Albspirit

Media/News/Publishing

Propozimi i KQZ, një atentat ndaj demokracisë

Mentor Kikia

Komisioni i Reformës Zgjedhore, ka në tryezë edhe disa rekomandime të KQZ-së, të nxjerra nga analiza e punës, në mes të Dhjetorit 2017. Ndër të tjera KQZ rekomandon ndryshime të forta në mënyrën e zgjedhjes së kryetarëve të bashkive, duke sygjeruar aplikimin e sistemit proporcional në nivel bashkie. E thënë më qartë, qytetarët nuk do të votojnë drejtëpërdrejtë për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë, por do të votojnë për partinë, përfaqësuar nga këshilltarët, dhe ata do të zgjedhin kryetarin.

Po përse duhet të bëhen këto ndryshime? KQZ argumenton se kjo do të zgjidhte ngërcin e përplasjeve Kryetar-Këshill, që shpesh argumenton se kjo do të zgjidhte ngërcin e përplasjeve Kryetar-Këshill, që shpesh çon në bllokimin e vendimarrjes. Kjo është e vërtetë dhe këtë ne e shikojmë në kohën e miratimit të buxhetit të bashkisë.

Por a është kjo mënyra për të zgjidhur përplasjet mes kryetarit të bashkisë dhe këshillit bashkiak? A e përmirëson kjo demokracinë vendore, apo e shkatërron fare? Tu heqësh qytetarëve të drejtën për të zgjedhur kryetarin e bashkisë me votë të drejtëpërdrejtë, nuk është demokraci, por është një atentat ndaj demoktracisë dhe lirisë. Demokracia pësoi një regres të madh me listat e mbyllura të kandidatëve për deputet, dhe sot praktikisht shqiptarët nuk i zgjedhin deputetët. Ata votojnë partinë dhe partia emëron deputetët. Kjo bëri që parlamenti të mbushet me horra. Tashmë, sygjerohet e njëjta gjë edhe për zgjedhjet vendore. Populli të votojë partinë dhe partia të caktojë kryetarin.

Zgjedhjet vendore quhen ndryshe edhe zgjedhje administrative. Ato nuk janë zgjedhje politike. Madje para çdo procesi zgjedhor, qytetarëve u bëhet thirrje të mos shikojnë logon e partisë, por të vlerësojnë kandidatin, projektet e tij ekonomike e sociale, pasi ai do të qeverisë dhe administrojë bashkinë.

Të shikosh sot nivelin e këshilltarëve bashkiakë, është një dramë. Një nivel gati ordiner, shumica tregtarë, që i ndërrojnë partitë sipas interesave të tyre personale. E keni parasysh çpo ndodh tani me këshilltarët e LSI-së nëpër bashki? Po kalojnë të gjithë me PS-në, meqë LSI nuk është në qeverisje. Dhe të mendosh se në dorë të këtij soji do të mbetet zgjedhja e kryetarit të bashkisë. Këta e shesin votën për një leje ndërtimi, apo një licensë biznesi, për të votuar buxhetin. Ndërsa për të votuar kryetarin do të rrisin pazarin e do të jenë mbështetës të përhershëm të tij. Kjo do të bëjë që të kalohet nga një këshill, gjithësesi me opozitë, në një këshill të kontrolluar tërësisht nga kryetari. Pra, t’i heqësh kryetarit edhe oponencën e këshillit, nuk është demokratike, por një qeverisje vendore surrogato.

E keni dëgjuar shprehjen “llogaridhenie”? Sot njerëzve po u sygjerohet me të madhe që të bëhen aktivë e ti kërkojnë llogari kryetarit të bashkisë, për të realizuar premtimet elektorale. Por nëse kryetarin e zgjedh këshilli, kujt dhe për çfarë ti kërkosh llogari? Ne kemi nevojë të dimë se cilët janë kandidatët për kryetar të bashkive tona. Kemi nevojë ti dëgjojmë projektet e tyre, para se të vendosim se kë të votojmë. Ne po përpiqemi të prodhojmë mekanizma të mbajmë larg bashkive Elvis Rroshët, dhe jo të na vijnë Shullazët.

Nëse ka një çështje për të cilën duhet të reagojmë fort dhe të gjithë, është të ndalohet çdo përpjekje e ligjvënësve për ta shndërruar në ligj këtë propozim, që do ti vërë kapakun demokracisë. KQZ sjell si justifikim edhe votimin me një fletë të vetme, gjë që do të ulte koston e zgjedhjeve. Por si ka mundësi që të arsyetohet në këtë mënyrë? Pra, në emër të kostos për të mos shpenzuar më shumë fletë votimi, duhet të sakrifikojmë demokracinë?

Please follow and like us: