Albspirit

Media/News/Publishing

At Zef Valentini: Ndërgjegja

 

Trupi petkash – shpirti veprash. Qe nji thanje dy fjalësh me të cillën shqiptari ja paraqet plotsisht shqyrtimit të vet krejt nierin: Petkat stoli trupi e veprat stoli shpirt. Ktej e patën rrjedhën kujdesi e bukurija e veshes s’onë kombtare si për gra ashtu për burra. Para njizet o tridhetë vjetësh, të knaqej syni m’u gjetë me nji mbledhje, darsëm, o me ndo ‘i fang kishe – në katund, në gjytet o në malsi – me pa shqiptarët e shqiptaret veshë e mbathë me aq bukuri sa me habitë deri të huejt të cillt s prashin tui marrë fotografina e tui ba përshkrime admirimi për kostume t’ona. Por, të gjith ajo stoli trupore pak nga pak po shduket e me to edhe pasunija e vendit. Sot, shqiptarja s’po ka nderim (për faqe) në mos pasët kotull të hollë, të shkurtë e të pa-mange; burrat po i njehin për të pagjytetnuem kur paraqiten me veshë kombtare, pse nuk mund i gërshanojnë lirisht kambët në ballo. Kto gjana i lypë moda, i lypin të rijt e, me ju kundërshtue s guxon kush pse u jesin në qafë; prandej edhe na s po shkojme ma gjatë e pio ndalena në fjalën e dytë: Shpirti veprash qi don me thanë: shikjo veprat e njife nierin çëfarë shpirtit ka.
Më vrojtë historisht e psihologisht shqiptarin, na del shpirtmirë e bujar; i prirun me bamirsyue shoqin e mos me kursye gja për mik: kjo prirje e shtyni gjith-herë m’u djegë e m’u pjekë për hatër të shoqit e për nderë të fjalës së dhanun. Po të lavrohej shpirti i shqiptarit e fisnikija e ndiesive të tija si e lypë nevoja e nji kombi të lir – si jemi sot – s kishte me pasë vend korrupcjoni, e të gjith kishin me i përmbushë detyret e veta me ndërgjegje.
Por, shka asht kjo ndërgjegje qi prore ndihet ndër ligjërata e lexohe, ndër fletare e të përkohshme?
Ndërgjegja – si e thotë vetë fjala – asht nji za i përmbrendshëm i cilli u ep të gjegjun disa çashtjeve qi presin zhvillim para o mbas veprimit t’onë. Dijetari Akuinas thotë: “Concientia est cum ipso scientia” e Ugoni i Shën Viktorit thotë: “Concientia est cordis scientia; cor enim et se novit sua scientia, et multa alia: quando novit se appellatur conscientia, quando praeter se alia, nominatur scientia.”
Gjithicilli nieri, para se të bajë dishka, mendon pak a shum a m’e ba a por jo; a mund i del në skaj asajë pune; a me kapë ma mirë kët gja a por at tjetrën etj. e mbas punës së kryeme zmbrapet pak e vrojton si aj piktori qi asht tui pikzue ndo’i ftyre i cilli tui përkule kryet herë djathtas herë majtas, shkon tui kundrue pale si duel; e nji za i përmbrendshëm i thotë: mirë, keq, kshtu, ashtu etj. Ndërgjegja pra asht drejtuesja e veprimeve t’ona e cilla tui kenë mbrenda nesh s na dahet kurr e na ndriçon si kandili n’ errsinë.
Dikush mundohet me e shgulë kët të vërtetë tui thanë se kjo teori teshma ‘asht vjetrue e se gjindja e xanë në gojë veç pse asht ba zakon, por me të’vertetë s asht kurrgja; medje asht nji vlersimm i tepruem i nji zakoni të mendes qi s’ka fuqi morale për t’u marrë para sysh.
Shum janë sendet qi i thohen popullit të mjerë prei vetë të quejtunve dijetarë. Porse i urti qi flet pajk e vrajton shum thotë: Pse shpupurishen aq fort kto nierz mbas nji gjaje qi nuk asht? e prandej mjftojne shi kto kundërshtime per me ja ngulë edhe ma thellë të vërtetën se, ndërgjegja asht e, deri sa të ket nieri mend e shise, s ka gja qi ja hiekë: ajo flet, urdhnon e ka fuqi, jo vetun prej zakonit por edhe prei nji rraje ma të thellë e të pashgulshme.
Kur na bajmë ndo ‘i vepër të ligë, p.sh., hajni, shpifje, përbuzje, padrejtsi, shnderim etj., a ndiejmë nji farë të breme zemre, turp e neveri kundra vetvedit? Përkundra, kur përmbushim ma së miri të gjitha detyret, a ndiejmë nji farë knaqe mbrenda nesh e si nji za qi na ngushllon për sjellje të mirë? Shka asht ky gjygj qi ngrehet atypëraty mbrenda nesh e nep vendim per çdo vepër t’onën? Nji gjygj, jo veç për faqe, por i rreptë – e nji herit i drejtë – e qi s pranon ndërhymje o vanesë? Shi ky gjygj asht ndërgjegja, për të cillën po flasim. Mantegazza na thotë: “Ti ke për të muejtë me i pshtue ndo ‘i herë vendimit e ndeshkimit të gjygjtarve të qeveris, por s ke për t’i pshtue kurr zanit të ndergjegjes.”
Të shtyhena pak ma përtej e të shofim filozofisht a asht e shka asht ndërgjegja. Qe, p.sh., nji xanës i ngujuem për karrigë, pshtete brylat mbi mbase e tui mbajtë kryet në grusht rri me sy ngulë mbi libër tui rikqyrë tekstin e kimis pse do t’u gatohet provimeve të fundit.
