Dritëro Agolli: Kur ngritëm dolli dhe për bagëtinë
Nëse e pyet sot Dritëro Agollin se çfarë është pija, përgjigja është befasuese: Një mjet komunikimi. Dhe me të vërtetë. Historia e jetës së këtij kolosi të mendimit dhe letrave shqipe ka qenë e tillë.
Që pija ka pasur rolin e saj në të gjitha rrethanat. Dhe ia nis që kur njohu Sadije, ai përpara kishte një gotë konjak “Skënderbeu”, për të cilin Sadija tregonte se sa e pa me sy e rrëkëlleu me eks.
Dhe kur vajza e druajtur e pyeti si kishte mundësi që e piu menjëherë, ai i tha se nuk e kishte problem. Por në fakt kjo ishte hera e parë që pija për Dritëroin përbëri një problem. Ai më parë nuk vinte në gojë pije, as kur studioi në Rusinë e ftohtë të vodkës, as kur nisi punë si gazetar. Dashuria me lëngjet e alkoolit nisi pas të 30-tave. Ashtu me konjak dhe raki, sidomos kjo e fundit. Një pije për të cilën Dritëroi ka thurur edhe poezi. Por asnjëherë nuk ka shkruar pasi kishte pirë. Pija më turbullon mendjen dhe nuk jam i kthjellët, thotë Dritëroi. Madje ai shton se kur ka shkruar ndonjë poezi në të tilla rrethana, ai e ka grisur.
Por mjeshtri i letrave nuk rri pa treguar histori nga më interesantet. Sidomos ajo në fshatin Pleçisht të Korçës, kur një natë dimri dollitë i linin vendin njëra-tjetrës dhe rakia derdhej lumë.
Por pasi pinë dollitë për udhëheqjen, partinë, njerëzit e shtëpisë për secilin të pranishëm, komshinjtë dhe tërë fshatin, nuk dinin më se për këtë të ngrinin dolli. Për të pirë pijen deri në fund erdhi propozimi: Të ngrihej dolli për njerëzit e fshatit. Dhe ashtu u bë. Nisën dollitë për bagëtitë kokë më kokë, derisa arritën në dollinë 101. Aty u kthyen dolli për lopën, gomarin, etj. Kjo ka qenë një momentet dhe dollitë më të bukura.
Por Dritëro Agolli ka edhe tjetër në raport me pijen. Ai është i pari shqiptar që hoqi nga fjalori fjalën “pijanec” dhe e ndërroi në “pijetar”. Një fjalë që kishte një tjetër kuptim, pa diskutim më e dashur dhe krejt ndryshe nga fjala që artikulohej me parë që kishte një konotacion negativ. Po tani? Pi shumë pak, por nuk e ka lënë përfundimisht. Pi nga një gjysmë gote verë në drekë ose në darkë. Për Dritëronë, vera është për pleqërinë, e butë, e ëmbël. Ah, kur ishte i ri çfarë i bënte rakisë!…
JAM SOKRATI PLAK
Jam plak gazmor që dehem nga rakia,
Ku rrugës më ngacmon një pijetore,
Pastaj me zor shtyj këmbët tek shtëpia
Në çaste vape, shiu apo dëbore.
Dy sytë e mi, të dy si xixëllonja,
Largojnë njeri-tjetrin, qajnë e feksin
Dhe dy pastruese rrugës si dy zonja,
Më duket se plot nderim më presin.
Jam plak çapkën, i çmendur nga rakia,
I çmendur jam, por jam shumë i gëzuar.
Dhe si Sokratin plak më shan Sadija,
Sadija ime, grua e bekuar.../ Dritëro Agolli