Cikël poetik nga Liljana Furrxhiu
Kundërshtarja
Kohën e kam varur në çengelin e harresës
I jap ujë e bukë të mbaj frymën gjallë
Ankohet e rënkon rëndë netëve
Ka frikë nga minjtë që i vijnë vërdallë.
Kohën e kam shpallur kriminele të arratisur
As gjurmët s’dua t’ ia shoh më.
Më zgjon kujtime e dhimbje të mekura
Me pasqyrë në dorë në gjyq më vë.
Kohën e vras me buzëqeshje!
Bashkëvuajtëses sime
Të kam tërhequr zvarrë prej flokësh
Sa herë shpirti më pikonte vrer.
Të kam thyer gjunjtë me bastun inati.
Sa herë dita më nxihej e bëhej terr.
Të kam varur kokëposhtë në të gdhirë.
Sa herë got zhgënjimi kisha pirë.
Të kam interrnuar për shumë vjet.
Se humba gjurmët e pafajsisë në mërgim.
Të kam nxjerrë sytë me shtizat e mamasë.
Sa herë çatia e vetmisë merrte flakë.
Të kam mbytur në pusin e fëmijërisë
Sa herë etja më thante buzët e ëndrrës.
Të kam detyruar të flesh në bodrum
Sa herë zemra bëhej bishë e lehtë hum- hum.
Të kam zhveshur në mesdimër lakuriq
Sa herë doja të ndëshkoja veten e frikën.
Të kam martuar me trishtimin tim.
Sa herë martesa ime ishte bukë me hime.
Të kam mbuluar me akrepa për inat.
Sa herë ndieja gjemba të ngulur në mish e asht.
Të kam përzënë këmbëzbathur në mesnatë
Sa herë pagjumësia kishte vrarë gjumin tim.
Të kam quajtur “shtatanike e shpifur”
Sa herë dilje nxituar prej trurit, si suferinë.
Të kam gozhduar si Krishti në pishën e vjetër
Sa herë s’kisha në shpirt as laps, as letër.
Të kam dënuar me burgim të përjetshëm
Sa herë si gjeja çelsin e qelisë time.
O zot,
sa shumë të kam munduar, mikja ime besnike.
Poezi, sa durim paske dhe ti!
Mos harro!
I themi vetes, kur na kap zemërimi,
kur pengohemi nëpër kurthet e mendjes,
kur ia verbojmë syrin magjik agimit,
kur lyjmë xhamat me të zezën e frikës,
kur drita e të vërtetave lodron mbi baluke,
kur muret zhgarravisim me thonjë çjerrim yjet,
kur natën e bëjmë ditë, me dashje djegim ëndrrat,
thyejmë feyjet.
Mos harro!
I themi tjetrit, kur frerët janë këputur,
kali i zemërimit turret mbi lëndinat e zhgënjimit,
kërpudhat e ideve nxihen nga mikrobi i zymtësisë,
përroi i egos bëhet lumë me trungje, lumi – det me kufoma,
deti – oqean me amanete,
ku anijet pa vela, të llogjikës, kërkojnë brigje justifikimi,
e enden si shpirtra poetësh … të verbuar nga ato që panë,
që pinë në oazet e fantazisë
Mos harro!
I themi inatit, kur ka ngritur diga kokëderrësie,
kur turfullon e gërryen çastet e bukura,
u bluan brinjët dhe fjalët në mokrra opinionesh,
ecën çalë – çalë, ai copë shpirt që mbahet me dhëmbë,
dhe kap një fije bari e bën litar, veten merimangë
e ngjitet në qiell, të ndriçoj avllinë, çatinë,
oborrin që sipas qefngeljeve,
qejfshkeljeve,
sipas ëndjes,
marramëndjes,
zhgjëndjes mbiell.
Mos harro!
I themi vetes, tjetrit, inatit …
… por harrojmë. Me gurë që rrëshkasin nga uni,
verbojmë një diell.
Pengohemi në skeletet e çastit.