Me votimin e demarkacionit kanë fituar edhe votuesit e ‘Vetëvendosjes’
Çerçiz Loloçi
Pas shumë peripecive të ardhur nga forca të ndryshme politike dhe kryesisht nga ‘Vetëvendosja’ (që ka në thelb një frymëzim marksist), Kuvendi i Kosovës ka votuar marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi duke i hapur kështu rrugë proceseve të tjera të integrimeve auroatlantike. Me 80 vota ‘pro’ dhe 11 ‘kundër’ Parlamenti i Kosovës ratifikoi marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi. Marrëveshja u votua nga partitë në pushtet dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në opozitë, ndërsa kundër saj votuan Grupi i Pavarur i Deputetëve, grup ky i fraksionuar nga lëvizja ‘Vetëvendosje’.
Padyshim një veprim i drejtë dhe i përgjegjshëm i klasës politike, pozitë dhe opozitë, në përputhje me porositë e bllokut perëndimor dhe posaçërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian.
Pas këtij akti kanë reaguar menjëherë Uashingtoni zyrtar dhe Brukseli duke thënë se Kosova hodhi hapin e madh për të udhëtuar pa viza në kontinentin e tyre, pra që të jenë qytetarë të lirë dhe europianë të denjë.
Ambasadori amerikan në Prishtinë Greg Delaëie tha se “ky është lajm me të vërtetë i mrekullueshëm, parlamenti i Kosovës bëri gjënë e duhur dhe në emër të vendit tim dua të falenderoj të gjithë ata deputetë që në mënyrë demokratike kanë votuar për marrëveshjen për shënimin e kufirit me Malin e Zi”.
Shefja për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Europian, Federica Mogherini tha se “Kosova niset në rrugën drejt lëvizjes së lirë pa viza në Bashkimin Europian për qytetarët e saj”. Europarlamentarja Tanja Fajon, njëherësh është raportuese për Kosovën në Parlamentin Europian tha se me këtë marrëveshje është hequr një pengesë e madhe për Kosovën. “Shumë e lumtur për lajmet pozitive nga Kosova pas votimit të marrëveshjes për shënimin e kufirit. Një pengesë e rëndësishme është tejkaluar për të mirën e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Unë do të bëj më të mirën që liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian së shpejti të bëhet një realitet! Kosova nuk ka qenë kurrë më pranë Evropës”, tha ajo.
Qytetarët e Kosovës, përfshi edhe votuesit e ‘Vetëvendosjes’, këtej e tutje nuk do të jenë më të izoluar nga perëndimi, por do të japin ndihmesën e tyre në vlerat e civilizimit botëror.
Nuk mund të thuhet se kjo marrëveshje e kufirit të Kosovës me Malin e Zi është më e mira e mundshme, por sjellja e lidershipit të ‘Vetëvendosjes’ ka qenë jashtë të gjitha mormave dhe standardeve të një partie civile dhe demokratike.
Natyrisht që kjo forcë politike nuk mund të akuzohet për lidhje dhe mbështetje nga Moska zyrtare, por nga ana tjetër është fakt i njohur se Rusia është kundërshtarja kryesore e pavarësisë së Kosovës, madje ka vënë kusht për njohjen e saj duke e barazuar me territore që ajo i ka marrë ushtarakisht.
Po ashtu nuk mund të thuhet se ‘Vetëvendosja’ mbështetet nga faktorë arabë, por është mëse e ditur dhe e faktuar se shumë vende arabe, përfshi edhe Palestinën, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe ndihmesën e tyre e kanë dhënë më shumë në instalimin e fanatikëve islamikë që përbëjnë një kërcënim serioz për paqen dhe fatet e popujve perëndimorë.
Spiunët, mercenarët, të paguarit nga qarqe antishqiptare, komisarët e Tiranës për ‘Vetëvendosjen’, padyshim kanë marrë një humbje të madhe me aktin e matur të votimit të përcaktimit të kufirit me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës.