Ekskluzive/Kur Abdyl Frashëri fliste për shkëputjen e Çamërisë
Atdhetari dhe diplomati i shquar i popullit shqiptar Abdyl Frashëri, i drejton redaksisë së gazetës “Moniteur Universale” të Parisit një artikull, i cili u botua në këtë gazetë në maj të vitit 1879.
“Zoti redaktor.
Artikullit të botuar në gazetën “Republika Franceze” nuk i dhamë asnjë përgjigjeje,sepse një sjellje të tillë fare pak e pritnim prej një gazete që simpatizon luftën e kombësive. Franca qan gjithmonë humbjen e krahinave të saj. Banorët e Alsasës dhe të Lorenës rënkojnë kur kujtojnë privimin e kombësisë së tyre. Përse një gazetë franceze i quan qesharak shqiptarët,të cilët përpiqen të evitojnë rrezikun e një fatkeqësie të tillë. Nuk jemi savantë dhe as pretendojmë për të, por historinë e atdheut tonë e kemi studiuar dhe e dimë më mirë se kushdo tjetër.
Banorët e Epirit i quajnë Pellazgë. Herodoti, Tukiditi dhe Straboni dalin me konkluzione se ky vend nuk ka pjesë të Greqisë. Sipas Strabonit, Greqia nga Veriu kufizohet prej Akarnanisë dhe gjirit të Ambrakisë . Pasi gjeografia e lashtë greke nuk u vjen në ndihmë grekëve të sotëm,po pyesim ata që kanë mendime të kundërta, se cila pjesë e Epirit është greke? Ai që pranon argumentet e sillogëve grekë do të besojë se Greqisë nuk i përket vetëm Shqipëria, por edhe Maqedonia, Thrakia, Rumania, Azia e Vogël,etj. Sipas vendeve të Greqisë së Madhe edhe Marseja e juaj i takon asaj!!! Epiri ka 650 mijë banorë. Sa janë vallë grekë që ndodhen në të dhe ku banojnë? Në Korçë? Në Berat? Në Gjirokastër? Apo në Çamëri? Ai që kalon nëpër këto vende takon vetëm epirotë shqiptarë, jo epirotë grekë. Do të sakrifikoheshin pra 650 mijë shqiptarë për të ngi lakmitë e sillogëve grekë dhe lëvizjet artificiale të tyre? …Sjellja e tanishme e Greqisë dëshmon se ajo ka ndërmend të imitojë Rusinë. Por kjo (Rusia) i përkrah pretendimet e saj me anë të forcës, e cila për fat të mirë i mungon Greqisë. Sikur të ishin grekët aq të fortë sa tregohen, në fakt janë vetëm miq të zhurmës, Evropa nuk do të kishte kurrë qetësi. Parimi i ngjashmërisë në gjuhë do ta shpinte Greqinë shumë larg por në radhë të parë do të na jepej neve e drejta të kërkojmë nga grekët 200 mijë shqiptarë që banojnë në një lagje të veçuar të Athinës të quajtur PLAKË dhe krejt ishujt Hidra dhe Speca. Epiri është dhe do të mbetet gjithmonë shqiptar, ashtu si e krijoi natyra dhe historia.
Mëkat që qeveria greke shpenzon për sillogët shuma të majme, të cilat mund të përdoren në mënyrë më të arsyeshme. Ajo përpiqet të zgjasë një ngatërresë, e cila s’ka për të mashtruar asnjë evropian. Po të ngulë këmbë Greqia në aspiratat e lakmitë e saj të pangopura, të cilat i kundërvihen drejtësisë dhe të drejtës së kombeve, shqiptarët kanë vullnet të pa tundur që të mbrojnë atdheun e tyre deri në fund dhe janë betuar të mos lëshojnë asnjë pëllëmbë toke dhe të vdesin për të po të jetë nevoja. Këtu manifestojmë mendimin e të gjithë bashkatdhetarëve tanë.
Evropa nuk do të marrë përgjegjësinë e luftërave shkatërrimtare që do të inaugurohen për aneksimin e shëmtuar të tokave tona nga Greqia”.(98 Moniteur Universale”,Paris maj 1879).
Mbas krizës lindore e deri në Luftën Ballkanike, qarqet shoviniste greke e përqendruan gjithë vëmendjen e tyre në popullimin e shpejtë të trevave jugore të Epirit dhe kryesisht në drejtim të qytetit. Të ndryshëm nga gjakatarët serbo-malazez, që si edukatë speciale për të copëtuar trojet shqiptare kishin zhdukjen fizike dhe dëbimin e dhunshëm të popullsisë autoktone. Ekspertët e problemit Epirot u treguan më të “sjellshëm”, në këtë fazë të parë. Për ata gjithçka duhej të realizohej brenda gjendjes” normale”, të jetës dhe komunikimit të vazhdueshëm “reciprok”. Pra gjithçka duhej të zgjidhej ” pa dhunë”, me programe, spastrime masive, asgjësim fizik, dëbim kolektiv nga toka, por me një popullim të vazhdueshëm dhe të pandërprerë, me një mënjanim të qetë ku befasia të lozte rolin primar, në reagimin e menjëhershëm të popullsisë shqiptare. Zëvendësimi i popullsisë autoktone shqiptare duhej të shihej jo vetëm nga Evropa, por, në radhë të parë, nga popullsia e “pakulturuar” e Epirit si një “fat i madh” për të hyrë në rrjedhën e qytetërimit. Në kuadrin e “miqësisë” së lashtë, shqiptarët nuk kishin pse ti shikonin “vëllezërit e tyre të sinqertë” me frik e dyshim. Nga ana tjetër finokët grekë nuk do t’u linin raste shqiptarëve të dyshonin në “dashurinë”dhe “sinqeritetin”e tyre, se zbatonin pikë për pikë strategjinë e tyre të hollë, duke populluar fillimisht qytetet e pastaj zonat përreth. Në fillim ua kërkonte detyra të qëndronin si punues të tokës dhe më vonë të pretendonin si zotërues të patjetërsueshëm të saj. E rëndësishme ishte për ta që të kapnin pikat kyçe në administratën shtetërore të nesërmen kuptohej edhe nga qarqet politike greke që sundimi osman nuk do të zgjaste shumë edhe në Shqipëri.
Shtrirja dhe zgjerimi i mëtejshëm i institucioneve fetare fanariote do t’i shërbente atyre për të bërë presion të gjithanshëm mbi popullsinë ortodokse të Epirit, për ta inkuadruar brenda strukturës shpirtërore të ortodoksizmit grek më lehtë. Ata do të shfrytëzonin me një mjeshtëri të rrallë lidhjet tregtare midis dy trevave për ta bërë sa më të pranishme popullsinë greke në jetën e përditshme shqiptare. Të favorizuar nga formimi i shtetit të tyre dhe i vlerësuar nga Evropa e asaj kohe, ata do të përdornin të gjitha mjetet e propagandës për t’u fryrë burive pa reshtur në dyert e qarqeve evropiane mbi fatkeqësinë e Epirit që kishte ngelur brenda strukturës së kalbur otomane.
Të palodhur për të zbatuar deri në një programin e tyre shovinist, qarqet vorio-epirote, tashmë, të lidhur edhe me ideatorët e “naçertanës”e të përkrahur nga mëma e tyre e përgjumur Rusi, prisnin edhe njëherë rastin e volitshëm për ta fshirë nga faqja e dheut Shqipërinë. Skemat ishin përgatitur me kohë. Rusia kërkonte shembjen e perandorisë së sëmurë osmane. Nga kjo shpërbërje Greqia dhe Serbia kishin pretendime të takoheshin në Shkumbin. Prandaj edhe në ato kohë kaq të turbullta për Shqipërinë, ku ditëlindja dhe ditëvdekja e saj ishte kaq pranë. Asnjëra palë nga fuqitë ballkanike nuk e pranonin Shqipërinë si aleate të barabartë për të fituar gjënë më të shtrenjtë që kërkon një popull, lirinë dhe pavarësinë e tij. Greqia si Greqi edhe në këtë radhë jo vetëm që nuk do të pranonte aleancë me shqiptarët, por edhe do të bëhej më vonë një ndër bllokuesit kontinental për Qeverinë e sapo formuar të Vlorës.
Në këtë kohë, kur Shqipëria kishte fituar përfundimisht mëvetësinë e saj, shovinizmi grek, si gjithmonë i “urtë” dhe “dashamirës”ndaj popullit shqiptar. Në bazë të po atij skenari, pa shumë pretendime, bëri hapin e saj dhe tradhtinë ndaj kombit shqiptar . Në këtë radhë pasojat e politikës “fine” greke ishin katastrofale. Gati gjysma e Epirit, treva e Çamërisë iu shkëput në mënyrën më absurde Shqipërisë.