Pjetër Vukaj: Zëdhënës i mjerimit…
Darkoja në një mencë me çmime të lira
Aty ku frekuntohej, nga të varfër, studentë, nxënës…
Në këto kohërat tona të vështira…
Këtu ku mjerimi më ka zëdhënës…
Dy studente të bukura, të frekëta si dy lule
Pranë meje darkonin, pothuajse çdo natë
Ndanin bashkë varfërinë, në një racion fasule…
Merrnin dy lugë, një bukë, një pjatë…
Deri vonë mendova se mbanin dietë
Por, jo, e kishin nga mospasja, varfëria…
Edhe pse dukeshin të gjalla e gjithë jetë
Të bukura si ëndërra, si mosha, si rinia.
Ishin të veshura me shije tepër të hollë
Me rroba të përdorura, të lira, të thjeshta
Faqet iu ishin skuqur si mollë
Se po bënte pak si fresk fundvjeshta.
Kuptohej që ishin vajza të mira
Mësova që ishin më të mirat studente
Me paratë e bursës…blinin libra
Dy vajzat ëndërrimtare, ekselente…
Tri kokrra fasule, në mes dy lugësh se si më ngjanin
Rrënuam shumëçka, por mjerimin s’e përmbysëm…
Jo, tri kokrra s`kishin se si t’i ndanin…
Se njëra kokërr, s’ndahet dot përgjysëm…
Nata, tashmë ishte zgjatë
Ato do të gjendeshin në krahët e librit,
Tri kokrra fasule, mbetën në pjatë…
Si tri pika në vazhdën e ‘POEMËS SË MJERIMIT’…