Albspirit

Media/News/Publishing

Ministria e Jashtme e dënon deportimin në Turqi të gjashtë “gylenistëve”

Prishtinë, 29 mars 2018 – Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes një komunikate për media, e ka dënuar fuqishëm deportimin nga Kosova të gjashtë shtetasve turq që kishin leje të rregullta qëndrimi në Kosovë.

“Kjo thjeshtë nuk do të duhej të ndodhte në asnjë rrethanë. Republika e Kosovës ka dëshmuar se respekton standardet bashkëkohore demokratike, dhe në këtë kontekst arrestimi dhe deportimi i qytetarëve turq me qëndrim të rregullt në Republikën e Kosovës, është në kundërshtim me frymën e ligjeve të vendit dhe në përplasje të drejtpërdrejtë me normat ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e ministrisë.

“Respektimi i të drejtave të njeriut është parakusht i funksionimit demokratik të një vendi, dhe askush me mirë se qytetarët e Republikës së Kosovës, nuk njeh më mirë rëndësinë e tyre universale, e cila tejkalon konceptin shtet-centrik”, thuhet më tutje në komunikatë.

“Çfarëdo trajtimi i cilido qytetar të huaj në Republikën e Kosovës, duhet të mbështetet në proces transparent, në përputhje të plotë me Ligjet e vendit, në harmoni me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe në linjë me qasjen perëndimore të respektimit të të drejtave të njeriut”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Aty thuhet gjithashtu se në ditët në vijim do të kërkojë “përgjegjësi” nga të gjithë ata që janë përfshirë në këtë veprim dhe do të kërkojë informacion të plotë mbi mënyrën e organizimit të operacionit, mbi arrestimin dhe mbi deportimin e qytetarëve turq.

“Ministria e Punëve të Jashtme kundërshton këtë veprim, si dhe shpreh keqardhje të thellë për familjarët e të deportuarve”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.

Please follow and like us: