Euronews hyn brenda kampit më famëkeq të Shqipërisë
Magdalena Chodownik, Euronews
Enver Hoxha ishte një admirues i flaktë i shokut Stalin. Në kohën kur sundimit 30-vjeçar të ish-diktatorit sovjetik i erdhi fundi me vdekjen e tij në vitin 1953, homologu i tij shqiptar urdhëroi një shfaqje masive zie popullore. Banorëve u duhej të mblidheshin në sheshin kryesor të kryeqytetit, Tiranë, për të demostruar pikëllimin e tyre.
Diktatori komunist shqiptar admironte gjithashtu edhe metodat staliniste të represionit. Me vdekjen e Stalinit, marrëdhëniet mes Tiranës dhe Moskës u ftohën, ndërsa Hoxha zbatoi tiraninë staliniste ndaj popullit shqiptar.
“Armiqtë e kombit” dënoheshin me vdekje, burgoseshin, ose çoheshin në kampet e punës së detyrueshme. Përgjatë sundimit të tij, një në njëqind shqiptarë përllogaritej të ishte subjekt i të ashtuquajturave programe “riedukimi”.
Ademi bëhet papritur një “konspirator”
Një mëngjes, shumë herët, disa njerëz me uniformë do të vinin e trokisnin në dyert e drunjta të shtëpisë së Ademit, duke e akuzuar atë se “kishte vepruar kundër partisë”. Ishte viti 1972 dhe frika e arresteve dhe denoncimeve ishte kthyer në veçori e jetës së përditshme për cilindo. Atë mëngjes ishte pikërisht radha e Ademit të rrëmbehej nga policia. Ai nuk e dinte se ku po shkonte, apo nëse do të mund të kthehej më pas. Sigurisht, po shkonte drejt “gjyqit” ndaj tij. Dy dëshmitarë, të cilët do të mund të dëshmonin kundër tij, ishin ndërkohë në pritje në seancën gjyqësore. Dy ishin mjaftueshëm për të shërbyer si provë e “pakundërshtueshme”, për çfarëdolloj akuze që mund të ngrihej.
“Nuk mund ta mbroja veten. Pas gjykimit, ata më morën menjëherë e më dërguan në burg”, kujton ai.
Ademi u shpall fajtor se kishte komplotuar për t’u arratisur drejt Jugosllavisë, pavarësisht se nuk e kishte bërë kurrë diçka të tillë. Gjithsesi, përballë një shteti të fuqishëm dhe me shumë pak shpresë se do të mund t’i lejohej të provonte pafajësinë e tij, ai rrëfeu për “krimet e supozuara” për të cilat akuzohej, duke shpresuar kështu për një dënim më të lehtë. Ajo që mori, ndërkohë, ishte një dënim me 20 vite punë të detyrueshme në Spaç. Regjimi i Hoxhës kishte ngritur rreth 50 kampe internimi, prej të cilëve Spaçi ishte më famëkeqi, pasi ishte modeluar në mënyrë të ngjashme me gulagët e Stalinit.
Ademi është një nga të paktët ish-të dënuar që mbeti gjallë për të rrëfyer tmerret e burgosjes së tij. Hoxha i frikësohej veçanërisht Jugosllavisë, një vend që po gdhendte vendin e tij në hartë si një portë lidhëse mes Moskës dhe Perëndimit, ndaj dhe i quante ata që përpiqeshin të arratiseshin drejt këtij vendi si konspiratorë. Ishin pikërisht lidhjet familjare të Ademit, që e bënë atë një shënjestër për autoritetet.
Babai i tij kishte qenë oficer gjatë sundimit të monarkisë shqiptare dhe regjimi i Hoxhës po përpiqej me çdo kusht të zhdukte ata që dikur ishin të lidhur me aristokracinë.
E ndërsa babai i Ademit mundi të arratisej për të shpëtuar jetën e tij, ai që vuajti pasojat e rebelimit të tij ishte i biri. Familja e madhe e Ademit u konsiderua gjithashtu një rrezik i madh për regjimin, pasi mendohej të ishte një vatër ushqyese për rebelim të mëtejshëm. Shpesh, anëtarët e familjes së tij do të zhvendoseshin ose burgoseshin.
Spaçi
Rruga për në Spaç, një fshat malor emrin e të cilit e kishte marrë edhe kampi, ishte tejet e ngushtë dhe dredha-dredha. Shkrimtarja shqiptare, Ornela Vorpsi e përshkruante kështu atë. “Në njërin krah shfaqeshin malet kryelartë, e në anën tjetër një humnerë, në fundin e së cilës rridhte ujë portokalli, që mbante një erë si vezë e prishur”. Atje lart, në shpatet e malit qëndronte një kompleks ndërtesash të mbushur me slogane komuniste dhe citime nga Hoxha.
Pak më tej shiheshin hyrjet drejt minierave të bakrit dhe piritit, ku të dënuarit detyroheshin të punonin pa pushim, gjë që shpesh çonte në lodhje të skajshme të tyre e deri në vdekje. Spaçi ishte më famëkeqi i të gjitha kampeve. Ai u hap në vitin 1968, e një vit më vonë strehoi me mijëra të burgosur. Mes 1.200 dhe 1.400 të burgosur politikë do të burgoseshin atje dikur.
S’kishte vend as për t’u shtrirë
Të burgosurit punonin me rotacion, grupe që dërgoheshin në miniera çdo 8 orë. Edhe përgjatë të nxehtit ekstrem veror, apo të ftohtit të acartë në dimër, të burgosurit nxirrnin çdo ditë xeherorë për të përmbushur normën ditore. Për siguri as që mund të flitej dhe mungesa e mjeteve të duhura për këtë punë çonin shpesh në dëmtime të rënda të tyre. Çdo karvan që largohej nga miniera numërohej me përpikmëri.
