Spartak Ngjela: Ikja e politikanëve nga korrupsioni
I pari duhet të largohet kryeministri aktual: Rama duhet të japë dorëheqjen para se të fillojë akuza kundër tij. “Kudo spikat korrupsioni i qeverisë aktuale”, kështu i thanë Ramës në Bruksel; kurse ai bën sikur skupron. Ky grup të korruptuarish, që ka dhunuar dhe ka varfëruar shqiptarët, nuk mund të vazhdojë më të qeverisë.
1. “Ka filluar vetingu”, tha Rama në Bruksel. Dhe mendon se po gënjen politikën perëndimore. Ka takuar edhe Mogherinin, dhe me sjellje prej mashtruesi mendon se do realizojë hapjen e negociatave në muajin prill pa realizuar kushtin antikorrupsion të vënë nga Uashingtoni.
Por këtu ka një pyetje: po amerikanët, përkatësisht politika amerikane, ç’thotë?
Asgjë, thotë ajo; se kryeministrit shqiptar i është vënë një kusht: duam të shohim ligjin për vetingun e politikanëve të lartë. Por Rama nuk e ka pranuar. Dhe amerikanët e dinë psenë e kësaj; ngaqë Rama vetë është i implikuar në korrupsion.
Nërkohë Rama mendon se mund të luajë në tel: “do të iki në Moskë”; thotë nëpër bisedime me rangje të ulët, dhe harron që Uashingtoni e di që me këtë tezë shqiptarët e djegin me gjithë brekushet e tij.
Po socialistët ç’presin akoma, me këtë njeri që nuk e pranon politika perëndimore si partner, duan të djegin veten? Gjithçka është hetuar, dhe grupi i Ramës në qeverisje sot është njëlloj i implikuar si grupi i ministrave të Sali Berishës. Është paaftësi nëse lidershipi i pakorruptuar Socialist do të hyjë në rrugën e vetëshkatërrimit për një njëri pa fare vlerë morale si Edi Rama, që tani është në konflikt të hapur moral me politikën amerikane.
Ja pra, kjo është tabloja, sepse Rama ka shkuar në Bruksel që t’iu shmanget amerikanëve. Por kaq mediokër mbeti ky fakir dhe ky i çalë nga mendja!
2. A e di zoti Rama që rruga e Shqipërisë drejt Brukselit, kalon nga Uashingtoni? E di ky gjithashtu që eliminimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar është nevojë urgjente për akuzën penale që do të ngrihet për Ramën, Berishën, Metën bashkë me taborët e tyre të ministrave të korruptuar?
Nuk mbaron korrupsioni shqiptar me eliminimin e 40 apo 50 gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë. Korrupsioni fillon kur të nisë vetingu i vjedhësve të mëdhenj të arkës së shtetit shqiptar në 20 vjetët e fundit. Kurse po kuptohet që ekspertiza amerikane ka vendosur ta fillojë nga korrupsioni i pushtetit vendor. Dhe skema filloi të shfaqet në Lezhë, për të avancuar në bashkitë e tjera. Dhe faktet janë drithëruese në bashkinë e Lezhës. Një grabitje e paskrupullt.
Por korrupsioni shqiptar Lezhë është vetëm një pikë uji, sepse gjëndja është shumë e rëndë. Ja gjendja e faktuar deri tani: Vetëm nga një bankë në Tiranë janë transferuar në mënyrë abuzive dhe pa gjurmë mbi 5 miliardë Euro nëpër bankat ofshor. Është bërë batërdia me pronat. Është grabitur e gjithë prona e pronarëve të vërtetë nga pushtetarët e mëdhenj të demokracisë farsë në Shqipëri. Është grabitur nafta. Është shkatërruar i gjithë sistemi i tregut të naftës me kontrabandën e shitjes së naftës shqiptare, të prodhuar dhe shitur këtu, dhe e deklaruar si e eksportuar. Është grabitur Banka e Shqipërisë. Është vjedhë mbi 40 përqind e fondit të investimit nëpër akset rrugore. Është krijuar skemë e prodhimit dhe shitjes së narkotikut. Është shitur dhe përvetësuar privatisht më shumë se 60 përqind e arsenalit ushtarak, afër 2 miliardë dollarë. Është marrë me dhunë mbi 20 mijë hektarë tokë dhe truall në bregdet. Është mbushur tregu me skadenca në bashkpunim të shtetit me spekullantët.
Dhe e gjithë kjo masakër antikombëtare që ka varfëruar deri në ekstrem shqiptarët, është vepër direkte e korrupsionit kryeministror shqiptar, se, i gjithë korrupsioni kryeministror shqiptar, në të dy krahët e administrimit: qëndror dhe vendor, është një grabitje që deri tani është vlerësuar në mbi 10 miliardë Euro.
Dhe, për të mbrojtur të gjitha këto, Edi Rama, një kryeministër që nuk di të bëjë asgjë, kërcënon Perëndimin se mund të shkojë në Moskë, njëlloj si Berisha dhe Basha që deshën të destabilizonin Shqipërinë me forcat ruse.
Pa shko, një herë Rama te baba, si Haxhi Qamili! Provojë t’ua thuash shqiptarëve që “kërkoj të mbaj korrupsionin duke e çuar Shqipërinë sërish në Lindje”. Thuajua shqiptarëve këtë, pa e sheh se çfarë të gjen ty dhe të gjithë taborin tënd.
Por tani kuptohet qartë se Rama këtë e bën se mendon që, me paratë e grabitura nga korrupsioni të garantojë përjetësisht sundimin e shqiptarëve. Hajde mendje hajde! Do t’i dorëzosh, Rama, të gjitha do t’i dorëzosh, një e nga një.
3. Janë 10 miliardë Euro të provuara se u janë grabitur shqiptarëve nga korrupsioni. Por nuk janë vetëm kaq, sepse hetimi ndërkombëtar po vazhdon. Zoti Rama, kjo është vepra juaj e cila duhet të ndëshkohet e gjitha. Por ndëshkimi i saj është pikërisht kushti amerikan dhe gjerman për hyrjen e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Të tjerat janë fjalë katundi.
Ndërsa ky proces ende nuk ka nisur, dhe një pafille si Edi Rama mendon se mund të gënjejë politikën amerikane dhe gjermane me ato që dëgjuam dje në media për takimet e tij në Bruksel.
Jo zotëri, nuk janë fare ato arsyet e pranimit të gjendjes shqiptare për përmbushjen e detyrimeve kundrejt arritjes në luftën kundër korrupsionit. Jo; është tabloja që unë paraqita më lart. Shumë shpejt sigurisht se do të pritet që të vendoset botërisht kushti për eliminimin real të korrupsionit kryeministror shqiptar në 20 vjet në Shqipëri: që nga viti 1998 e deri në vitin 2018.
Duhet të fillojnë denoncimet reale të gjetura realisht për të gjithë nivelin e lartë të korrupsionit shqiptar. Dhe kjo do të fillojë, sigurisht. Në fakt këtë po përgatit edhe Uashingtoni, edhe Berlini, por sidomos, këtë po presin edhe shqiptarët. Dhe denoncimi duhet të fillojë domosdoshmërisht, se koha ka ardhur.
Eliminimi i korrupsionit shqiptar do të jetë fillimi i procesit të shfaqjes së forcës shqiptare në Tiranë, në Prishtinë dhe në Shkup. Në fakt tani ai është i eliminuar, sepse hetimi ndërkombëtar e ka faktuar plotësisht.