Albspirit

Media/News/Publishing

Kërcënimet e Rusisë, reagon ambasada amerikane në Tiranë

Ambasada amerikane në vendin tonë ka reaguar lidhur me qëndrimin e SHBA ndaj Rusisë, ku kjo e fundit akuzohet për helmimin e ish- spiunit Sergei Skripal në Britani.

Përmes një postimi në faqen zyrtare të Facebook ambasada ka shpërndarë një pjesë të qëndrimit të Shtëpisë së Bardhw lidhur me kërcënimet e Rusisë mbi përdorimin e armëve kimike të nivelit ushtarak në territorin e Mbretërisë së Bashkuar.

“Shtetet e Bashkuara e kanë ndërmarrë këtë masë në bashkëpunim me aleatët tanë në NATO dhe partnerët tanë kudo në botë, në përgjigje ndaj përdorimit të armëve kimike të nivelit ushtarak nga Rusia në territorin e Mbretërisë së Bashkuar, veprimi më i fundit në vazhdën e veprimeve të saj destabilizuese në mbarë botën”, thuhet në postimin e ambasadës, deklaratë e bërë nga sekretari i shtypit në Shtëpinë e Bardhë.

Gjatë ditës së sotme, edhe Shtetet e Bashkuara vendosën të dëbonin 60 rusë, ndërsa vendimin e kanë përkrahur edhe vende të tjera të Bashkimit Europian. Ky reagim në masë vjen menjëherë pas helmimit të një ish-agjenti të dyfishtë në Britaninë e Madhe, që pasoi me një valë akuzash për përfshirjen e Rusisë.

Po ashtu në mbledhjen e grupit të PS, kryeministri Edi Rama u komunikoi deputetëve të grupit parlamentar, se qeveria do të dëbojë nga Shqipëria disa shtetas rusë që kanë shkelur interesat kombëtare.

Ende nuk ka emra konkretë që do të largohen, por kryeministri Rama ka thënë se  “qeveria do të vendosë për dëbimin e disa shtetasve rusë. Ky është një veprim i koordinuar me vendet e NATO-s. Do dëbojmë rusët që kanë shkelur interesat kombetare”.

Please follow and like us: