë

 

  1. PERVOJA

Kthimi kish qenë i vështirë për të gjithë, shumë humbën rrugës, të tjerë u përpinë nga përbindëshat që kishin zënë pritë, mallkimi, në atë rrugë të gjatë që veç kthim s’ish. Mbledhur grusht me kokën midis gjunjëve, nuk donte të dëgjonte më as heshtjen e plotë që e rrethonte, pa cicërrima zogjsh e as krakarritje sorrash, as dritën të shihte, që kthjelltësia e pasqyronte verbuese në atë ditë Maji, se dhe errësira e trembte, si era e squfurit dhe e mishit të djegur në kalbëzim, që e bënte ta ndjente më shumë, çponte sytë dhe hynte në çdo por të trupit. Pluhuri, si shi, tashmë ish tulatur e tharrë gjithandej, në pellgje, njolla djerse, flokë e qepalla. Fshikullima kish lënë tymi dhe grisje shpirti pa fund. Ajo zbrazësi e akullt, si në barkun e Kalit Tradhëtor, tërhiqte çdo gjë në shtjellën e saj, etjen dhe urinë, dëshirën për të jetuar, kur vlerë s’kish më asgjë. Në ato rrugë kur dikur kokën ngrinin flamujt me ngjyra të ndezura si sytë që i shihnin, me krenarinë e një fitimtari të pamposhur, shtriheshin gërmadha që qelbnin erë frike, drojë e turp. Nuk kish qenë asnjëherë i zellshëm, edhe në rininë e tij, kur e kishin zgjedhur Oberscharführer, (komandant skuadre), e kish konsideruar më shumë si një meritë të fituar me disiplinë dhe zgjuarsi taktike në luftrat e improvizuara me armiq të padukshëm. Egërsia s’i kish pëlqyer kurrë, edhe kur lufta i kish ngrirë gjakun ndër deje dhe thikën kish ngulur në mish. Librat e djegur, si shpirtëra të djegur, po ashtu. Llarg dhe i pranishëm. “S’do ishte urti të përfundojë, për një fjalë goje, në një kamp shfarosjeje”!

Më pas Moska, “Dimri”, “Shtrigat e Natës, “Katiushat”; Kursku dhe më së fundi Berlini. Helmeta e hedhur diku, uniforma e grisur, si gjithçka tjetër, që mund të çonte pa menduar në pushkatim, ishin djegur në zjarret e bombave. Kish humbur gjithçka, prindërit, familjen, shokët. Dinjitetin e vet dhe atë të atdheut. Tani, kapiteni Schmidt, një nga të paktët mbetur gjallë, i rrethuar nga civilë të rreckosur, që s’u kish djersirë mustaqja, priste të shkonin të rivarrosnin të shfarosurit, ç’kish mbetur prej tyre, gërmadhat të pastronin nga brenda dhe jashtë, me ndjenjën e një bishe të kapur, pa shpëtim. Qytetarë, ushtarë, pleq dhe fëmijë duhet të mësonin, të dinin ç’kishin bërë. Të ç’bëheshin. Dhe ky ishte vetëm fillimi…

Troja e Tretë

Viti 1945 e gjeti vendin, jo vetëm të ndarë në dysh, por edhe të cunguar nga pjesë, që u shpërndanë andej këndej si trofe lufte. Konferenca e Postdamit mori të gjitha masat, që tmerri i shkuar, të mos përsëritej më. Të mundurit, kishin mundur të ngriheshin pas luftës së parë, më të fortë, më të egër, më të vendosur. Mendimi gërricës, që s’ishin muret e Trojës, që e bënë të pamposhtur dhe as perënditë, që e gjunjëzuan, por një dredhi e rëndomtë njerëzore, turma, që besoi verbërisht në idenë e një prijësi kryelartë, fshehur në barkun bosh të një Kali, me marrëzinë e një madhështie të rreme, “dhuratë perëndish”. Për të gjithë e frkshmja, nuk ishte fuqia ushtarake dhe ekonomike, tashmë plotësisht e rrafshuar, por pikërisht ajo njerëzorja, mendore, që polli titanë dhe u ngrit më e fortë kur e mundën, aq sa shkatërroi çdo gjë përreth. Një shtet ushtarak dhjetëmilionësh, me po aq antarë partie, SS dhe spiunë, ku dy të tretat e popullsisë bindej me brohërima ngazëllimi “Heil!

Dhe pesëmbëdhjetë milionë të vrarë.

Faji

Faji, si mëkati, plotësisht njerëzor.

Një klasë e mesme e dobët, çoi në formimin e vonë të kombit-shtet, në një shtet shtypës, kthyer në një traditë bindjeje, bëri të pamundur një vetëqeverisje demokratike.(Ralf Dahrendorf)

Nga ana tjetër, pasojat shkatërruese nuk mund të shpjegohen veç nëpërmjet besimit të verbër ndaj Fuhrerit priapist, partisë, shtetit dhe politikës së tij, që e bënë Peter Graf von Kielmansegg të thoshte se “ishte gjëma ajo, që i bëri gjermanët të aftë për demokraci”.

Rikthimi në vlerat e qytetërimit ishte një proces i gjatë sa vetjak, aq dhe kolektiv, por rallë, si asnjëherë, qe gjithkombëtar, për të menduar, prapë dhe përsëri gjëmën që ndodhi. Më së pari, përpjekjet e çdo individi për të kuptuar dhe analizuar pjesëmarrjen e tij në makinën e Reichut të Tretë, bashkëfajsinë me diktaturën dhe së dyti bashkëpunimin e organizatave të ndryshme, institucionet fetare dhe grupe të tjera për bashkëpunimin enthusiast me diktaturën. Kjo u arrit nëpërmjet debate konstruktive ideologjike, nga ku u nxorrën mësime, në kundërshtim të hapur dhe të drejtpërdrejtë me idetë e mos pranimit dhe shmangjes nga përgjegjësia, si ajo, “kështu ishte koha, s’mund të bëhej asgjë”. Se kish nga ata që bënë. Qoftë dhe një Laokont i vetëm!

Kjo u krye në tre periudha historike dhe ende nuk ka përfunduar:

  1. Periudha e parë menjëherë pas mbarimit të luftës, Konferenca e Postdamit, me demilitarizimin, depolitizimin (shpërbërja dhe shpallja jashtë ligjit e partisë naziste) dhe decartelizimin (prishjen e karteleve të mëdha të lidhura me shtetin e plotfuqishëm, shoqëruar me pranimin e fajit dhe të krimit,
  2. Periudha e Dytë “koha dinamike” e viteve gjashtëdhjetë, me qëndrueshmërinë e qeverisë së Adenhauerit, kur u shndrrua në një shoqëri civile bashkëkohore, me mendësi dhe kulturë “konsumi”, të tipit amerikan, ku popullsia u mësua me regjimin e ri politik dhe ideologjik, duke ndjerë mirëqënien në rritje dhe duke bërë të vetat vleral liberale, ngushtësisht dhe emocionalisht e lidhur me demokracinë e krijuar.
  3. Periudha e tretë e Revolucionit Qytetar të viteve 80-90-të e bazuar në të drejtat njerëzore, bashkimit të dy Gjermanive dhe në vazhdim.

Ata

“Gjermanët nuk kanë ende demokraci, kështu që nuk duhet të gënjejë veten e të mendojnë se mund të përfitojnë nga të mirat e saj”24 gjenerali Clay.

Demokracia, sipas filozofit Karl Jaspers do të ishte një “transformim nëpërmjet vetë-edukimit”, bashkë me pranimin e sinqertë të krimeve të diktaturës, me një “vetë-reflektim për historinë” sipas vlerave perëndimore, duke forcuar kështu “përgjegjësinë e individit”, dënimi për faje kundër njerëzimit të udhëheqësve ushtarake dhe të policisë sekrete SS. Militantizmi partiak dhe militarizmi duhej të zhdukeshin nga mendja e njerëzisë, siç medaljet dhe trofetë, hierarkia në shkallën e pushtetit shtypës, librat, tekstet shkollore dhe gjithë propaganda e lidhur me luftën dhe çfarosjen. Me to, festat dhe monumentet që evokonin një të shkuar të njollosur. Ekspozimi i vazhdueshëm faktik dhe i përsëritur i vuajtjes dhe i krimit, hoqi çdo dyshim dhe justifikim për çka ndodhi dhe gdhendi në ndërgjegje përultësinë e fajit. Tmerri ngeli ngulitur në kujtesën kombëtare: “tirania e egër e diktaturës Nacionalsocialiste duhej të shkulesh me rrënjë dhe degë” dhe siç shkruante Raymond Daniell, që e konsideronte mbështetjen e popullit gjerman për regjimin nazist provë të shbërjes kulturore: “ngadalë Evropa dhe e gjithë bota do ta kuptojnë që vetë populli gjerman dhe jo vetëm Kaiseri apo Hitleri, janë ata me të cilët duhet të ndeshemi, se cilido që ndenji ulur i qetë dhe nuk kundërshtoi veprime të tilla kish një mungesë të thellë morali”. Përgjegjës kryesor për këtë ishte Nacional-Socializmi dhe në rrënjë të tij, Nacionalizmi. Kjo çrrënjosje e domosdoshme filloi në shkollat fillore dhe tetëvjeçare, deri sa u shtri gradualisht në të çdo qelize të shoqërisë, nëpërmjet një debati të vazhdueshëm idiologjik, krijimi të një gazetarie jo propagandistike, bazuar në fakte dhe parime perëndimore, si dhe “shtëpive amerikane”, i organizatave të ndryshme kulturore dhe e një letërsie të re, arritën, jo vetëm të shuanin etjen për të ditur se çfarë bëhej në botën përreth, por dhe të ndihnin dhe nxisnin mendësi të reja, larg traditave arkaike të kombit-shtet, apo shtetit të gjithëfuqishëm. Në këtë përpjekje ndihmuan idetë e shumë intelektualëve, si rektori i Universitetit të Marburgut Julius Ebbinghous që hodhi idenë në kthimin në patriotizmin e bazuar në “sundimin e ligjit”. Të tjerë kërkuan të kapërcejnë nacionalizmin duke bashkëpunuar në projektin e Evropës së Bashkuar, ide që kish filluar në disa grupe të rezistencës qysh gjatë luftës. Kështu, raca e dikurshme superiore ariane u detyrua të shndërrohej në një bashkësi mjerane veteranësh të gjymtuar, vejushash të përdhunuara e përdhosura, jetimë, refugjatë, të dëbuarish dhe të pastrehësh, nisi ngadalë të merrte një përmbajtje të re. Kështu për të hedhur dritë mbi të shkuarën e turbullt, shkrimtarët perëndimorë si Günter Grass, Heinrich Böll, Rolf Hochhut dhe Peter Weis, sulmuan në mënyrë të drejtë për drejtë krimet e nazistëve aktivë, si dhe fajin e ndjekësve pasivë.

Ndihmesa e intelektualëve largpamës ishte veçanërisht e suksesesshme, në krijimin e një disipline të re në shkencat politike, (gjatë viteve 50-të), sipas modelit amerikan, “shkencën e demokracisë”, e cila do të ishte forca drejtuese në edukimin e gjerë politik. Themeluesit e kësaj disipline të re përifshinin Theodor Eschenburg dhe Eugen Kogon, demokratë të vendosur dhe të edukuar si juristë, historianë dhe gazetarë. Emigrantë që u kthyen nga SHBA luajtën gjithashtu një rol të rëndësishëm.

Revoltat e brezave e 1968 e ngritën vetë-akuzimin në një formë të përçudnuar nacionalizmi negativ. Rritja në vlerë e postmaterializmit, siç ndodhi kudo në shoqëritë Perëndimore, u shoqërua me një humbje të jashtëzakonshme të autoritetit të brezit të vjetër, (të mbijetuarit e luftës), ndaj brezit të ri, tashmë të lirë nga paragjykimet, ngurtësia e mendimit dhe që identifikonte veten tashmë me vlerat Europiane. Duke iu larguar nga nacionalizmi, shumë nga ata u bënë ndjekës pasionantë të internacionalizmit, një mendësi moralizuese e botës së tretë, dhe shpesh me një simpati naive për luftërat çlirimtare anti-imperialiste.71.

Më 1970, Dolf Sternberger dhe social filozofi i njohur Jürgen Habermas, përfaqësuan një shkëputje vendimtare nga botkuptimi etnik i kombit dhe në vend të tij ideuan ndërtimin e një shteti me vlera morale mbi të drejtat e njeriut, koncept, që pasqyronte pranimin e Ligjit Themeltar, i cili siguron mbrojtjen e plotë për individët që nuk bashkoheshin me shumicën, si dhe grupet opozitare a kundërshtare, nga shpërthimet shtypëse të shtetit.72

Më 1980, shpërbërja e konceptit të kombit, u përshpejtua me pranimin e dykombësisë, qenësinë e dy shteteve, duke e justifikuar këtë moralisht si domosdoshmëri historike, dënim për krimin e Holokostit, apo për të ruajtur paqen në Evropën Qendrore. Si pasojë e këtyre zhvillimeve, shumica e gjermanëve shfaqen shenja të qarta të një identiteti të thyer, që u mëshirua në konceptin e “kombi paskombëtar”, i cili nga njera anë tregonte shkëputjen përfundimtare nga bota e Mbretërisë së Tretë, me pasojat e saj katastrofike dhe nga ana tjetër nxiste dhe përshpejtonte një internacionalizëm, që vinte nga mendësia e maskonsumit, kulturës popullore, turizmit dhe kozmopolitane për nga horizontet e hapura përpara saj dhe megjithatë, 45 përqind e popullatës nuk ishin krenare për kombësinë e tyre.

Së fundi lëvizjet për bashkim dhe demokraci në Gjermaninë Lindore në vitet 90-të, shtruan përpara shoqërisë probleme të reja, që u shndërruan në një lëvizje për integrim dhe unifikim të natyrshëm dhe gradual nëpërmjet një debati të gjerë shoqëror.

Deutschland

Aty rri, e ushqyer mirë, e pastërt, e rregullt, zonjë e mbajtur për moshën që ka, pa asnjë dyshim, e shëndeteshme, sepse kritika kish mundur të korrigjonte shumë gabime, balanci i këtij “shteti gjerësisht të pranuar gjerman” është mjaft pozitiv. Ky shtet mburrej me garancitë e fuqishme të lirisë së individit dhe grupit, për një shkallë të lartë qëndrueshmërie të ligjit, për një legjislacion efektiv, me një qeveri plotësisht të ndërgjegjshme për problemet, një bashkësi territoresh që funksionon lirshëm, një rrjet të dendur të përkujdesit social dhe një bazë të gjerë shoqatash në një listë të gjatë arritjesh si kulturë e qytetërim, mbresëlënëse. 108 Kjo nuk erdhi vetiu, por ishte rezultat i një shkollimi të gjatë dhe e përpjekjeve të vazhdueshme për demokraci, nga një aftësi e jashtëzakonshme për t’u reformuar dhe përshtatur ndaj sfidave të kohës, brenda kornizës së vendosur nga Ligji Themeltar.

Troja e re, s’kish mure!

 

 

 

Please follow and like us: