Ndue Ukaj: Demarkacioni ka bartur pas vetes një nga intrigat më të mëdha të historisë së re të shqiptarëve
Demarkacioni, siç e shpjegoi me një kulturë të pashoq politike, nënkryetari i Kuvendit, Kujtim Shala, këto vite të fundit ka bartur pasë vetes një nga intrigat më të mëdha të historisë së re të shqiptarëve.
Po, kjo është e vërteta dhe këtë të vërtetë duhet ta dinë qytetarët e këtij vendi.
Kjo intrigë është konstruktuar politikisht dhe është përdorur politikisht, për efekte e qëllime të ulëta politike.
Por, për një gjë duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të qartë: pasojat e kësaj intrige dhe të këtyre përplasjeve të pazakonta që po ndodhin në Parlamentin e Kosovës, qytetarët e këtij vendi do t’i bartin gjatë mbi supet e njoma, ashtu siç po i bartim tash e sa kohë pasojat e veprimeve të marra të marsit 2004.
Me këto veprime të marra, dikush po tenton të vejë kufij me miqtë tanë, bashkë me të cilët kemi fituar lirinë dhe pavarësinë.
Kosova, duke i dëgjuar miqtë perëndimorë, deri tash nuk ka humbë asgjë. Përkundrazi, ka fituar gjithçka që ishte ëndrra e saj: ka fituar lirinë dhe pavarësinë.
VV-ja me gjuhë arrogante dhe me sjellje të papranueshme dhe jodemokratike, ka krijuar kulturën e “mosnënshtrimit” ndaj miqve perëndimorë.
Ky është kurth i madh për Kosovën.
Ky është kurth nga i cili duhet ta shpëtojmë Kosovën dhe të ardhmen e saj.
Një gjë është e qartë: duke gjuajtur gaz, jemi bërë gazi i botës.