Fitim Zekthi: Diana Çuli është thjesht një rast
Poetja e madhe Ana Ahmatova, e cila u persekutua egërsisht nga regjimi komunist, është shprehur se ajo kurrë nuk do t’i harronte ata që kryen krimet çfarëdo që të ndodhte, do t’i kujtonte gjithnjë dhe kudo. Trupat e të vrarëve meritojnë një numër, meritojnë falje dhe pendim të thellë. Historiani i njohur amerikan Alan Charls Kors, thotë se pa këtë gjë, pra pa pendimin dhe faljen, në të gjithë botën ish-komuniste nuk mund të ketë një periudhë pas socialiste. Dhe në të vërtetë kjo gjë ka ndodhur të paktën me vendin tonë.
Debati i çelur kohët e fundit mbi fajësinë e shkrimtares Diana Çuli, e cila ka bërë ekspertizën e kërkuar nga gjykata komuniste të poezive të dy poetëve të pushkatuar Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, thjesht e bën më të dukshme një nga tiparet më të këqija që kanë shoqëruar diskutimet mbi krimet e komunizmit.
Ky tipar është normalizimi i të keqes.
Ky tipar bastard i ngjizur në modernitet dhe i rritur egërsisht në totalitarizmat komuniste dhe naziste duket se vijon të shënjojë edhe sot mënyrën se si shumë njerëz diskutojnë mbi ato krime. Në regjimet totalitare kryerja e veprimeve të tmerrshme në një mënyrë të organizuar dhe sistematike bën që ato të duken “normale” , ato “normalizohen”.
Ky është një proces i ndyrë, vrasës, degradues dhe i patregueshëm aktesh që bëhen rutinë.
Filozofi Eduard Herman thotë se ky proces bën që këto akte të pranohen si “mënyra se si janë gjërat”.
Kështu në një regjim totalitar nazist apo komunist, sigurimsi apo spiuni i Gestapos merr informacion, oficeri bën arrestimin, xhelati tjetër bën torturat, një tjetër të çon në birucë, një tjetër të fut në dhomë gazi apo të çon në pushkatim etj.
Gjithë ky proces i organizuar dhe sistematik bën që secili nga aktet e tij të duket normal dhe në tërësi gjithë procesi normalizohet.
Secili nga pjesëmarrësit thotë se bën detyrën. Edhe me ekspertizën e shkrimtares Diana Çuli ka ndodhur kjo gjë.
Ajo edhe sot e quan normal atë proces, madje ajo dhe një pjesë e madhe e shoqërisë edhe sot kanë hyrë në një tjetër zinxhir të organizuar, i cili po normalizon qëndrimin mbi krimet. Disa gazetarë apo studiues flasin për pamundësinë e dënimit të krimeve, disa të tjerë thonë se e gjithë shoqëria ishte fajtore disi, disa të tjerë thonë se vendit i duhet të shohë përpara, disa të tjerë hyjnë në arkiva dhe botojnë histori koti të sekretarëve të komunizmit, të tjerë ndërtojnë bunk’art-e, dhe më së fundi mbërrihet te qëndrimi i turpshëm “ashtu ishte koha”.
Adolf Eichmman, një oficer i lartë nazist u gjykua në Izrael për krimet që kishte kryer ndaj hebrenjve. Në gjyq ai tha se nuk ishte përgjegjës sepse ai kishte ndjekur imperativin kategorik të Kantit. E thënë thjesht ai tha se kishte bërë detyrën. Hanah Arendt, që e ndoqi gjyqin nga afër u trondit, e studioi dhe tha se ky njeri ishte personifikimi i banalitetit të së keqes.
Njerëzit që nuk mendojnë dhe që nuk rrinë dot pa lider janë banaliteti i të keqes. Këta janë fajtorë, nuk ka justifikim për ta.
Prokurori Gideon Hausner tha se pavarësisht se formalisht ai nuk ka thyer asnjë ligj të regjimit nazist, ai është fajtor se ka thyer ligjin natyror, ka bërë një krim të natyrës universale.
Prokurori amerikan Robert Jackson, i cili drejtoi të gjithë procesin e Nurenbergut iu referua ligjit moral dhe sensit moral të njerëzimit. Sipas tij ai kishte thyer një ligj më të lartë. Askush nuk po kërkon sot që të dënohet shkrimtarja Diana Çuli, madje nuk po kërkohet të dënohen as ministrat e regjimit të djeshëm apo gjyqtarët dhe persekutorë të tjerë por arsyetimi se “ashtu ishte koha” është i turpshëm.
Një nga parimet themelore të së drejtës është ai që thotë se domosdoshmëria nuk është justifikim. Edhe sikur Diana Çuli të ishte e detyruar që të bënte një ekspertizë për të cilësuar armiqësore poezitë e dy të rinjve, ajo nuk duhet ta bënte.
Në qoftë se është ose ka qenë një njeri i dobët dhe nuk përballonte dot vuajtjet apo torturat, atëherë sot nuk duhet të thotë se nuk kisha përgjegjësi apo se ashtu ishte koha. Arsyetimi tjetër se në qoftë se nuk do ta bënte ajo atëherë do ta bënte dikush tjetër ehte djallëzor. Njeriu mban përgjegjësi për atë që bën vetë.
Shkrimtarja Diana Çuli dhe të gjithë ata që mendojnë si ajo duke këmbëngulur se prokurorët, oficerët, gjyqtarët, xhelatët, ekspertët letrarë dhe çdo ekspert tjetër nuk kanë faj për rolin e tyre në krimet e regjimit komunist, apo “ashtu ishte koha” tregojnë se e kanë bërë edhe atëherë me dëshirë aktin e shëmtuar të marrjes pjesë në dënim.
Errare humanum est, perseverare autem diabolikum. Pra, të gabosh është njerëzore, të këmbëngulësh është djallëzore. Këta këmbëngulin edhe sot sepse duan të mbrojnë atë që bënë dje me dëshirë. Pas vdekjes së Stalinit dhe ardhjes së Krushovit në Bashkimin Sovjetik pati një detantë, pati një lehtësim të egërsisë së persekutimit, pati lirime të burgosurish politikë nga burgjet etj.
Zhores Medvdev dhe Roy Medvedev, dy vëllezër historianë rusë, të cilët kanë bërë ndoshta librat më të rëndësishëm mbi stalinizmin, krimet dhe pushtetin sovjetik, thonë se pati oficerë të KGB-së që vranë veten, pati kryetarë të organizatave të partisë që iu shkonin viktimave dhe qanin me pendim, pati oficerë që publikisht kërkonin falje.
Ata përmendin në librin “Stalini i panjohur” raste me emra konkretë nga Moska, Novgorodi, Kievi, Petrogradi dhe deri në Almaty apo Tashkent, ku oficerë iu drejtoheshin me pendim viktimave të tyre. Ndërkohë që në Shqipëri jo vetëm që nuk ka patur një rast publik të tillë, por ka patur këmbëngulje të shëmtuara për të mos pranuar fajin, për të thënë se ashtu ishte koha etj. Askush nuk ka ndonjë detyrë hyjnore të bëhet shkrimtar, apo të bëhet piktor e ekonomist apo politikan.
Prandaj edhe në qoftë se mospranimi i ekspertizës apo mospranimi i anëtarësimit në parti, apo mospranimi i futjes në frontin demokratik apo Kuvendin Popullor do të prishte karrierën, le ta prishte. Mirëpo djalli ishte është pikërisht ai që e shtyn njeriun që përmes lakmisë të gjejë justifikime, të kërkojë dhe marrë pushtet, të jetë edhe sot politikan i lartë, gazetar i lartë, studiues i lartë apo shkrimtar i lartë, duke e shkatërruar atë si qenie.
Të gjithë ata që vazhdojnë të mos iu kërkojnë së paku përgjegjësi morale të gjithë atyre që janë përzier në një mënyrë apo në një tjetër në krime në komunizëm janë si ata./mapo.al/
11. 03. 2017