“Nëse nuk do të mund të përmbushnim normën ditore, atëherë ndëshkoheshim. Nëse ia dilnim mbanë, e sigurtë ishte që të nesërmen norma do të rritej. Por, për çdo ditë që ne arrinim të kalonim normën, dënimi ynë reduktohej me një ditë. Të paktën fitonim një ditë liri…”, thotë Ademi.
Ai supozohej të kalonte ekzaktësisht 7.305 ditë në Spaç. Pas punës, të burgosurit ktheheshin në “banesat” e tyre pa ngrohje dhe të mbipopulluara.
“Shumë prej nesh jetonin në qeli aq të vogla, saqë nuk kishim vend as për të fjetur. E ç’fjetje them unë, as për t’u ulur e jo më të shtriheshim”, kujton ai.
Një vend spiunësh
Partia urrente tradhtarët, por ajo i shpërblente ata që denonconin tradhtarët e dyshuar. Një shqiptar asokohe thoshte se “ka 11 spiunë për çdo 10 banorë”. Denoncimet detyruan njerëzit të ruanin një vigjilencë të vazhdueshme, edhe nëpër burgje.
“Kur një prej të burgosurve dëgjonte se një tjetër ankohej për partinë, ai informonte menjëherë gardianët. Edhe një denoncim i tillë shërbente si një mundësi për të reduktuar dënimin. Kështu që duhej të ishe tejet i kujdesshëm për të mos e përkeqësuar situatën tënde”, rrëfen Ademi.
Rojet zbatonin dënime nga më brutalet. Ata rrihnin dhe torturonin ata që kapeshin duke shprehur mospajtim politik, ose që konsideroheshin joproduktiv sa ç’duhej. Gratë nuk bënin përjashtim. Edhe ato rriheshin, përdhunoheshin e detyroheshin me forcë të abortonin, nëse do të mbeteshin shtatzëna. Më 21 maj të vitit 1973, të burgosurit nisën rebelimin dhe pushtuan kampin, duke ngritur flamurin shqiptar mbi Spaç, por atë me yllin komunist. Një bastisje brutale shtypi rebelimin brenda dy ditëve dhe udhëheqësit e saj u ekzekutuan.
Liria
Nën regjimin e Hoxhës, Shqipëria ishte një nga vendet më të izoluara në botë. Gjithnjë e më paranojak nga kërcënimet e brendshme, ai intensifikoi tiraninë duke rrethuar vendin me tela me gjemba, duke ndaluar udhëtimet e të huajve dhe kontaktet me cilindo jashtë shtetit. Në skenë dolën edhe 750 mijë bunkerë që u ndërtuan me urdhrin e tij, për t’i lejuar të gjithë vendit të strehohej nëntokë në rast të një sulmi të mundshëm.
Në kohën kur Hoxha vdiq, në vitin 1985, fillimi i rënies së komunizmit në Europë ishte ende 4 vite larg. Pasi ra Muri i Berlinit në vitin 1989, shqiptarët nisën të besonin se ndryshimi ishte i mundur. Grevat e punëtorëve shtuan presionin ndaj regjimit për të lejuar parti të tjera politike, përveç Partisë së Punës që sundonte.
Më 31 mars të vitit 1991, Shqipëria pa të mbaheshin të parat zgjedhje pluraliste që prej vitit 1923. U deshën edhe 3 muaj të tjerë, përpara se të lëshohej amnistia për të burgosurit politikë, amnisti që siguroi edhe lirimin e Ademit nga Spaçi.
Gjithsesi, shumë prej atyre që u liruan gjatë amnistisë gjetën shumë pak nga ajo që kishin lënë. Shtëpitë dhe pronat e trojet e tyre ishin konfiskuar. Edhe pse ish-të burgosurit politikë sigurian të drejtën ligjore për kompensim për çdo ditë të kaluar në burg, shumica e tyre kanë marrë veçse një pjesë fare të vogël, e disa ndoshta s’kanë përfituar aspak.
“Atyre u duhej të na rrihnin, përndryshe…”
Sot, ish-kampi famëkeq është një rrënojë e shkretuar, i mbushur plot me barëra të këqinj. Vetëm disa gërma të ish-thënieve të Hoxhës kanë mbetur në muret e tij. Gulagu është lënë në harresë dhe shumë shqiptarë as nuk duan t’i hedhin sytë andej.
“Sigurisht që pati nga ata që kërkuan të hakmerreshin sipas metodave të tyre. Ka nga ata që janë përpjekur të gjejnë vrasësit e familjarëve të tyre”, thotë Ademi. “Nuk i kam takuar kurrë gardianët e mi të burgut pas largimit nga kampi.
Dyshoj se ata janë larguar nga vendi. Por i kuptoj, ata nuk kanë pasur alternativë tjetër për të zgjedhur, u duhej thjesht të na rrihnin, përndryshe nëse nuk i zbatonin urdhrat, dikush do t’i denonconte dhe mund të burgoseshin edhe vet ata”.
Pas rikthimit në shtëpi, ai u takua me dëshmitarët që dëshmuan ndaj tij. “Kërkojmë falje, mund të na bësh çfarë të duash, por ne ishim të detyruar të dëshmonim ndaj teje. Nuk mund të bënim gjë tjetër”, i thanë ata Ademit, i cili megjithatë nuk bëri asgjë! (tch)