Masakrat në Çamëri: Kushërirën time Kadrijen, zervistët e varën në pemë…
73 vjet pas masakrës në Paramithi, dëshmia rrënqethëse e Halit Mehmetit që rrëfen vrasjet, plaçkitjet dhe torturat që kishte parë me sytë e tij…
Nga Admirina Peçi
27 qershori i 1944-ës ka lënë një shenjë të pangjashme dhimbjeje në historinë e Çamërisë. Vrasjet makabre, torturat, përdhunimet dhe plaçkitjet mbetën në memorien e atyre pak camërve të mbijetuar e të larguar në tmerr për në Shqipëri. Ata kishin memorizuar dhjetra skena tmerri të përgjakshme që kishin parë me sytë e tyre, apo ku kishin qenë vetë ata, prindërit apo fëmijët e tyre viktima. Pas largimit të tyre, instaluar në çadra në fshatra kryesisht të qarkut të Vlorës e Fierit e më vonë edhe në zona të tjera të Shqipërisë, këta të mbijetuar lanë dëshmitë e tyre me shkrim për gjithë tmerret që kishin parë me sy.
Një prej këtyre dëshmive është dokumenti që sjellim sot ekskluzivisht në Shqiptarja.com, në përkujtim të 73-vjetorit të kësaj masakre. Dëshmia është nënshkruar nga Halit Mehmeti nga Paramithia, i cili jetonte në Fier në kohën kur shkruante dëshminë, drejtuar komisionit hetimor të OKB-së në Athinë, me kërkesën për të bërë hetime mbi krimet që ai kishte parë të kryheshin me 27 qershor 1944 në Paramithi.
Më poshtë e sjellim të plotë dokumentin e nënshkruar nga Halit Mehmetit, ku përmend vrasjet emër për emër në Paramithi ditën e masakrës së 27 qershor 1944.
T E L E G R A M
KOMISJONIT HETIMORË TË KËSHILLIT SIGURIMIT
A T H I N Ë
Unë i nënshkruari Halit Mehmet nga Paramithija po i paraqitë atij komisjoni dekllaratën t’ime si ma posht vijon:
Më 27 Qershorë 1944 kanë ardhurë forcat Monarko-fashiste të Zervës të komanduara nga Majorë Xhoga nga Kallarati Janinës dhe Kapiten Kristo Stavropulli, banus në Paramithi me detyrë më parë avukat. Major Foto Kiçua i foraskios n’Ushtri dhe Toger Lefter Strungari nga Paramithija më kanë vrarë kushurin t’onë Barjam Rushitin nga Patrovnila e banus në Paramithi, Mehmet Sejkon nga Paramithija vllaj gruas t’ime, kushuririn e gruas t’ime Miftin e Paramithisë me gruanë e tij Naize Hasan Avdullan, djalin dhe dy vajzat e tij, Adele Sybi Dinen e pushkatuan përjashta shtëpis saj e Kadria Qazim Rexhepin të dyja këto kushurira të para të mijat,
Kadrien e kanë varur në nji pemë dhe masi u tregoj parat i muar 100 lira dhe pastaj e vranë. Ka shkuar e ka parë e motra e sajë Fatime Sybi Dinua që e kishte litarin në grykë të prerë nga pema që kishte qënë varurë.
Veç këtyre dhe nga populli, elementat e posht shënuarë: 1) Mexhushme Lueri, 2) Hajri Jakupi, 3) Nurie Nuhedino, Hasim Dino, Bide Isa Nurçe, Eubrika Nurçe, Nuso Shabani, Sami Dino, Esat Hyseni, Enver Hyseni, Emin Hyseni, Hoxh Shehu Imam, Avduramen Hini, Xhevdet Arapi, Daut Nunesh, Sali Muhedini, Ferat Muhedini, Nuh Muedini, Haki Muhedini, Shaban Kaxiri, Fiko Tare, Sulo Tare, Xhaferr Salica, Avdullah Salica, Vejsel Breka, Rexhep Breka, Tazer Xaxe, Zudi Hasani, Maksut Beqiri, Jakup Beqiri, Isuf Adem Veli, Abedin Prenjo, Mehmet Prenjo, Sali Prenjo, Shuaip Pronja, Meko Prenjo, Nuf Beko, Malo Rakipi, Hajrije Rakipi, Omer Xhelili, Abedin Bako, Gani Baka, Qazim Rexhepi, Rexho Malo me gruan dhe dy çupat, Gjylo Nushi, Zeqir Zeqo, Xhelal Bullati, Mysafer Bullati, Luf Bullati, Fuat Bullati, Nail Bullati, Osmen Bullati, Agaka Bullati, Metat Bullati, Bejtulla Bullati, Sano Bullati këtë të fundit e kanë djegur me benzinë; Shaban Latifi, Ferik Hiso, Hysni Himo, Nuh Lami, Harun Mezani, Niazi Tali, Bila Ormeni, Met Gello, të gjithë këta janë vrarë nga bandat e Zervës që unë Halit Mehmeti që bëj këtë dekllarat kam parë vetë me syt e mijë, mbasi ndodhesha prezent, ma vonë më muarë në burgë dhe më dërguan në Janinë. Kur erdhën forcat e EAMIT më 20 shëndre që sulmuan Janinën unë jam liruar.
Veç kësaj Major Nikolla Shapera ka marë gruan Makbule Aga kah Pronjari me gjithë djemë me forcë dhe Toger Kristo Foti ka marë vajzën e Haxhi Dragonis. Prandaj për të gjitha këto krime i lutemi atij komisjoni që për hir të drejtsis të hetoj për to dhe kryeminelët që kanë kanë kryer këto, të marrin dënimin e merituar.
DEKLLARUSI
Halit Mehmet Dalipi, emigrant çam nga Paramithia dhe banus në Fier.