20 vjeçari që u vra nga policia e Fierit
Identifikohet personi që u vra në përplasjen e armatosur me policinë e Fierit. Ai është Xhuljan Sollaku, 20 vjeç, banues në Katund i Ri, Elbasan. Ndërsa i plagosur ka mbetur Arben Meça, 37 vjeç, banues në lagjen nr 13 në Durrës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm në lagjen “29 Nëntori”. Minella Muçaj, pronari i shtëpisë, që u sulmua nga grabitësit, njoftoi policinë dhe në pak kohë shërbimet e policisë mbërritën në vendngjarje. Aty efektivët u përballen me disa persona të maskuar e të armatosur me pistoleta e automatikë, të cilët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre.
Policia e Fierit njoftoi se nga shkëmbimi i zjarrit, njëri nga autorët është plagosur dhe një tjetër ka gjetur vdekjen. Të dy ishin të maskuar e të armatosur me pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Autorët e tjerë, që dyshohet se janë dy persona, arritën të largohen, duke përfituar nga errësira dhe kushtet e motit. Nga radhët e Policisë së Shtetit mësohet se nuk ka efektivë të lënduar.