Albspirit

Media/News/Publishing

A po i shesin shqiptarët mësuesit gylenistë tek vëllai Erdogan?

Media turke “Hurriyet”, shkruan se gashtë shtetasit turq, banorë të Kosovës, të identifikuar si përkrahës të Gylenit, janë deportuar për në Turqi, të enjten, pak orë pas arrestimit të tyre nga Policia e Kosovës. Qeveria e  Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë Inteligjente në Turqi, kanë realizuar këtë operacion arrestimesh duke vënë në pranga. Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya ve Yusuf Karabina, drejtues të institucioneve shkollore turke në Kosovë, dhe njëri prej tyre me profesion mjek  Ata kanë qenë të pajisur me leje qëndrimi në Kosovë por atyre u janë pezulluar ato. Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, përkatësisht Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion, bëri të ditur se në bazë të mandatit të saj për zbatimin e ligjit për të huajt, ka revokuar lejet e qëndrimit për shtetasit turq. Megjithëatë mediat kosovare po aludojnë hapur se arrestimi dhe dëbimi i mësuesve të kolegjit Mehmet Akif është një marëveshje okulte mes presidentit turk Erdogan dhe atij Kosovar Hashim Thaçi. Shumë vende perendimore nuk kanë pranuar ti ekstradojnë gylenistët e cilësuar nga Erdogani si terroristë dhe bashkëpuntorë në hrushtin e shtetit, për shkak të drejtësisë së diktuar politikisht, klimës së terrorit dhe mugesës të së drejtave të njeriut që mbizotëron në Turqi. Por pushteti në Prishtinë ka dalë kundër kësaj rryme duke përzgjedhur përpara aleatëve perendimorë vëllain Erdogan. Shumë zëra influentë publikë kanë dalë hapur kundër kësaj politike të qeverisë së Kosovës.

Reagimet:

Veton Surroi

Kosova u çlirua dhe u pavarësua si një prej projekteve më të mëdha ndërkombëtare për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Gati njëzet vjet pas çlirimit, shteti i Kosovës në vend se të mbrojë ua rrezikon të drejtat e njeriut pesë shtetasve të Turqisë duke i dorëzuar autoriteteve të cilat janë larg standardeve të drejtësisë. Një rënie e përditshme morale.

Shkëlzen Maliqi
Shpresoj se dorezimi i drejtorave te shkollave “Mehmet Akif” Turqise eshte lajm i rrejshem! Aktiviteti i tyre ne Kosove ka qene legal ne shkollat qe jane regjistrur sipas ligjeve tona dhe nese ne Kosove nuk kane qene nen hetime se jane duke zhvilluar veprimtari te rrezikshme per shtetin tone, e as Turqia nuk ka derguar deshmi tjera te bindshem se ata jane “terrorista” pos se jane “gylenista”, nuk ka pse te deportohen! Perkundrazi, duhet t’i ofrohet azili ose mundesia qe te zgjedhin ne cilin shtet duan te jetojne. Nuk e paragjykoj aspak se kush jane dhe cfare kane bere keta qe po thuhet se do te deportohen, por duke e ditur se me cfare histerie regjimi i Erdoganit largoi nga puna dhe i burgosi dhjetera mija “gyleniste” dyshoj se kjo eshte pjese e ndjekjes se turpshme te shtigave, nje fushate masive qe po e mbron pushtetin dhe tiranine e Erdoganit dhe jo aspak kontribut ne luften kunder terrorizmit.

Ndue Ukaj

T’i nënshtrohesh politikës totalitariste të Erdoganit, dhe, në të njëjtën kohë, t’i aspirosh vlerat perëndimore, ku dinjiteti i personit dhe të drejtat e tij, vlejnë më shumë se çdo gjë, kjo është më shumë se hipokrizi. Kjo është poshtërsi.
Ne, ka kohë që kemi menduar se po e mashtrojmë botën e lirë, me veprime tinzare, por e kemi mashtruar vetveten, ashtu siç jemi mashtruar shpeshherë edhe në të kaluarën.

Me këto veprime, me vetëdije po ikim nga Europa, dhe nga parimet themelore mbi të cilat funksionon ajo.

Ka vite, prej kur një pjesë e rëndësishme e politikës së Kosovë, paturpësisht, i është nënshtruar mendësisë totalitariste të Erdoganit, duke bërë veprime të marra, dhe në dëm të çështjes shqiptare.
Mos të harrojmë, shqiptarët e moçëm, Stambollit e sulltanit, nuk i janë dorëzuar as në kohë shumë të liga, kur janë dhunuar, vrarë e djegur, kur nuk kanë pasë asnjë të drejtë, por kanë gjetë forma për të rezistuar dhe kundërshtuar.

Turqia e Erdoganit, pas njohjes së pavarësisë së Kosovës, u ka kërkuar shqiptarëve në vazhdimësi ta përbuzin vetveten, historinë dhe kulturën e tyre. Me deklarata dhe veprime.
Sot, po kjo Turqi, kërkon nga ne, të heqim dorë nga parimet universale të demokracisë; nga vlerat dhe idealet e lirisë, sepse, na trajton si mbetje osmane.
Sot, sulltan Erdogani, i dha goditje të rëndë të ardhmes sonë, sidomos aspiratave për t’iu bashkuar popujve të përparuar dhe të lirë të perëndimit.

Në të njëjtën kohë, kjo formë e poshtërimit, na ka bërë palaço në sytë e botës.

Duke menduar se po e mashtrojmë perëndimin, ne e mashtrojmë vetveten.

Sot, duhet të gjitha atyre që bëjnë këso avantura duhet t’u themi troç: të kota janë çirrjet për Europë dhe për vlera perëndimore. Sepse, veprimet e juaja janë krejtësisht joperëndimore.
Kjo është neveritëse.
Shqiptarët duhet të zgjohen nga kjo ëndërr e makthshme që vjen Tabir Saraji.

Enver Robelli
Ekstradimi i shtetasve turq me leje te rregullta qendrimi ne Kosov quhet, perndryshe, krim shteteror. Keshtu Kosova nuk sillet me ndryshe se nje „ »republike bananesh“. Kete vendim te tmerrshem e marrin njerez qe edhe vete dikur kane qene te perndjekur nga nje regjim represiv dhe kane qene shume te lumtur qe shtetet perendimore u ofruan strehim. Ish-refugjatet Thaci dhe Haradinaj shnderrohen ne ekstradues dhe sherbetore te nje regjimi qe drejtesine e ka shnderruar ne instrument terrori.

Astrit Gashi

Ramush, Hashim e Kadri kah po e qoni keshtu Kosoven! Dikur thojshit kah BE e SHBA, sot e dje kah Turqia e Erdoganit e Rusia!

Please follow and like us: