Albspirit

Media/News/Publishing

Nisin hetimet për ish-kryeprokurorin Llalla

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla është vënë nën hetim nga Prokuroria e Durrësit.  Hetimi ka nisur ne Durrës, ashtu siç e parashikon ligji, pasi është qyteti më i afërt ku punoi ish- kryeprokurori. Që të hetohej ky ish- zyrtar i lartë mësohet të jenë mbledhur informacione nga disa institucione.

Për të nisur hetimet për Llallën janë marrë informacione nga ILDKPI, dhe zyrat notariale. Po ashtu mësohet se do të sekuestrohen kontratat e shitblerjeve të pasurive në kohën që Adriatik Llalla ishte Prokuror i Përgjithshëm.

Ish-kryeprokurori hoqi dorë për tu caktuar gjyqtar, çka bëri që atij t’i ndërpritet vettingu.  Por, duket se materialet e publikuara së fundmi në media, ku flitej për pasuri marramendëse si dhe akuza e DASH për pastrim parash ka çuar Prokurorinë e Durrësit që të nisë hetimet.

Ishte Deutsche Welle, që një ditë më parë paralajmëroi se ish kryeprokurori do të hetohej për pastrim parash.

“Rasti më domethënës është ai i ish- Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, ndaj të cilit Prokuroria ka hapur çështje penale për pastrim parash në përmasa të mëdha, edhe pse Llalla deklaroi para se të fillonte vettingu largimin vullnetar nga drejtësia.

Atë që nuk e bëri dot organi i akuzës i drejtuar nga Llalla, që erdhi në krye të Prokurorisë në vitin 2012 dhe qëndroi deri në mbyllje të mandatit 5 vjeҫar, më 3 dhjetor 2017, e nisi Departamenti Amerikan i Shtetit.

Muajin kaluar ai mori vendimin që ish-kryeprokurori dhe familja e tij të futen në listën e zezë dhe të mos u lejohet hyrja në SHBA “për shkak të përfshirjes së tij në raste të mëdha korrupsioni”, shkruante dje Deutsche Welle.

Please follow and like us: