Inva Mula, zëri dhe figura e moderimit profesional
Të jesh moderator apo prezantuese jo domosdoshmërisht duhet të jesh një vajzë apo një djalë shumë i bukur, edhe pse ky është miti që ekranet shqiptare kanë krijuar. Pamja e jashtme është sigurisht një komponent i rëndësishëm për të qenë i pëlqyer nga publiku dhe për të krijuar një figurë që ekrani e do. Por pa profesionalizmin dhe artikulimin të gjitha këto kalojnë në plan të dytë. Prej disa kohësh një herë në javë po na jepet mundësia të shohim një personazh, profesionalizmi i së cilës “bërtet” në ekran. Bëhet fjalë për Inva Mulën e cila na ka bërë krenarë në mbarë botën me zërin e saj, por që tashmë vjen me një tjetër rol, atë të prezantueses. “Virtuozët” është spektakli i talenteve të vegjël në muzikë dhe balet që Inva prezanton duke u kthyer në figurën dhe zërin e moderimit profesional. Elokuente, e përgatitur, pa fjalë të tepërta, komunikim profesional me jurinë, pa show të ekzagjeruar për pak më shumë audiencë, një portret i kuruar pastër, pa zbuluar hiret fizike siç jemi mësuar shpesh të shohim në ekranet tona, madje në çdo puntatë ka ardhur më e mbuluar se kurrë.
Inva ka treguar se ta prezantosh një program nuk mjafton të mësosh përmendësh skaletën por duhet të përfshihesh dhe të kuptosh shumë mirë atë që do të ndodhë në minutazhin që të është vendosur në dispozicion për të arritur tek publiku.
Kush e ka ëndërr prezantimin tashmë e ka modelin më të mirë femër që mund t’i referohet dhe prezantueset aktuale duhet ta ndiejnë frikën e konkurrencës së vërtetë nga Inva Mula.\revistawho.com