Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Volteri, NATO, shqiptarët e Kosovës

Volteri, thoshte: “liria e njeriut qëndron në aftësinë për të vepruar”.
Ky mendim i Volterit, më kujton një takim të para disa viteve, me një ambasador të rëndësishëm të një vendi të NATO- s në Kosovë.
Ishte pikërisht muaji mars.
Dhe, unë me disa miq, me diskurs patetik, shprehnim respektin dhe falënderimet tona për Aleancën Euroatlantike që na solli lirinë.
Ambasadori, me shumë vëmendje na dëgjoi, dhe, krejt në fund, u ngrys pak. Unë e kuptova që, elozhet tona e mërzitën. 
Ai, me një qesëndi therëse, na u drejtua:
“Pse na falënderoni kaq shumë. Ne kemi kryer punën tonë. Por ju nuk e keni kryer punën tuaj. E shihni si është bërë Prishtina e juaj, një kryeqytet kaotik”.
Doli në dritare, prej ku shtrihej qyteti gri e pa shije estetike.
Pas pak vazhdoi:
“Mos na falënderoni kaq shumë, por ndërtojeni Kosovën tuaj, ashtu siç keni aspiruar: të lirë, demokratike dhe të prosperuar. Ky është falënderimi më i madh për ne”.
Ambasadori, me një fjalë, na thoshte: ne ju kemi dhënë krah, por jo nuk po fluturoni. Po ecni zvarrë.
Apo, thënë me gjuhën e Volterit, ai na thoshte, ne ju kemi krijuar mundësitë për të vepruar, por jo nuk po veproni.

Jam shumë i sigurt se, këtë gjë e duan të gjitha aleatët tanë që na ndihmuan ta fitojmë lirinë dhe pavarësinë. Këtë gjë na thonë- herë në mënyrë të hapur e herë të heshtur- edhe sot, në këtë ditë- dhe në çdo ditë tjetër, kur ne dhe politika jonë e pasinqertë, si në kor, falënderojmë NATO-n, për lirinë tonë, ndërkohë që, veprimet tona për të përmbushur lirinë e plotë, janë të mjera.

Falënderimi më i madhi ndaj NATO-s është: ta fitojmë lirinë e brendshme; atë lirinë e njëmend, lirinë e shpirti dhe t’i heqim heshtat nga duart tona; ato heshta me të cilat, deri tani, kemi qenë gjithmonë të gatshëm ta shporojmë trupin e njomë të Kosovës sonë.

Please follow and like us: