Andis Harasani: Në Shqipëria nuk ka më Parti Socialiste
Ish-deputeti socialist Andis Harasani thotë se në Shqipëri nuk ka më Parti Socialiste, por kemi një zgjatim të ish-Bashkisë së Tiranës dhe MJAFT.
Harasani tha se nuk ka asnjë shqiptar që mund të thotë se ndjehet i kënaqur me situatën në Shqipëri, një gjë të tillë e pohojnë edhe zyrtarët.
“Nuk më mungon Parlamenti, aq më tepër kur shoh se çfarë ndodh, mendoj se kam bërë gjënë e duhur që u largova”, tha Harasani.
Referuar zgjedhjeve të fundit parlamentare, Harasani tha se nuk ndodh në asnjë vend tjetër që një Kryeministër të dalë i vetëm në zgjedhje, pa program, dhe të fitojë zgjedhjet.
“Pashë shumë pavendosmëri nga ana e opozitës për të fituar zgjedhjet, ndërsa Edi Rama nuk kurseu asgjë në këtë fushatë, përfshi këtu edhe anën monetare. Mjafton të shikosh se çfarë ndodhi në shumë qytete të Shqipërisë për të kuptuar se Rama nuk kurseu asgjë”, tha Harasani.
I pyetur në lidhje me çështjen Tahiri, ish-deputeti socialist mendon se kjo çështje është e mbyllur, madje duke shtuar edhe me bekimin deri diku të dy forcave kryesore në opozitë.
Në lidhje me situatën e partive politike, Harasani tha se ajo që po ndodh sot në PD më parë kishte ndodhur në PS.
“Për mendimin tim se Rama dhe Basha janë shumë të ngjashëm mes tyre, shikoni sesi i zhvillojnë zgjedhjet e brendshme në partitë që sot drejtojnë”, tha Harasani.
Lidhur me taksat, Harasani theksoi se kjo është padyshim qeveria që ka shtuar dhe rritur taksat, duke shtuar se kjo është e vetmja mënyrë që ai të paguajë konçensionet.
“Çdo gjë e kemi me kullë, stadiumin, presidencën, teatrin. Kjo qeveri po i heq dëshirën shqiptarëve të investojnë, sepse ekonomia nuk rritet me kullat dhe konçensionaret”, tha Harasani.