Jaeld Çela ka dekonspiruar informacione të SHISH, PD ka dokumentin me 18 faqe
Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj tha sot se PD disponon dokumente që vërtetojnë se ish-drejtori i Policisë së Vlorës i shpallur në kërkim, Jaeld Çela ka pasur komunikim të vazhdueshëm me kushërinjtë Habilaj, të akuzuar për trafik droge nga Shqipëria në Itali. Alibeja tha në një deklaratë për mediat nga selia blu se dokumenti me 18 faqe provon gjithashtu që Jaeld Çela ka dekonspiruar informacione të Shërbimit Informativ të Shtetit. “Dokumenti me 18 faqe është bazuar në të dhënat e Antimafias Italiane, e cila ka përgjime bisedash mes Habilajve dhe drejtuesve të lartë të Policisë së Vlorës që provojnë se ishin garant të drogës. Policia e Shtetit jo vetëm ishte kthyer në rrjet të transportit të kanabisit, por Jaeld Çela ka dekonspiruar informacione të SHISH për llogari të Habilajve”, u shpreh Alibeaj. Sipas deputetit demokrat, Jaeld Çela ka biseduar vazhdimisht me Artan Habilajn, personi që përdorte Audin e ish-ministrit Saimir Tahiri, si dhe me Orest Sotën dhe Gentian Cekën, shoferin e Tahirit. Të gjitha këto komunikime të ish-drejtorit të Policisë së Vlorës ndodhen në tabulatet e tij telefonike, theksoi Enkelejd Alibeaj, i cili shtoi se këto lidhje jo rastësore tregojnë që “Saimir Tahiri ka qenë garancia politike për transportin e kanabisit”.