Kozeta Turishta: Gëzuar datëlindjen, Mam!
Marsi, muaji që sjell pranverën me shumë diell, muaji i gruas, i bukurisë dhe forcës së saj të jashtëzakonshme, po kaq të bukur dhe të ngrohtë janë të lindurit në këtë stinë që lulëzon vetë jetën. Në 22 mars, ka lindur një grua e bukur, fisnike, e mençur, e dashur, një nënë për të cilën sot fëmijët e saj janë krenarë për të. Lilianë, emri që mban aromën më të bukur të luleve që sjell marsi, si simbol i mirësisë, i bukurisë e i pafajësisë i kësaj luleje, kështu është dhe emri i nënës sime të shtrenjtë, të asaj që më dha jetë nga jeta e saj, që më rriti me shumë mundime, por më shumë dashuri e përkushtim. Sot më shumë se kurrë dy fjalë më takon t’i shkruaj me përulje për sakrificat e çdo dite e kujtim të bukur të njeriut më të rëndësishëm të jetës sime.
Me mall, shumë mall, çdo ditë e natë, i mbyll dhe i hap sytë e shpirtit e të mendjes me ty, sepse ti je më e pazëvendësueshmja, më e dashura, më unikja, më e shtrenjta përgjithmonë. Më mungon çdo gjë e jotja nga afër, por sërish e kam shpirtin plotë kur mendoj sa me fat jam të quaj nënë, një grua si t’i që më ka mësuar forcën për t’ja dalë jetës me dinjitet në të mirë e në të keq.
Kështu janë të gjitha nënat shqiptare, më të mirat në këtë planet që japin jetën për lumturinë e fëmijëve. Asgjë nuk mund ta shpërblej këtë ndjenjë sublime, si e vetmja dashuri e vërtetë dhe e pa kompromis e qenies njerëzore, sepse aty ku është gruaja është jeta, aty ku është nëna është shpresa, është drita, është dashuria dhe kuptimi i plotë i familjes. Gëzuar datëlindjen shpirt i bukur, edhe 100 pranvera të tjera t’i gëzofsh pranë shokut të jetës super babait tonë më të dashur në botë.
Të duam shumë, me dashuri, tre fëmijët e tu!