Trump dëbon 60 diplomatë rusë
Presidenti i SHBA Donald Trump ka urdhëruar dëbimin e 60 diplomatëve rusë nga vendi. Vendimi vjen si pjesë e masave të ndërmarra nga Perëndimi për të dënuar helmimin e ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij me agjentin nervor novichok në Britaninë e Madhe.
SHBA gjithashtu do të urdhërojë mbylljen e konsullatës ruse në Seattle, sipas agjencisë së lajmeve Reuters. Por autoritet amerikane sipas një burimi të Top channel i kanë kërkuar edhe Shqipërisë të veprojë njësoj si Perëndimi.
Departamenti i Shtetit tha në një deklaratë: “Më 4 mars, Rusia përdori një agjent nervor ushtarak për të vrarë një qytetar britanik dhe vajzën e tij në Salisbury. Ky sulm ndaj aleatit tonë të Mbretërisë së Bashkuar vuri jetë të panumërta të të pafajshëmve në rrezik dhe rezultoi në dëmtime serioze për tre vetë, duke përfshirë një oficer policie.”
Sipas SHBA-ve sulmi është një “shkelje e egër e Konventës së Armëve Kimike dhe shkelje e së drejtës ndërkombëtare”.
Në SHBA, 48 nga diplomatët që do të dëbohen thuhet se janë të punësuar në ambasadën ruse dhe të tjerët janë të vendosur në OKB, në Nju Jork.
Gjermania dhe Franca kanë njoftuar gjithashtu se do të përjashtojnë katër diplomatë rusë. Gjithashtu vende të ndryshme evropiane kanë ndjekur shembullin dhe kjo përbën natyrisht hapin më të ashpër të ndërmarrë nga Perëndimi përballë Putin.
Krerët e BE ranë dakord javën e kaluar se Rusia fshihet pas helmimit të Sergei Skripal dhe bijës së tij në Anglinë jugore, por Rusia mohon të ketë gisht në sulmin në Salisbury.