Albspirit

Media/News/Publishing

Enton Abilekaj: Dhurata e Metës në festën e Greqisë

Ndërsa kufiri mes detit dhe tokës nga Shkodra në Durrës ka humbur tashmë dhe njerëzit nuk po e kuptojnë më nëse jetojnë ne tokë apo në ujë dhe tokat që tjetërsohen në Lezhë gjenden në një hapësirë astokasdet, në Hotel Plazza shkëlqeu një akt I paprecedent i Presidentit, për kufirin natyral të detit.

Çelësin e Jonit që e mbante të shtrënguar në Presidencë, për të mos lejuar asnjë milimetër katror det të negociohej nga qeveria, Ilir Meta nuk e dha më në fund, por jo Ministrisë së Jashtme shqiptare, Ambasadës greke. Ai qëndrim që u duk të ishte vetëmohim në emër të interesave kombëtare, që u mbështet nga opozita dhe nga diaspora, që e bëri Qeverinë të ishte sadopak transparente dhe e detyroi të shtonte një anëtar në grupin negociator, ishte vetëm preludi i një akti surprizë, i një dhurate që Presidenti kishte vendosur tua bënte grekëve. Ata, shpikësit e dhuratave me kuaj të drunjtë, u habitën kur morën në dorë atë firmë mbi drurin e përpunuar që Presidenti çuditërisht kishte vendosur tua jepte grekëve.

E sigurtë është që këtë herë Meta e nxori blof Ramën, ndoshta hera e parë në marrëdhënien e të dyve. Ndërsa kryeministri bëri gjithçka për të marrë autorizimin, ndërsa dilte nëpër media dhe thoshte presidenti ka të drejtë, ndërsa zgjeroi tepsinë e grupit negociator, me një Profesor të nderuar, Rama shpresonte t’i merrte Metës edhe një herë atë që i duhej.

Meta këtë herë, nuk u gënjye si gjithmonë. Ai tani është President dhe, me pjekurinë politike të Presidentit, nuk ia dha Kryeministrit, a Ministrit të Jashtëm të vendit të tij, por ambasadores së palës tjetër. Rama vërtetë e mori atë që donte, vërtetë e kaloi edhe një herë pengesën e Ilir Metës, por nuk e pati fatin si herët e tjera, që ish aleati t’ia dhuronte personalisht aktin e dorëzimit. Si President ai zgjodhi që aktin e dorëzimit tua jepte në dorë grekëve, që askush të mos i thotë që Rama e gënjeu edhe atëherë kur askush nuk e priste.

Ndërsa shqiptarët që pyesnin “Pse Greqia është kaq e dëshiruar për marrëveshje ndërsa ne hezitojmë? A do humbasim apo do të fitojmë nga kjo marrëveshje? Pse nuk ka transparencë për Paktin Detar?”, e morën përgjigjen në Festën Kombëtare të Greqisë, kur Presidenti i dorëzoi ambasadores Greke autorizimin e Shqipërisë për të negociuar me shtetin e saj.

Ata që presin që Presidenti grek t’i dorëzojë ambasadores shqiptare atje autorizimin për negociatat me Shqipërinë, duhet të jenë të sigurtë që kjo nuk ka për të ndodhur. Nëse këtë do ta bënte Presidenti i Greqisë, Athina do ishte shkrumbuar plotësisht në ato pak orë që do t’i duhej Parlamentit ta shkarkonte me unanimitet.

Please follow and like us: