Albspirit

Media/News/Publishing

Studentja ndërpret studimet pas ngacmimeve seksuale nga profesori

Një ish-studente e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” publikisht ka deklaruar se para dy vjetësh është sulmuar seksualisht nga një profesor i Fakultetit të Arteve, raporton KTV. Ajo thotë se ngjarjen e ka raportuar edhe në polici por nuk është ndërmarrë asgjë lidhur me zbardhjen e rastit. Jeta Berisha thotë se pas këtij sulmi seksual, ajo i ka ndërprerë edhe studimet. I kontaktuar nga KTV-ja, dekani Agim Selimi thotë se nuk ka marrë kurrfarë letre nga studentja në fjalë. Por zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë bërë të ditur se përgjigjet do të kthehen të enjten, pasi duhet verifikuar saktësisht të dhënat. Rastin e saj Jeta Berisha publikisht e ka bërë të ditur edhe në aksionin e studentëve kundër deklaratës së prorektores Teuta Pustina, e cila kishte thënë që studentet duhet të kenë kujdes për veshjen e tyre në institucione arsimore. Ndërkaq, në një komunikatë për media nga Universiteti i Prishtinës, thuhet se rektori Marjan Dema me shqetësim është duke i përcjellë zhvillimet lidhur me këtë çështje dhe kur të kthehet nga udhëtimi zyrtar, do të veprojë sipas nevojës./koha.net/

Please follow and like us: