Albspirit

Media/News/Publishing

Fritz RADOVANI: DRAGOBIA E DRAGONIT

 

 

BAJRAM CURRI

(1862 – 1925)

 

“Çdo mars vijmë te Shpella,

Të shohim me kobure,

Dragua mbi këto male

Që kurrë s’u përkule…”

Zeqir Lushaj: “Baladë për Bacë Bajramin

 

29 MARS 1925: Arma e Pashiqit që i dhuroi Ahmet Zogut po vazhdon krizmat…

Vritet mbas Luigj Gurakuqit edhe Dragoni i Dragobisë Bacë Bajram Curri…

Secili shqiptar sot pyet veten: “A ka Shqipnia atdhetarë trima si Bajram Currin?”

– Nuk e dij ! Dij vetem se ka vrasës që jo vetem nuk i lanë gja mangut nipit t’ Esadit, po edhe po ua lypi nevoja ia kalojnë atij. Në katër anët e globit vetëm fallsifikatorë vrasës!

Në se dishron me dijtë se shka bahej në Shqipninë e porsa lindun të Gjergj Kastriotit, merr dhe studjo vetem tri figura të mëdha të Shqipnisë së asaj kohë dhe si i vrane ata: Avni Rrustemin e Vlonës, Luigj Gurakuqin e Shkodres dhe Bajram Currin e Dragobisë.

Ndër pusat e ujit të freskët të Rozafës, të tre burrat e kanë pij një gotë ujë… Sa e ambël dukej fjala e tyne “T’u rritët ndera!”, kur u thonin grave shkodrane me tabake në dorë.

Jeta e këtyne burrave të ngjan me vrapimet e maratonomakëve ndër labirintet e një Shqipnije të rrënueme nga feudalizmi, që në çdo kthesë të pret një vrasës tradhtar…

Por, zemra e Trimit nuk thehet as nuk kthehet mbrapa! E ky trim ishte Baca Bajram!

Nuk e thyen as nuk e kthyen as napolonat ar e as dinarët… Pasunia e tij ishin e mbetën  gurtë e Shpellës së Dragobisë, ku me zemër të thyeme për atë gjak të derdhun rrëkajë aty, çdo  shqiptar e ndjen veten përpara një Monumenti të Perjetshem e madhështor.

E Plaku me dorën e tij të vrashtë nga fjetja ndër jestekët e gurtë, të afron kokën për parzëm dhe me dashninë atnore të tij si gjithmonë, plot me bujari të ofron një dhuratë: Besën e Burrave të Maleve të ngjeshun e të mërthyeme për Flamurin e Gjergj Kastriotit!

Vetëm për këtë e vranë…

 Melbourne, Mars 2018.

Please follow and like us: