Dy fjalë për vëllimin poetik “Më pëlqen e vërteta“ të autorit Gjergj Deda
Irma Kurti
Poete e shkrimtare Itali
Një përmbledhje poetike ku zbulohen, përmes një analize të detajuar, forma të larmishme të shprehjes së mendimit si dhe tendenca për të pasqyruar anë të ndryshme dhe të shumta të realitetit që jetojmë. Nëpër vargje lëviz shpirti i një krijuesi me ndjenja patriotike, që nuk mund të mos vërejë dhe të mos ngrejë zërin ndaj problematikave të përditshme të shoqërisë shqiptare dhe më gjerë.
Që në faqet e para gjen një rrëfim në vargje për nostalgjinë për Atdheun, për rininë e jetuar në brigjet e detit të Lezhës, për mallin dhe atdhedashurinë, për kujtimet nga qyteti i Shkodrës dhe Durrësit, çaste të jetës së emigrantëve shqiptarë në Itali apo kudo që ata ndodhen.
Nëpër poezi “takon” djem dhe vajza shqiptare në emigracion me zemër te gjerë e të dallgëzuar si detet e oqeanet, prek me dorë bukuritë e natyrës si dhe dritëhijet e aspekteve të ndryshme të zhvillimit dhe të qytetërimit.
Vargjet e gërshetuara me figura letrare jo vetëm nxjerrin në evidencë po edhe dënojnë dukuri e fenomene negative të shoqërisë se sotme. Vuajtja, varfëria, korrupsioni që është shtrirë në të gjitha qelizat e jetës jepen me vërtetësi, indinjatë dhe rëndom me trishtim e dhimbje. Janë këto të vërteta të dukshme, të pamohueshme, të hidhura, përpara së cilave askush s’mund të mbyllë sytë e të heshtë dhe aq më tepër kur bëhet fjalë për penën e një krijuesi që s’mund të jetë kurrsesi indiferente.
Në përmbledhjen poetike “Më pëlqen e vërteta” gjen gjithashtu vargje që i këndojnë dashurisë dhe natyrës, poezi epike për heronjtë e personazhet legjendarë shqiptarë, poezi për emigrantët, kurbetin dhe për rininë. Një mozaik vargjesh që zbulon një botë të pandarë nga shqetësimet, gëzimet dhe hidhërimet, nga një e përditshme ku ndërthuren plot të vërteta të lëna shpesh në hije në këtë jetë që ecën me ritëm të shpejtë frenetik.
Gjergj Deda vjen me një përpjekje të re për të ndarë me bashkatdhetarët e tij aspekte të rëndësishme të një të përditshmeje larg Atdheut, për të ndarë me ta fjalën, e cila shpesh humbet në morinë e zhurmave dhe rrëmujave të jetës.