Jorida Tabaku: 22 Marsi, kthesë në historinë shqiptare
Data 22 mars e vitit 1992 do të shënjojë në kujtesën e secilit prej nesh, shembjen një herë e mirë të sundimit totalitar në vend. Njëzet e gjashtë vite më parë të kësaj dite të shënuar, shqiptarët i dhanë dërmën përfundimtare monopartisë komuniste (që më vonë u shndërrua në socialiste) për të nisur një erë të re të vendit.
Fitorja e Partisë Demokratike është një nga simbolikat më të rëndësishme që shënjoi ndarjen një herë e mirë nga regjimi hoxhist dhe diktatura staliniste. Jehona e asaj shprese u ngrit mbi heshtjen e varrit që regjimi gjakatar kish ngritur për 50 vite diktaturë të egër. Fitorja e Partisë Demokratike ishte lulja e parë e shpresës ngulitur në një vend të shkretë me liri të përçudnuar, ekonomi të rrënuar, shqiptarë që largoheshin me anije të mëdha në drejtim të perëndimit.
Detyrën e shpëtimit të vendit nga katastrofa dhe e rrënimit total të njeriut e mori përsipër që nga themelimi i saj Partia Demokratike. Në harkun kohor të gjithë këtyre viteve, me gjithë të mirat dhe të këqijat e saj ajo ka mundur të çojë përpara vendin, duke përmisuar jo vetëm jetesën nga pika zero ku e mori por mbi të gjitha duke e integruar atë në NATO dhe duke e çuar një hap larg integrimit të BE.
Fatkeqësisht sot, shqiptarëve u janë rikthyer të njëjtat frikëra dhe fantazma të së shkuarës. Qeveria socialiste vazhdon betejën e saj për të vjedhur dhe kërcënuar votuesit si e si për të kompromentuar zgjedhjet. Mazhoranca aktuale po bën çfarë ka në pushtet për të shtrënguar liritë e individëve, për të centralizuar ekonominë, për të vjedhur dhe tjetërsuar pronën, për të pasuruar vetëm ato që janë të lidhur me byronë politike socialiste në kurriz të shqiptarëve. Për fatin e keq të të gjithë ne, vendi jonë po rëshket në një autoritarizëm të frikshëm dhe vrastar për demokracinë.
Sot është dita në të cilën ne i dhamë shansin demokracisë dhe rrëzuam diktaturën. Le të jetë ajo frymëzim për secilin prej nesh, le të jetë kjo ditë përkujtimi një shtysë për të luftuar sot ato që jo më larg se 26 vite më parë qeverisën dhunshëm për 45 vite.