Viron Kona: Eufori
Ky mëngjes qenka i bukur,
dielli po ndrit cep më cep,
pamja po na bën t`lumtur,
kërcejmë si zogjtë në degë.
Ç`ditë e artë, ditë e rrallë,
bimët mbushur plot me vesë,
si fillimi do të jetë fundi,
“duket dielli që në mëngjes!”
Shkojnë orët mrekulli,
euforikë vemi e vijmë,
por papritmas në mesditë,
ia nis shiu me bubullimë.
Edhe moti zu të ftohet,
jemi vetëm në këmishë,
pallto, çadra n`shtëpi,
dridhemi si zogjtë në ngricë.
Po dhe lumi po tërbohet,
shpërthen ujë, përmbyt gjithçka,
ca nga ne i gërryhen shtratin,
për zhavorr e për para`.
Kurse deti po dallgëzon,
varka, anije po vërtiten,
si lëvozhgat që merr rryma,
ca detarë sa s`po mbyten.
Dhe në pyllin atje tej,
“vetëtima” ndez një flakë,
vijnë të tjera radhë-radhë,
digjet pylli rreth e qark.
Papritmas u pre dhe uji,
shishe, enë i kemi bosh,
vemi-vijmë të shuajmë etjen,
lutemi veç për një gotë.
Ja po nisën dhe rrëshqitjet,
shkaktaret jem ne,
vajtëm premë drurët e malit,
ngaqë donim tokë të re.
Një ortek po zbret nga mali,
tërë zhurmë e rrokulli,
mbulon sheshet, edhe fshatin,
vret bagëti, rrëzon shtëpi.
S`na shkoi mendja te shtrëngatat,
“ato ndodhin larg nga ne”,
por ja befas ato erdhën,
po shkatërrojnë gjithçka mbi dhe.
Ç`menduam dhe ç`na doli,
veç përmbysje gjithandej,
e filluam me eufori,
përfunduam mos më keq!