Albspirit

Media/News/Publishing

Ambasadori rus kërcënon Maqedoninë: Nëse anëtarësohet në NATO, do të kthehet në fushëbetejë

“Nëse Maqedonia anëtarësohet në NATO, do të bëhet fushëbetejë e luftës midis NATO-s dhe Rusisë”. Me këtë paralajmërim ambasadori rus, Oleg Shçerbag, sqaroi se me anëtarësimin e vendit në këtë aleancë jo që vendi nuk do të ketë asnjë dobi në aspektin e sigurisë, as për sovranitetin e as integritetin territorial, por përkundrazi vetëm dëme.

“Ju si qytetarë të përgjegjshëm të vendit tuaj duhet të mendoni rreth asaj se pas anëtarësimit në NATO, vendi do të bëhet pjesë e makinerisë ushtarake dhe nëse ndodh ndonjë agresion kundër Rusisë, ju do të jeni objektivi për sulm kthyes. A ju duhet kjo juve dhe fëmijëve tuaj?”- deklaroi Oleg Shçerbag, Ambasador i Rusisë. Ndërkohë derisa komentoi dëbimin e diplomatit rus nga vendi, Shçerbag tha se bëhet fjalë për akt jomiqësor, të paprecedentë dhe paralajmëroi pasoja në marrëdhëniet dypalëshe mes Moskës dhe Shkupit zyrtarë. Sipas tij, këtë vendim të shpejtuar Ministria e Jashtme e ka marrë vetëm për t’u solidarizuar me Britaninë e Madhe për rastin “Skripal”, pasi nuk i ka dorëzuar ambasadës asnjë dëshmi se diplomati ka tejkaluar mandatin e vetë.

“Moska vlerëson se Shkupi këtë “vendim jomiqësor” e ka marrë nën presion të NATO-s, por kjo rrethanë nuk e liron Qeverinë maqedonase nga e gjithë përgjegjësia për pasojat në marrëdhëniet tona bilaterale. Federata Ruse është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurisë së OKB-së dhe është shumë e përgjegjshme ndaj obligimeve të saja dypalëshe dhe shumëpalëshe. Vendi ynë ka traditë të lashtë diplomatike, nuk shpejtojmë në vendime dhe hapa. Dëbimi i diplomatit është akt shumë serioz dhe në kohë ne do të kthejmë përgjigje adekuate, të analizuar nga të gjitha anët” – tha Oleg Shçerbag, Ambasador i Rusisë, njofton Alsat M.

Ambasadori rus hodhi dyshime se pas rastit “Skripal” fshihet vetë Britania e Madhe. Sipas tij me helmimin e këtij shtetasi rus Londra ka bërë provokimin më të madh politik. Shçerbag nga ana tjetër mohoi të gjitha akuzat e deritanishme për përzierjen e Rusisë në punët e brendshme të vendit tonë.

Please follow and like us: