Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria dhe Zvicra, 2 marrëveshje me vlerë 8.2 milionë euro për Qeverisjen Vendore dhe Zhvillimin Ekonomik

Zv. Kryeministrja Senida Mesi mirëpriti sot Ambasadoren Ruth Huber, Shefe e Departamentit për Bashkëpunimin me Evropën Lindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Zvicrës.

Në vizitën e parë të saj në Shqipëri, zyrtarja e lartë zvicerane u takua me Znj. Mesi dhe nënshkruan 2 marrëveshje që sigurojnë fonde dhe mbështetje teknike në fushat e qeverisjes dhe ekonomisë. Njëra, për Programin për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (dldp) dhe tjetra për RisiAlbania, një program punësimi për të rinjtë. Të dy projektet arrijnë një vlerë prej 8.2 milion Euro dhe janë vazhdim i fazave të mëparshme të mbështetjes zvicerane për Shqipërinë. Nw takim Znj. Mesi dhe Ambasadorja Huber bashkëbiseduan edhe për mbështetjen e Qeverisë Zvicerane lidhur me rastet e emergjencave civile dhe fatkeqësive natyrore.

Pas nënshkrimit të dy marrëveshjeve, në fjalën e saj përshëndetëse, ZëvendësKryeministrja Mesi duke theksuar bashkëpunimin afatgjatë dhe më shumë se 25 vjeçar të Shqipërisë me qeverinë zvicerane, u ndal tek 2 projektet duke i cilësuar ato si shumë të rëndësishme dhe duke nënvizuar faktin se në fazat e mëparshme kanë rezultuar shumë të suksesshme.

Për sa i përket Programit për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (dldp), Znj. Mesi shprehu bindjen se ky projekt edhe pse në fazën finale do të kontribuojë në tej në forcimin e qeverisjes lokale. Ndërkohë që Znj. Mesi përshëndeti fillimin e një projekti të ri në këtë drejtim – Bashkitë e Forta. Në lidhje me marrëveshjen e dytë për “RisiAlbania”, ZëvendësKryeministrja Mesi nënvizoi faktin se një projekt i tillë i cili ka në fokus punësimin e të rinjve në sektor të ndryshëm si inovacioni, bujqësia, zhvillimi rural apo turizmi, i përgjigjet më se miri edhe prioritetit kryesor të qeverisë shqiptare, që është punësimi. “Si rezultat, ne besojmë që një projekt i tillë, do të ndihmojë edhe qeverinë shqiptare në realizimin e këtij objektivi”, shtoi ajo.

Ndër të tjera, Znj. Mesi duke shprehur falënderim të veçantë për Strategjinë e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri për vitet 2018-2021 që u prezantua para pak kohësh, theksoi se bashkëpunimi afatgjatë mes 2 vendeve është një dëshmi e qartë se qeveria zvicerane është pikërisht aty për të ndihmuar dhe mbështetur Shqipërinë në të gjithë nismat e saj dhe kjo e fundit është e angazhuar plotësisht në përmbushjen e objektivave.

Në krahun tjetër, zyrtarja e lartë zvicerane Ambasadorja Ruth Huber, duke përgëzuar reformat e Shqipërisë të arritura deri më tani nëpërmjet mbështetjes zvicerane dhe ndërkombëtare si ajo e Reformës Territoriale dhe Administrative, u shpreh ““Kam kënaqësinë të jem sot këtu dhe të nënshkruajmë me ju 2 marrëveshje për 2 projekte të financuara nga Zvicra. Në Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), ne jemi gjithmonë të lumtur të bashkojmë forcat dhe përpjekjet me qeveritë mike. Për më tepër, që Shqipëria është për ne një prej 4 shteteve prioritare”.

Dy javë më parë është lançuar Strategjia e Bashkëpunimit Zviceran në Shqipëri për vitet 2018-2021, e cila parashikon mbështetje për vendin tonë në 4 fusha kryesore: qeverisja demokratike, zhvillimi ekonomik e punësimi, shëndetësia, si dhe infrastruktura e energjia. Marrëveshjet e nënshkruara sot janë shembujt e parë konkretë të projekteve që përfshihen në strategjinë e mbështetjes zvicerane.

Shqipëria është një shtet prioritar në bashkëpunimin ndërkombëtar zviceran. Ndërsa aktualisht, Zvicra ngelet një nga donatorët bilateral më të mëdhenj për vendin tonë.

Please follow and like us: