Ndue Ukaj: Kadare dhe mëngjeset në Kafe Rostand
1.
Lumturia e librit, është një gëzim që s’gjen pandehmë krahasimi. I ngjan një lumturie të pashpjegueshme; diçka që ka fuqi magjike e kompetencë- të lartëson dhe t’i jep krahët të fluturosh nëpër kohë e hapësirë. Pastaj, të kundrosh, si përplasën në botë e mira dhe e keqja, dashuria dhe urrejtja, gjithnjë me një gjuhë dhe ligjërim tjetër, të epërm e të pazakontë.
Unë lexoj, sepse leximi me jep gëzim dhe kënaqësi. Ky nuk është ndonjë mendim i panjohur në fushën e letërsisë. Përkundrazi. Ndaj, jam me atë kategori shkrimtarësh e studiuesish të letërsisë, që thonë se vepra letrare, s’duhet lexuar me çdo kusht, por me gëzim. Një vepër e tillë, që lexohet me gëzim e kënaqësi, është ajo e Kadaresë, sepse ka këtë tagër të fuqishëm: të joshë, të thërret, të grish, të tërheq, aq sa s’mund t’i ndahesh.
E filloj librin e Kadaresë dhe e mbylli leximin, pa u shuar aspak ajo ndjenja e gëzimit; e të lexuarit me kënaqësi. Dhe mbërrijë te ai mendimi i H. L. Borgesit, që më pëlqen ta citoj këtu, se: “qëllimi i një libri nuk është t’i zbulojë gjërat: një libër duhet thjesht të na ndihmojë për t’i zbuluar.” Pa mëdyshje, libër i Kadaresë, “Mëngjeset në Kafe Rostand”, ndër të tjera e ka këtë mision, këtë tagër dhe këtë përparësi. Ai na ndihmon t’i zbulojmë shumë gjerë për jetën e autorit, për marrëdhëniet e tij me botën frankofone, me shkrimtarë e intelektualë aristokratë të Parisit imagjinar. Na ndihmon, sidomos t’i kuptojmë marrëdhëniet e autorit me botën e madhe të letërsisë, mënyra sesi ai e sheh dhe lexon Danten, Shekspirin, dhe shumë viganë të tjerë të kulturës botërore. Sigurisht se na ndihmon edhe të kuptojmë një nga pikat nevralgjike, që debatohet shpesh zhurmshëm ndër ne; marrëdhëniet e tij me politikën trazuara- në fakt, jo me politikën, por me tiraninë shtypëse, ku pati fatin të shkruante dhe jetonte. Kadare, jep shumë shpjegimi interesante për kalvarin nëpër të cilin kanë kaluar shumë vepra të tij: ndalimet, habitjet, thirrjet, bezditë.
Libri i ngjanë një autobiografie, por është shumë më shumë se autobiografi, edhe pse autori rrëfen në vetën e parë dhe për ngjarje që lidhen drejtpërdrejtë me të. Për mua, është një libër, që s’ka nevojë të përkufizohet sipas parimeve dhe premisave teorike, të cilat, përvoja letrare e ka dëshmuar se janë të ngushta dhe të varfra përballë letërsisë së mirë.
2.
S’është Muzgu i Perëndive të Stepës, ku lexuesi ndesh ferrin dantian, as ai muzgu i ngrysur kur Konstandini realizoi amanetin (besën e dhënë), dhe e ktheu motrën te e ëma e mbetur vetëm, dhe zhdukja nëpër atë mjegullën e mërzitshme; në atë humbëtirë ku mbesin sytë e mpirë të lexuesve. S’është as ai gjenerali që mbledhë eshtra, në kohën kur kërkohej letërsi tjetër, për njeriun ideologjik sipas instruksioneve të moralit komunist. Është një muzg tjetër, ai i rrëfimeve të Kadaresë. Një muzg që shkakton habi, trandje, dhe pse jo, dëshira për të kuptuar si është krijuar aureola e shkrimtarit të madh; si janë marrëdhëniet e tij me shkrimtarë të tjerë, shqiptarë dhe të huaj?! Ky rrëfim, s’ka ndonjë skenë e as ndonjë publik ku pritet të shfaqet; s’ka as skenarist, aktorë, rekuizita e muzikë. E në fakt, i ka gjitha këto, por ato i bën vetë autori, duke i harmonizuar e dirigjuar mjeshtërisht. Është kafe Rostand, në Parisin e ëndrrave- Parisin imagjinuar, ku kanë kaluar jetën shumë shkrimtarë të mëdhenj, që ka tagrin, nëpërmjet kësaj vepre, të hyjë në toposin e letërsisë shqipe. Për t’u shndërruar në një referencë letrare. Në një shenjë letrare, me një shënjues të përcaktuar, veprën e Kadaresë.
E unë si një lexues i apasionuar i veprës së tij, gëzohem sa herë kuptoj se nga pena e tij do të botohet diçka e re, sepse letërsisë shqipe, s’i shtohet një vepër dosido, të tilla çfarë botohen shumë, por një kryevepër. Ndryshe, është ai gëzimi i leximit, që sigurisht ka burimin te vepra e tij e pasur letrare, që përbën një univers letrar të arrirë, në të cilën lexuesi gjen kënaqësi, dituri, joshje, ngazëllim; thjesht, gjen një panoramë të shkëlqyeshme ku shfaqet një alternativë tjetër për botën; një jetë paralele, do të thoshte shkrimtari. E po kërkove me ngulm ta përthithësh veprën e tij, kalon në një instancë tjetër, dhe sheh si rri ajo dinjitetshëm në një rrafsh me kolosët më të mëdhenj të letërsisë së përbotshme. Dhe, ashtu siç kanë vërejtur kudo lexuesit e tij të kultivuar-studiues e shkrimtarë në zë- vepra e tij shquhet për një përmasë homeriane, të veshur me një petk shekspirian. Në thelb, është vepra e tij, që ka një magji rrëfimi, ku melankolia dhe dhimbja ecin paralelisht, dhe ku heronj e antiheronj përplasen si në beteja antike. Në qendër të kësaj vepre, është shkrimtari ynë i sërës së lart, që rri në lartësitë më të admirueshme të hierarkisë letrare botërore. Ndaj, drama e tij, është dramë edhe e letërsisë shqipe, sepse në këtë vepër ai rrëfen për procese që ju bëhen veprave të tij, dhe për refuzimin estetik (I. Rugova) që ai i bëri diktaturës dhe mësimeve socrealiste për letërsinë.
Vepra letrare e Kadaresë, është e shkruar me drithërima homeriane dhe aty shqiptohen drama të njeriut, si në skenat shekspiriane. Ndaj, s’është e rastësishme që autori, kudo t’i këtë referenca morale e kulturore, veprat e Homerit e Shekspirit, edhe kur rrëfen për ngatërrimet politike në Ballkanin e tij. Gjithnjë për t’i ndërlidhur me një shkrimtar tjetër, që është Dante, sidomos me pjesën ferrit. Sepse, edhe Kadare u ngrysë në një ferr, atë të tiranisë komuniste, ku dergjej ndërgjegjja e njeriut, përballë etikës marksiste, që synonte të krijonte njeriun e ri.
3.
Nëse diçka lexohet me vështirësi, autori s’e ka përmbushur misionin e vet-këshillon Borgesi të eseu i tij brilant, “Lumturia e librit.” Kadare i ditur dhe skurpoloz në letërsi, e ndjekë këtë parim kudo në veprën e tij, ndaj qartësia në mendime, shfaqet si talent dhe virtyt letrar. Në mos instancë relevante. Ai shkruan për fenomene e ngjarje reale socio-politike, por mjeshtërisht di t’i mveshë ato me petkun letrar, saqë të mbërthen, sikur të ishe duke lexuar ndonjë tregim fiktiv. Kështu, ai rrëfen për dramën e emigrimit të tij, dhe të duket sikur ke kaluar caqet e reales dhe po lexon fiksion. Ai shkruan për përbuzjen që i bën shteti shqiptar, kur e anashkaloi pjesëmarrjen në ceremoninë e pranimit të tij anëtar nderi në Akademinë Franceze, në vend të Karl Popper-it gjerman, dhe ty të duket sikur kjo skenë po luhet në teatrot e Danimarkës a Londrës, ashtu siç shfaqet rrëfimi i autorit për Frederik Rreshpjen, të kapitulli “Një Prill për Fredin” ku thekson se dënimi i poetëve të kujton teatrin absurd. E në fakt, gjitha këto ngjarje e ndodhi janë reale, ashtu si janë reale takimet e panumërta të autorit, me personazhe të kulturës europiane, në Parisin e tij.
Në morinë e ngjarjeve interesante që rrëfen autori, është ajo me Pierre Bordeaux Groult, historian dhe themelues i një fondacioni të rëndësishëm, me të cilin Kadare bënë një udhëtim në Romë, më saktësisht, në Vaitkan, ku takohen me sekretarin e shtetit të Vatikanit dhe shefin e “Propaganda Fide.” E motivi i kësaj vizite, lidhet me shpërfilljen që i është bërë identitetit të kombit shqiptar. Historiani francez, ashtu si shkrimtari ynë, kërkon që të bëhet rilindja e këtij kombi, sepse përlindja është në funksion të Europës, prandaj ai s’ngurron të shkruan: “Europa duhet të mbështet te ky komb për të emancipuar Ballkanin.” Duke e ditur se Vatikani e njeh më mirë se kushdo, historikisht kombin e shqiptarëve, dhe ai mund të lozë një rol nismëtar, në atë që Groul-ti e quan “rishikim të faktorit ballkanik.”
4.
Kadare është një tregim, i mbushur me mistere e enigma: një personazh real, mirëpo personaliteti i të cilit, endet mes të mundshmes dhe të pamundshmes, mu si jeta e një shkrimtari, e karakterizuar me drithërima, lavdërime, famë, dekorata, dhe në anën tjetër, refuzim, droje, përbuzje, marrëzi.
Shkrimtari Kadare shkroi Gjeneralin, Ditë Kafenesh, Pallatin e Ëndrrave, Nata pa Hënë, Përbindëshin, etj, në kohën kur vijat ideologjike të partisë ishin të rrethuara me mina, që për çdo shkrimtarë, mund të ishin fatale. Në këto rrëfime, ai kujton trysninë që regjimet totalitare i bëjnë letërsinë, dhe për të ilustruar këtë, përmend me shumë kompetencë Rusinë, aty ku kaloi shumë vite si student.
E Kadare, si mjeshtër, diti t’i tejkaloi ato mina dhe vijat ideologjike të partisë, me pushtetin e epërm të fjalës artistike, për të dëshmuar se “tirania” e fjalës së bukur dhe pesha e shkrimtarit, është mbi atë të pushtetit të spiunazhit, shtrëngimit, tendencës për ta fabrikuar njeriun nga laboratorët e partisë: të urtë, etik, të përgjegjshëm e pa mëkate. Një qenie utopike. Të keqen e kësaj ideologjie shkatërruese, Kadare e sheh më ndryshe, nga ç’e kemi parë kur pohon: “Gjithë shekullin XX do të sundonte aleanca e pashpallur e otomanizmit me komunizmin.” Ky pohim, sigurisht trazon ndërgjegjen shqiptare!
5.
Ky libër, që i ngjanë një autobiografie, është një vepër letrare e sërës së lart, e stilit kadarena, që mund të bëhet çelës për interpretimin semantik të një pjesë të rëndësishme të krijimtarisë së tij. E shkruar nga njeriu që artin e shikon me sy skrupoloz, dhe s’i le asgjë rastësisë, libri është një grishje për të përsiat, po ashtu, për shumë tema të letërsisë, moralit, identitetit e politikës.
Për ne shqiptarët, Kafre Rostand, bënë pjesë në domenin e të panjohurës. Mirëpo, meqë aty ka kaluar dy dekada personazhi kryesor ti kulturës dhe identitetit shqiptar; fytyra më e ndritshme europiane e shqiptarëve, për mese 20 vite, ajo dosido bëhet e jona; e identitetit tonë, për faktin se aty janë ngjizur rrëfime, vepra, ngjarje e ndodhi që kanë të bëjnë me ne.
E Kadare si mjeshtër që di ta lartësojë kombin e tij, gjithnjë gjen mënyra për ta bërë këtë. A s’mjafton këtu të kthehet në vëmendje vetëm balada për Konstandinin dhe Dorontinën? Kjo baladë që la poetin e madh gjerman, Goethë-n 24 orë pa gjumë?! Kështu, Kadare e futë lexuesin në dallgët e së bukurës, për ta sprovuar me përvojat nga ma të bukurat e letërsisë.
6.
Kadare, si shkrimtar i jashtëzakonshëm, ka kohë që është bërë flamurtar i identitetit europian dhe i lufton pa kompromis mbeturinat e fanatizmit osman. Ai s’resht së shkruari për identitetin europian të shqiptarëve, përballë mohusëve të shumtë. Edhe në këtë libër, si te eseu i tij për Identitetin Europian të Shqiptarëve dhe sidomos te libri monumental, “Mosmarrëveshja” ai s’pranë së kërkuari me ngulm të nxjerrë identitetin europian të shqiptarëve, unik dhe të vetëm; si përparësi të vetme dhe absolute për të ardhmen e kombit shqiptar. Dhe këtu vë theksin te marrëzia që vjen nga neoosmanizmi, të cilin e godet pamëshirshëm, sidomos te kapitulli “Makth”, ku kritikon një libër që pretendon kuturu t’i nxjerrë shqiptarët me origjinë arabe. Ndërkaq, temën e ndjeshme të ferexhesë, e trajton me mjeshtëri te kapitulli për “Zonjat e vogla të letërsisë shqipe.” Ky kapitull është i shkruar jashtëzakonisht bukur. Kadare e admiron gruan, të papërkulur, të bukur e të ëmbël. E vështron në hijerësinë e saj, me një delikatesë të jashtëzakonshme estetike. E, për të mos e kufizuar shkrimin të autoret shqiptare për të cilat flet, ai i bën një analizë socio-psikologjike faktorëve që ndikuan në personalitetin e gruas shqiptare. Mosdorëzimin. Kërkesën për ta hequr ferexhenë, si shenjë të robërisë. Për t’i mbështet idetë e tij, thërret në ndihmë shkrimtarë të shumtë të letërsisë shqipe, dhe përmendjen e parë të fjalës grua e gjen te Lekë Matrenga. Duke pasur për shkas shkrimtaret e afirmuar shqiptuare, si Elivra Dones, Ornela Vorpsi, Ani Wilms, Luljeta Lleshanaku, Besa Myftiu, Lindta Arabi, Ledia Dushi, Jonila Godole, Kadare fletë për fenomenin e ferexhesë në kulturën shqiptare, për Kanunin dhe marrëdhëniet e tij me komunizmin. Duke shqiptuar me ankth pyetjen: ishte mposhtur apo jo vepra shqiptare prej territ osman?, Kadare e sprovon të kundërtën, mosdorëzimin e saj. Dhe këtë e gjen sidomos të faqet e shumta të letërsisë shqipe.
7.
Kadare kudo shkruan me pasion, si një lexues i jashtëzakonshëm i letërsisë. Aftësia e tij gjeniale, për t’i ndërlidhë ngjarjet dhe fenomenet politike, kulturore, letrare, me nuanca letrare, me qesëndi e humor, të le pa frymë. Ai shkruan për politikën tiranike shqiptare, dhe papritur e kupton se aty zë vend “Ferri” i Dantes. Ai e ndërfutë një personazh nga jeta e sportit, Luan Krasniqin, dhe nëpërmjet letrës që ai ia dërgon shkrimtarit, kupton domosdonë e ekzistencës së veprës kadareane: “Fati mua më rrëzoi në Hamburg, në vitin 2005. Uroj që fati të sillet me ju ndryshe, për të mirën e krejt kombit tonë.” E në fakt, kjo vepër e Kadaresë, është për të mirën e kombit dhe kulturës tonë.
Është folur e shkruar shumë për karakterin e letërsisë dhe funksionin e saj. Semiologu u ditur Umberto Eco tek eseu i famshëm “Për disa funksione te letërsisë”, shpjegon disa nga funksionet e shumta të letërsisë, sidomos fuqinë e saj jolëndore, e cila peshon shumë në shoqëri. Në këtë kontekst, Eco ia atribuon letërsisë funksionin edukativ, funksion ky që nuk reduktohet vetëm në përçimin e ideve morale, qofshin të mira a të këqija ose në formimin e sensit të së bukurës. E këto funksione, janë të pakta me atë substancialin, ngase letërsia- thotë Eco- mund të na edukojë ndjenjën e lirisë dhe krijimtarisë. E lexuesi shqiptar u kudondodhur ka nevojë për këto ndjenja, më shumë se kurrë.
Pa dashur të shtoj ndonjë gjë tjetër për funksionin e kësaj vepre, edhe pse ka shumë çka mund të shkruhet, më pëlqen ta përmbylli këtë tekst me mendimin e At Zef Pllumit për Kadarenë: “Historia jonë është një histori llogoret e sot me i madhi luftëtar në mbrojtje të kulturës, identitetit dhe integrimit evropian të shqiptarëve, është Ismail Kadareja e unë gjendem krah për krah tij në ato llogore”.