Jorida Tabaku: E drejta e pronës, pronësia mbi lirinë tonë!
Nëse duam të shohim se si një qeveri po sillet ndaj të drejtave të njeriut mjafton të shohim raportin e saj me pronën private. E shkuara e shoqërisë sonë mban mbi supe vuajtjen e shqiptarëve si pasojë e një sistemi që rrëmbeu dhe nuk e njohur pronën private. Jo më kot një figurë emblematike si James Madison ndërsa shkruante mbi pronën private nënvizonte se “Një njeri ka të drejtën e pronës njësoj siç ka një pronësi mbi të drejtën e tij”, prandaj çdo qeveri që përpiqet që të tjetërsojë pronën e një qytetari ajo në fakt i merr qytetarit pronësinë e një të drejte që garantohet nga Kushtetuta dhe të Drejtat e Njeriut.
Rrëmbimi i kësaj lirie sot e kësaj dite po bëhet më evident nga qeveria socialiste e cila nisi rrugëtimin e vjedhjes që në maj të vitit 2015 kur solli në kuvend dhe votoi ligjin e Investimeve Strategjike. Tre vjet më parë e kam paralajmëruar këtë abuzim me pasoja të rënda mbi një nga të drejtat më themelore të njeriut, madje propozova dhe amendamentin përkatës që neni 26 i ligjit të shfuqizohej.
Sipas këtij neni, nëse një investitor me titullin strategjik (pra do të investonte mbi 50 milion euro) nuk do të binte dakord për çmimin e tokës që duhej shpronësuar për investimin privat, qeveria do të ndërhynte duke ia marrë tokën pronarit me vlerën e ligjit për investime publike. Në fund do të ishte investitori privat që do të paguante këtë shumë dhe do të merrte me një vlerë shumë herë më të ulët tokën e një pronari privat për të ndërtuar biznes privat.
Shembulli më i mirë është godina shtesë tek Hotel Tirana që do ndërtohet shumë shpejt ku pronarët u dëmshpërblyen me vlera qesharake nga qeveria dhe bashkia e Tiranës pas këtij ligji dhe tanimë ajo tokë i është dhënë një investitori privat.
Hapin tjetër në drejtim të pronarëve dhe mbi të gjitha në drejtim të së drejtës së pronës, qeveria e ndërmori ku solli në kuvend ligjin e ri për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Një ligj i miratuar në mes të natës në mënyrë hajdutëshe, siç bëhen punët e këqija në këtë vend. Ligji që më pas u shfuqizua pjesërisht nga Gjykata Kushtetuese, nuk e njeh konceptin e pronës, i jep pushtet qeverisë që të kompensojë vetëm 20% të vlerës, merrte fondin e pronave të pronarëve për t’ia kaluar ministrisë së bujqësisë apo për t’iu dhënë klientëve të mbetur të qeverisë me vlerë 1 euro/metër katror.
E për të përmbyllur ciklin shkatërrimit të konceptit të pronës dhe vjedhjes së Pronës, qeveria është angazhuar që të formulojë një VKM e cila nënvizon se pronat në zonat bregdetare nuk do t’i kthehen pronarëve. Sipas VKM-së, qeveria zotohet që këto prona t’ua japë me përparësi investitorëve strategjikë (që me këtë VKM s’duhet të paguajnë asnjë lek).
Qeveria po zhbën një herë e mirë jo vetëm drejtësinë tranzicionale ndaj pronës por mbi të gjitha edhe vetë pronën. Atë ajo ka ndërmend t’ua shpërndajë oligarkëve që nën petkun e investitorëve strategjikë u shmangen taksave (që i paguajnë qytetarët edhe për to), fitojnë pronat e pronarëve për pako gjë apo edhe falas duke u pasuruar në kurrizin e trashëgimisë së pronarëve. Asgjë më pak se sa ajo që ka ndodhur në këtë vend nga viti 1945 e deri në 1990.
“Kudo ku ka një ekses të pushtetit, prona e çdo lloji nuk respektohet. Në një qeveri të tillë askush nuk është i lirë të shprehë mendimet e tij, nuk është i lirë të jetë ai që do apo të ketë pronësi mbi liritë e tij” e përfundon Madison esenë e tij mbi liritë dhe rëndësinë e pronës.