Kjo punë duket fare e thjeshtë, por t’a shkoqisim e kem për të pa se asht mjeft e ndërlikueme. Në shikjoshim ndejen trupore, na del para sysh nji fenomen fizik qi s’asht aspak i nevojshëm o i detyrshëm, medje mundet me ndrrue sa herë t’i kandë. E verte, për të xanë nji traktat kimije s asht aspak e nevojshme ndeja n’ at mndyrë: mundet me xane në kambë, tui ecëm tui ndejë shtri e si t’i poelqejë. Pra gatimi për provime në ket student len nji liri gadi të plotë për kah ndeja trupore. E në pikpamje fizjologjike e psihologjike puna e mendes fizjologjisht asht nji fenomen i pacaktuem qi mund të ndrroje si mbas landës e fakultetit. Shi n’ at kohë në të cillën ky xanës rikqyrë këndimet e veta tui u orvatë me i shti në krye, mundohen edhe sa e sa tjerë qi pra nuk xanë kimi, por ligje, mjeki, filozofi etj. Secila landë studimi – sikur dihet asht punë e nji fakulteti të ndryshëm të nji vegle çerebrare të ndryeshme, pse për nji landë lypet ma fort punimi i fantazis, per ‘i tjetër imbamendës e për nji të tretë i arsyetimit. Mndyra e xanesës pra fizjologjisht ndrron, par nevoja e detyra për të xanë asht nji-nji për të gjith xansat. Prandej në kjoftë se ndrron gjithkta si mbas rasave qi vrojtuem, nji gja nuk ndrron e asht krejt reale e s do përzie me fakte tjera: ndiesija e detyrës – kjo asht gja reale e krejt në vedi – e ktë na e quejmë NDERGJEGJË.
Per me kuptue edhe ma kjartë vjeftjen e fuqin e ktij zani, të vrojtojmë se xanesa i shfaqet studentit jo veç si detyrë por edhe si nji gja e dishrueme prei se cillës pret nji të mirë o dobi; prandej sado qi mundi e mërzija përpiqen m’e shmangë, aj gjithnji qindron n’at punim. Sa e sa xansa në vend qi me ndejë mbyllë ndër dhoma e me thye kokën me libra kishin me dishrue m’u dëfrye, me shetitë, me pa ndo ‘i shfaqje o me ndie ndo ‘i koncert; por, kujtimi i nji të mire t’ardhshme i ban me ndejë aty e m’e mbajtë për të mirë ma të madhe xanesën se ato argtime qi i kalojnë nëpër mend.
Cilla asht kjo e mirë?
Përgjigja e parë asht e thjeshtë: po s xuni s fiton dituni e s kalon nder provime. Mirë, e pse duhet të kalojë ndër provime? – Pse prei ktij hap mvaret jetesa. Po kush e shterngon me e sigurue jetesën? – Pse mbassi ka le i duhet të rrnojë. – Po pse me rrnue?
Fundi, s’ ka të gjegjun pa pohue se ndërgjegja asht e ka fuqi me na shterngue të përmbushim detyrën me jetue e të jetojmë per me përmbushë detyrën. Por e si mundet ndërgjegja me na shtërngue e prej kah rrjedhe fuqija e saje?
Ne kjoftë se ndërgjegja rrjedhë prei nesh, asht gja e jona, e askush s e shtërngon vedin në mndyrë të domosdoshme. Por, ndërgjegja edhe kur s’ e ndigiojmë, s na len rahat e na shtërngan sidomos me të breme. Perëndija, qi krijoj gjithsin, i vuni edhe ligje e rregullim gjithshkafes. Ky rregullim asht ligja e natyrës. Ani mirë por, nder kondita për vjeftje të nji ligje, lypet edhe qi ligja të çpallet e të njifet prei atij qi do t’a ndjekë, për ndryshej vullneti i ligjëdhansit, tui mos u njoftë, s ka si bahet udhë drejtimi për të nënshtruemt.
Të gjith kensave, ligja e natyrës u çpallet në mndyrë qi me i u përshtatë atyne: Kensat të panjoftim e kan ndër ato fuqi të mshehta qi i shterngojnë me veprue në mndyrë të preme, si p.sh., uji t’a prekmen pambukun e dlirët do t’a lagin; kensat me shise, ket ligje e kane ndër instinkte, si p.sh., nica t’a pamen minin asht e tërhjekun m’ e kape, e nieri, të ndiemen se digjet o theret, vrik i largohet atij rrezik; kensat qi kanë mend e liri – nierzt – e kane nji ligje qi i shtyen, por pa i lidhë krahësh e duersh – në daçin me e ndjekë mirë, e deshtën s i shterngan, por atje mbrendë proteston në mndyrë të pashueshme. Te çpallunit
e ksajë ligje s bahet prei së jashtmi, por – si dihet e si e lypë fuqija e Krijuesit prei së mbrendi, pse nji ligjë e përjashtme kishte me muejt m’u lanë mbas dore gjithsaherë qi nieri kujtohet se nuk e shef kush.
Sikur pra ndër kensa të panjoftim asht nji e shtyeme pa njoftim, e ndër frymorë asht nji prirje pa kuptim, ashtu nder nierz asht nji prirje me kuptim, due me thanë nji sasi parimesh e ndiesish t’arsyeshme e të natyrshme në shpirt të nierit të cillat zgjohen gjithsaherë qi ky do me ba, ban, o len pa ba ndo ‘i vepër.

Botuar më 1933.

Please follow and like us: